Ku është zhdukur Kryeministri?
Që nga e hëna e javës së kaluar kryeministri Edi Rama është zhdukur nga aktivitetet publike. Nuk ka asnjë takim qeveritar dhe asnjë axhendë zyrtare të numrit një të qeverisë. Thuhet se ndodhet në SHBA për takime të rëndësishme, por prej 8 ditësh askush nuk jep një adresë të saktë. Edhe zyra e shtypit në Kryeministri duket se i ka humbur “gjurmët” e shefit dhe nuk di të jap një përgjigje se çfarë aktiviteti publik dhe shtetëror po kryen kreu i qeverisë gjatë 8 ditëve që është zhdukur nga ekranet. As Endri Fuga nuk po e gjen dot!
Dalja e tij e fundit në zyrë ishte më 18 dhjetor, ku në një konferencë për mediat pasi u qëllua me çizme nga Monika Kryemadhi, sqaroi zgjedhjen e njëanshme të Kryeprokurores së Përgjithshme të Përkohshme. Më pas fluturoi për në Bruksel, ku zhvilloi një takim me kryeministrat e rajonit dhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikën e jashtme Frederica Mogerini. Pas Mogerinit hodhi disa foto në Facebook ku shfaqej në Milano. Prej Italisë fluturoi me urgjencë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është vendosur prej 8 ditësh.
Nga SHBA-ja kryeministri ka publikuar vetëm fotot e një darke pune me disa biznesmenë shqiptaro-amerikanë në datën 21 dhjetor. Që nga ajo ditë nuk ka më asnjë lajm se çfarë po ndodh me kreun e qeverisë. Ministrat thonë se shefi po punon fort për Shqipërinë në SHBA dhe po zhvillon takime të rëndësishme. Në fakt 7 ditë qëndrim në SHBA janë shumë për çdo zyrtar. As Fatos Nano nuk ka ndejtur kaq gjatë jashtë shtetit. Nëse do të ishte vizitë pune, një javë është e mjaftueshme për të takuar gjithë Kongresin e SHBA, gjithë kabinetin qeveritar, bile dhe Presidentin Donald Trump. Deri tani të vetmit që ka takuar janë disa shqiptarë që më shumë kanë punë me Ministrin e Diasporës, Pandeli Majko sesa me Edi Ramën.
Për të larguar dyshimet, shpesh herë në Facebook e Edi Ramës ka postime mbi sukseset e qeverisë. Por njoftimet e hedhura dallohen që janë dora e Endri Fugës. Më shumë se lajme nga aktiviteti i kryeministrit janë përmbledhje dhe reklamë e punëve që ka bërë qeveria gjatë këtij viti. Mungesa më e madhe ndjehet te televizioni “ERTV”. Nga programacioni i ngjeshur me 5-6 daje live në ditë, televizioni personal i kryeministrit ka ulur “qepenat” dhe transmeton ndonjë video të filmuar me dron nga zyra e shtypit e Qeverisë.
Mungesa e Kryeministrit ka shqetësuar socialistët. Pasi i dhanë timonin e pushtetit, këto ditë po shohin se nuk kanë më informacione se çfarë po ndodh me “makinën e qeverisë”, timonin dhe as shoferin. Kryeministrat dhe politikanët kryesorë të vendit edhe pse bëjnë namin me udhëtime dhe pushime, të paktën formalisht gjatë festave të fundvitit qëndrojnë në Shqipëri. Është një lloj reklame që i bëjnë punës së tyre duke zgjedhur të jenë pranë qytetarëve. Por kryeministri Rama këtë herë ka vendosur të shkojë në SHBA dhe të punojë fort për Shqipërinë edhe kur administrata amerikane është me pushimet e Krishtlindjes. Sidomos pas votimit të Shqipërisë kundër SHBA në OKB, administrate amerikane e ka me qejf të madh qeverinë shqiptare!
Zoti President Meta!
Duhet të kërkoni informacion se të ka humbur kryeministri i vendit, ndaj duhen lajmëruar shërbimet intelegjente partnere për të gjetur kryeministrin tonë. Kryesore mbetet që të na kthehet në Tiranë.
S.P.