Kryeministri Edi Rama dhe Euro-dollaro-gjyqtarët

 

Nga Nikoll Lesi.

Reforma në drejtësi e deklaruar nga Edi Rama dhe e kërkuar nga SHBA e Kancelarja gjermane Merkel është ndër reformat më të rëndësishme. Por dhe shumë delikate. E duhur mbetet si reformë dhe sfidë e fortë për Kryeministrin, porse dhe shumë problematike sepse është një pushtet i pavarur. Para drejtësisë janë të gjithë të barabartë, papërjashtim, në një vend demokratik.Dhe kur flet drejtësia nuk ka asnjë fjalë me tepër.Por drejtësia në Shqipëri, në masën dërmuese, është kthyer prej vitesh në një biznes. Natyrisht për të qenë korrekt ka plot gjyqtarë të shkëlqyer, të drejtë dhe që nuk njohin asnjë presion politik apo nuhatje eurosh. Ndërsa pjesa tjetër e kanë kthyer prej vitesh ligjin në “maliq” dhe nuk gjykojnë me drejtësi, por sipas çantës me dollarë apo euro që ofrojnë palët ndërgjyqëse. Aq poshtërsisht veprojnë disa gjyqtarë sa është pak t’i arrestosh me burg, bile duhet t’i futësh në dhoma izolimi, atje në biruca sa të mos e shikojnë dritën e diellit. Gjyqtarë që me shumë rrijnë me mafiozë e kriminelë, gjyqtarë që japin vendime krejtësisht të padrejta dhe nuk marrin ndëshkime, gjyqtarë që kanë makina supër të shtrenjta, gjyqtarë me biznese marramendëse e me shpenzime galopante, gjyqtarë të cilët vetëm gjyqtarë nuk mund të jenë. Ata mund të ishin tregtarë, matrapazë dhe bixhozxhinjë.

Në këtë drejtim janë të gjithë fajtorë , PS dhe PD e gjithë spektri politik. Është gabim sistemi i ndërtuar i drejtësisë ndër vite, ku gjyqtarët nga viti në vit janë fuqizuar ekonomikisht dhe hajde e zgjidhe lemshin e tyre të interesave, aqsa më përpara mund të prekësh rrjetin kriminal të vendit se sa gjyqtarët. Është e frikshme kjo që po ndodh në Shqipëri. Gjyqtari nëse e paguan mund të të shpall nga vrasës  në krejt të pafajshëm, nga pa pronë e tokë mund të të bëjë të pasur me 100 dynym tokë, nga i korruptuar në njeri pa asnjë njollë publike, nga njeri i mafias në deputet e politikan sepse ta pastron biografinë. Këto lloj gjyqtarësh janë një rrjet i madh që mbajnë njëri tjetrin, jo me ligj, por si klan tamam si klanet që janë në Shqipëri prej vitesh.

Deklarata e kryeministrit Rama se do të “bëj qilizëm në sistemin e korruptuar të drejtësisë” është marrë si me shaka nga ky rrjet gjyqtarësh sepse mendojnë se kanë pas KLD-në dhe Gjykatën Kushtetuese.

Ndaj kjo është një betejë e madhe mes drejtësisë si ligj e njërëzve të drejtësisë që janë të korruptuar, është një betejë e cila shpresojmë se do të përfundojë në favor të ligjit dhe Kushtetutës. Ka nevojë siç thotë ambasadori amerikan Lu që të ketë arrestime ndër gjyqtarë. E ka thënë disa herë pa asnjë notë diplomatike ambasadori. Ndaj, siç tregojnë burime të besueshme për një gjyqtar të gjykatës së lartë të cilin e kanë nën hetim me vendim gjykate të Tiranës e ku dosja po plotësohet për t’u arrestuar mu në Gjykatën e Lartë, ka nevojë edhe gjyqtarë apelesh dhe të shkallës së parë të vihen në pranga. Siç vendosin shumëherë pranga të padrejta kundrejt shumave në euro apo dollarë, që paguan njëra palë, edhe prangat duhen të bien në duart e këtyre soji gjyqtarësh.

Edi Rama, nëse don t’a çojë deri në fund, pse nuk kërkon nga insitucionet e vartësisë dhe të hetimit apo edhe institucionet e tjera kushtetuese që si  i ka bërë paratë, pronat, tokat,etj, sejcili gjyqtar. Aty i ka letrat e tyre. Pse nuk e bën? Apo i quhet ndërhyje në punët e drejtësisë?! Aspak. Prangat siç vihet mbi lazaratasin si grup kriminal të shtrengohen edhe mbi këto gjyqtarë.

Edi Rama ka përballë mafien më të fortë e më të betonizuar ;mafien e drejtësisë. Nuk është asgjë Lazarati, as grupet kriminale , se sa kjo mafie. Mafia në drejtësi të shtrembëron shtetin, të ndryshk institucionet dhe të rrëzon demokracinë.

Tashmë pritet shtatori se si do të jetë platforma në parlament për një sistem drejtësie të pavarur e të drejtë. Por ka dhe një rrezik se mos ndoshta mazhoranca synon ta kalojë drejtësinë nga “gjyqtarë të Saliut” në “ gjyqtarë të PS e LSI”. Nëse ky është qëllimi atëhere drejtësia shkon edhe më për dreq!

 

 

 

SHKARKO APP