Ku po shkon Greqia?

Nje analize e gazetes amerikane New York Times per situaten ne Greqi

Pasojat njerëzore të krizës ekonomike në Greqi kanë qenë domethënëse: përqindja e grevave, vetëvrasjeve dhe papunësisë janë rritur ndjeshëm, për shkak të viteve të tëra të keqqeverisjes me politikat ekonomike shtrënguese. Kështu që është mjaft shokues fakti që sondazhet po tregojnë se ka shumë gjasa që votuesit t’ia japin kontrollin në Parlament partisë politike të majtë Syriza në zgjedhjet që do të mbahen në fund të këtij muaji.

Mbetet ende një çështje e hapur nëse do të arrijë apo jo Syriza ta përmirësojë jetesën e grekut mesatar. Partia dhe lideri i saj karizmatik, Aleksis Tsipras, kanë premtuar se do ta rinegociojnë borxhin e qeverisë, do të shkurtojnë taksat, do të rishikojnë shkurtimet e pensioneve dhe do të rrisin shpenzimet në shërbimet publike. Por për ta përmbushur këtë axhendë ambicioze z. Tsipras duhet të bindë liderët e së ashtuquajturës trojkë – Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar – për të lehtësuar kushtet e borxhit të vendit.

Kjo nuk do të jetë një detyrë e lehtë. Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shauble e ka deklaruar tashmë se zgjedhjet “nuk do të ndryshojnë asgjë” për sa i takon marrëveshjes midis Greqisë dhe trojkës. Nuk është për t’u habitur që z. Shauble, i cili ka qenë një prej propozuesve më të mëdhenj të masave shtrënguese ekonomike në Europë, po mban një qëndrim kaq absolut përpara zgjedhjeve, mbase në përpjekje për t’i penguar grekët që t’i hedhin votat e tyre për Syrizën. Por këmbëngulja për ta ndëshkuar Greqinë nuk e ndihmon aspak vendin që t’i kryejë reformat më shpejt. Liderët e trojkës duhet të mbajnë një qasje më pragmatike, si për shembull, ta shtyjnë pagesën e këstit të radhës të borxhit.

Nëpërmjet një shenje pozitive, liderët e Syrizës kanë thënë se duan ta mbajnë Greqinë në zonën e monedhës euro. Një largim i mundshëm nga bashkimi monetar do të ishte tepër shkatërrues për ekonominë e brishtë të vendit. Dhe ndërkohë që investuesit nuk duken edhe aq të shqetësuar sa ç’ ishin përpara disa vitesh për atë se çfarë do të thoshte dalja e Greqisë nga euro për vende të tjera si Spanja, Portugalia dhe Italia, ata gjithsesi i kanë disa shqetësime.

Kjo është më e qartë: më tepër vuajtje nuk do ta stabilizojnë Greqinë apo ta lejojnë atë t’i shlyejë borxhet. Përqindja e saj e papunësisë ishte 25.5 për qind në tremestrin e tretë të 2014-s. Kjo është lehtësisht më e ulët se përqindja mesatare prej 27.5 për qind e 2013-s. Deflacioni është realitet; çmimet e konsumit ranë 1.2 për qind në nëntor pas një rënieje 1.8 për qind në tetor. Edhe pse ekonomia po rritet sërish – prodhimi i përgjithshëm bruto u rrit me 0.7 për qind në tremestrin e tretë të 2014-s në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë – shumë njerëz nuk po shohin përmirësime në jetën e tyre.

Nuk ka asnjë dyshim se politikat shtrënguese, si shkurtimi i shpenzimeve dhe rritja e taksave, që trojka ka kërkuar në këmbim të ndihmës ndaj Greqisë dhe vendeve të tjera të rrezikuara të eurozonës, e kanë zgjatur dhe thelluar rënien e tyre ekonomike. Një tjetër e metë e madhe në qasjen e trojkës ka qenë se e ka lënë Greqinë me më shumë borxhe sesa vendi mund të shpresojë ndonjëherë se mund të shlyejë, diçka të cilën e pranoi edhe FMN-ja vitin e kaluar.

Dhimbjet e shkaktuara nga këto politika janë faji kryesor për zhgënjimin që kanë pësuar votuesit në Greqi, Spanjë dhe Itali dhe në disa vende të tjera të Europës ku është rritur ndjenja për partitë tradicionale politike. Në Greqi nga një gjë e tillë ka përfituar Syriza. Në Spanjë, sondazhet tregojnë se Podemos, një parti e majtë e themeluar më pak se një vit më parë, e ka rritur popullaritetin. Dhe në Itali, Lëvizja Pesë Yje, e cila do që vendi të dalë nga euro, edhe pse ka rënë disi kohët e fundit mbetet gjithsesi popullore midis një pakice të konsiderueshme të popullit.

Pavarësisht nëse Syriza do të fitojë apo jo shumicën e karrigeve të Parlamentit grek, është e qartë se votuesit, të detyruar nga politikat ekonomike europiane, po kërkojnë me zë të lartë ndryshimin.

The New York Times

SHKARKO APP