Ku është Opozita?

 

 

Partia Demokratike ka vendosur të ndryshojë strategjinë e aksionit opozitar. Deri pak ditë më parë, Lulzim Basha fliste për mosbindje civile dhe mjaftohej vetëm me akuza dhe deklarata shtypi. Por dje prezantoi një skemë të re aksioni. Me sa duket e ka kuptuar se ndonjë pazar në Vjenë me Ramën, ky i fundit e ka keqpërdorur duke e vënë përballë reagimit të Jozefina Topallit dhe grupit antiBasha në selinë blu.  

Në mbledhjen e grupit parlamentar, Basha tha se Partia Demokratike do të organizojë protesta masive, për të rrëzuar qeverinë. “Ju bëj thirrje qytetarëve të bëhen pjesë e kësaj proteste madhështore qytetare. Ne mbështesim pa asnjë kufizim, ne mbështesim tërësisht protestën e ligjshme të studentëve. Ne jemi në krahun e tyre e kërkojmë zhbërjen e këtij ligji klientelist e korruptiv dhe dhënien e së drejtës kushtetuese të arsimit publik me tarifa të përballueshme nga prindërit dhe familjet e studentëve shqiptarë”, tha Basha.

Ndryshimi i strategjisë së Bashës është kthim në linjën e fortë të opozitës tradicionale.Këtë ka lënë të kuptohet ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefia Topalli në mbledhjen e djeshme, duke e kritikuar Bashës se ky aksion duhet të kishte nisur kohë më parë. Ajo është ndalur në mbështetjen që Basha deklaroi për protestat e studentëve kundër reformës në arsim. Topalli i ka kujtuar Bashës së është gati një vit me vonesë, pasi PD-ja nuk e kundërshtoi fort reformën kur ajo kaloi në Kuvend dhe vetëm sot që studentët kanë dalë në rrugë, deklarohet pro protestave. “Ku ishte PD-ja gjatë një viti që studentët kërkonin ndryshimin e ligjit? Mbi ç’baza dhe si do ta mbështesë konkretisht PD-ja këtë protestë?”, mësohet se i është drejtuar Topalli Bashës. Sipas saj, opozita e sotme nuk është kurrkund, pasi duhet të kishte kaluar me kohë nga fjalët në vepra. Dhe realisht, opozita e PD-së më shumë ka luajtur me fjalët, sesa ka bërë opozitë të mirëfilltë. PD-ja harxhoi gjithë verën energji duke u marrë me diversione brenda mazhorancës dhe duke e gënjyer veten për një prishje koalicioni mes dy aleatëve kryesorë. Jo rastësisht, sulmet e PD-së gjatë verës kishin në qendër kreun e Kuvendit, Ilir Meta, duke e lidhur atë me aferën e CEZ-it. Ndërkohë që rastet e përmbytjeve në Vlorë, aksionet kundër tregtarëve të vegjël dhe protestat e sipërmarrësve, të cilat ishin raste dhe për të nisur protestat, i lanë të kalonin vetëm me disa deklarata shtypi. Së fundi, opozita është fokusuar tek çështja e korrupsionit dhe e abuzimeve të disa ministrave. Në vend të orientojë pakënaqësinë publike ndaj reformave, Partia Demokratike është bërë si agjenci mediatike, duke shpërndarë intervista me persona që denoncojnë dhe duke dhënë deklarata për mediat. Ndërkohë që opozita nuk bëhet vetëm nga selia e partisë dhe jo vetëm me mediat. Shpërdorimi i disa rasteve për aksion opozitar ka bërë që shumë qytetarë të pyesin ku është opozita? Dhe me të drejtë, Topalli tha dje se nuk është kurrkund.

Duke u kujdesur të ruajë balancat në PD, si të spostojë njerëzit pro Berishës dhe si të ketë nën kontroll partinë, Basha duket se harroi se është kryetari i opozitës dhe jo vetëm i PD-së. Në maj premtoi se në shtator do të niste protestat e fuqishme. Shtatori iku dhe vetëm në mes të muajit nëntor u kujtua se një qeveri nuk ikën kur sulmohet nga aleatët e saj, por kur në qendër të sulmit është vetë qeveria. Vetëm dje, në deklaratën tij u pa se objekti i sulmit ishte kryeministri Edi Rama. “Askush nuk mund të pranojë më një qeveri që vjedh pa pushim dhe sillet si një bandë me qytetarët. Fryma po tregon drejtimin e ri të rrugëdaljes, të përballjes. Nuk ka më kohë, as arsye për të mos e bërë. Shpresat e ndokujt se kjo qeveri mund të korrigjohej kanë marrë fund”, – tha Basha.

Tashmë duket se Basha e ka vendosur të ndjekë linjën e protestave dhe të “revolucionit demokratik” që kërkoi Berisha disa kohë më parë. Po kur do të zbresë në shesh e para kryeministrisë kryetari Lulzim Basha me demokratët e vendit? Të ketë frikë në përballjen me Qeverinë apo do të mbajë një fjalim e të shpërndahen demonstruesit prapë me lekët e tyre të marra borxh për të ardhur në miting?! Jozefina Topalli nuk foli kot dje. Ajo rri afër me Berishën e duket se diçka nuk ecën mirë në PD. Ka rënë hovi i përplasjes, është zbehur zëri i daulleve të luftës me qeverinë. Çka Lulzim Basha? Pse vonon, derisa thotë se vendi po shkon drejt greminës apo pret të biem njëherë brenda e më pas të na nxjerrë PD-ja? Selia blu e mori dënimin në qershor 2013, por kjo nuk do të thotë të mos ripërtërihet e të mos vijë në pushtet. Në pushtet nuk vihet me Facebook apo konferenca shtypi. Në pushtet vihet edhe duke marrë për frymëzim metodat e Shaban Memisë, natyrisht me shpirt demokratik, siç di ai ti përdorë sa herë e kërkonte dikur Doktori.

Opozita kërkon forcë, përballje, “revolucion demokratik”.

 

SHKARKO APP