Ku ishte OPOZITA gjatë ditës së votimit?
Më shumë se qëndrimet e PS-së se këto janë zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjë herë, ajo që bie sy është heshtja Partisë Demokratike. Një heshtje që nuk është parë dhe dëgjuar tash 27 vite.
Procesi nisi me parregullsi serioze në shumë zona të vendit. Në Lezhë pati një incident me armë dhe të plagosur. Në Sarandë fletët e votimit janë hedhur në rrugë. Në Vorë u kap një komisioner teksa paguante me lekë në dorë votën për PS. Në Elbasan, Korçë, Durrës, Berat dhe Kukës ka raportime pa fund për dhunë, blerje vote dhe parregullsi të procesit. LSI ka prej dy ditësh që flet për incidente skandaloze dhe heshtjen e turpshme të policisë. U detyrua presidenti i zgjedhur Ilir Meta që të niset urgjent për në Lezhë dhe denoncoi hapur e fort kryeministrin Edi Rama, për banda e dhunë, kurse PD asnjë fjalë. Si rregull, opozita flet e denoncon edhe kur nuk i preken asaj votat, por ajo flet si përfaqësuese e lirisë dhe popullit opozitar.
Ilir Meta foli kaq fort sa duhej që PD ta shfrytëzonte edhe për interesat e saja këtë konflikt LSI-PS. Por asnjë fjalë! Bile nuk ka as edhe një deklaratë nga PD-ja zyrtare që tu bënte thirrje qytetarëve të merrnin pjesë në votime deri nga ora 18.00. Kur po mbylleshin qendrat e votimit doli Edmond Spaho, por ishte vonë.
Edi Rama ka më shumë se 4 orë që bën thirrje në Facebook për socialistet qe të votojnë. Ndërsa deputetët e PS dhe degët e PS-së në rrethe në çdo orë bëjnë deklarata ku edhe ata kanë pretendime për procesin dhe parregullsitë.
Ajo që bie në sy ishte heshtja e selisë blu. Është një heshtje që nuk zbardhet se cilin mesazh do të jap. Atë që PD është dakord me procesin dhe e quan më të mirin, apo kushdo të fitojë prapë PD do jetë në pushtet!?
Në historinë e Partisë Demokratike ky është procesi i parë zgjedhor ku në ditën e votimeve mungon PD-ja. Në gjithë zgjedhjet e mëparshme ka qenë PD-ja ajo që ngrinte në këmbë gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë dhe reagonte ndaj parregullsive. Sot duket sikur më shumë pakënaqësi dhe kontestime ka PS ndaj zgjedhjeve, sesa PD-ja që është në opozitë dhe si rregull opozita është ajo që ankohet.
PD-ja e dikurshme ishte në qendrat e votimit, në media, në shesh dhe në qytete duke ruajtur votën, duke denoncuar incidentet. Ndonjë herë edhe duke hapur probleme dhe duke bllokuar procesin, por ama ishte në fushë të lojës. Spt përveç ministrave teknik që kanë shumë pak lidhje me atë që ndodh në PD, pjesa tjetër e opozitës ishte zhdukur nga selitë e partive, nga ekranet por edhe nga qytetarë dhe votuesit e djathtë.
PD ose e di se ka fitore të madhe dhe heshti, ose ….!