Kryeministri dështoi me negociatat, por çon vendin në zgjedhje të parakohshme
Çfarë shteti demokratik kjo Maqedonia kohët e fundit! Dështoi me negociatat dhe shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Lidhja Social Demokrate, partia më e madhe në pushtet vendosi që ministri i Rendit Oliver Spasovski të drejtojë qeverinë teknike deri në zgjedhjet e 12 prillit. Sipas marrëveshjes së njohur të Përzhinës, 100 ditë para zgjedhjeve kryeministri jep dorëheqje, formohet qeveria teknike në krye të së cilës vjen një përfaqësues i pushtetit, ndërsa opozitës i lihet posti i ministri i Brendshëm dhe i Çështjeve Sociale dhe disa zëvendësministra.
Ministrja aktuale e Çështjeve Sociale, Mila Carovska do të jetë zëvendës-kryeministre e ngarkuar me çështjet ekonomike në kabinetin e zotit Spasovski. Zv/kryeministri Koço Angjushev ka thënë se ka në plan të largohet nga politika.
Kryeministri Zoran Zaev pritet të japë dorëheqje më 3 janar dhe të njejtën ditë në seancë parlamentare të miratohet qeveria teknike.
Zaev bëri të ditur të premten në mbrëmje se nuk do të shtyhet data e zgjedhjeve pasi opozita zhbllokoi proceset rreth miratimit të disa ligjeve në parlament.
Zoti Zaev parapëlqen ndryshimin e Kodit zgjedhor për ta bërë Maqedoninë e Veriut një njësi të vetme zgjedhore nga gjashtë sa ka aktualisht.
Por për këtë, nuk e ka pëlqimin as të partnerit të koalicionit qeveritar, BDI-së dhe as të opozitës maqedonase të drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja.
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti u tha gazetarëve se çdo ndryshim i Kodit Zgjedhor duhet të bëhet me konsensus politik.
BDI-ja vlerëson se me kalimin nga gjashtë në një njësi të vetme zgjedhore, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të kishin më pak deputetë në parlament, por me këtë konstatim nuk pajtohen ekspertët dhe analistët.
Lidhur me çështjen e Kodit Zgjedhor dhe qeverinë teknike priten takimeve të veçanta të shtunën të Zoran Zaev me Hristijan Mickovskin e VMRO-së dhe Ali Ahmeti po me drejtuesin e opozitës maqedonase.
Ndërsa në Tiranë kryeministri Rama nuk don t’ia dijë për zgjedhje. Jo vetëm që humbi negociatat, por nuk ka as parlament dhe asnjë institucion të pavarur pa kapur, përjashtuar presidencën sepse hasi në qendresën stoike të Ilir Metës, pasi ndryshe do ta kishte në shesh lojrash për Rilindjen.