Kukësi si Vakëf
Nga Frrok Çupi
Dje qeveria hyri në Kukës nga Rruga e Kombit, e vetmja që e lidh shtetin me Kukësin. Rrugë tjetër nuk ka mbetur. As rrugë ekonomike, as hapësirë shpirtërore, as shteg komunikimi ose mirësie. Banorët e Kukësit, që para katër a pesë vjetësh kanë qenë nja 16 a 17 mijë vetë, janë larguar të parët për në kurbet. Disa kanë ikur nga mali, disa nga bregu i Drinit të Bardhë, disa nga brigjet e Drinit të Zi. Më të paktët morën Rrugën e Kombit; më të paktët sepse kuksianëve iu dukej më zi se Drini i Zi. Nëpër rrugën e Kombit, që qeveria socialiste (ish- komuniste) e kishte mallkuar që në gjenezë, kishin frikë se mund të takonin diku shtetin, d.m.th., qeverinë. Nuk deshën ta kishin këtë përballje as në ditën kur po linin vatrat e tyre.
Një nga kuksianët, parmbrëmë në një ekran televiziv, tha në emër të shumë kuksianëve se "kjo nuk ishte ikje, por dëbim; qeveria shqiptare nxit dëbimin e kuksianëve me qëllim që të lirojë trojet për serbët". Kaq hidhët foli; dhe të erdhi në sy një skenë kur barinj të mbrapshtë e barbarë i venë zjarrin pyllit për ta kthyer në kullota…
Sa e tmerrshme! Tani Kukësi nuk është as edhe kullotë, por ngjan me një Vakëf. Njerëz të gjallë thuajse nuk kanë mbetur më. Edhe ata që janë duket se gjallojnë veç për të pritur pelegrinët që vijnë të vizitojnë vakëfin.
Dje, përshembull, ishte pelegrin kryeministri i Republikës bashkë me një shpurë nëpunësish. Këta thanë se "po shpërndanin letrat e legalizimeve", por në fakt kishte një arsye tjetër pse ishin aty. Me datën 4 maj, domethënë nesër, kuksianët kanë shpallur se do të bllokojnë Rrugën e Kombit si shenjë neverie ndaj qeverisë. Qeveria, pasi mori vesh këtë lajm, tha se duhej të ishte e para në një ditë të fundit për Kukësin.
… Djaloshi nga Kukësi, një student part- time i një Universiteti në Tiranë, foli në televizion në emër të banorëve të Kukësit dhe tha se në bllokimin e rrugës "nuk do të pranohen gra dhe vajza". Sipas kodit moral të krahinës, kjo "është punë burrash", dhe burrërisht do të përballen me qeverinë. Kur lindin vakëfet, lindin aty ku ka pasur burra. Qeveria iu kërkon kuksianëve o pagesën e energjisë elektrike, o shtëpinë, o jetën! Burrat nuk kanë shteg ku kalojnë, fëmijët e gratë iu kërkojnë hesap në shtëpi.
S'kanë asgjë çfarë u japin në shtëpi; nuk ka as punë, nuk ka as investim, nuk ka as vullnet të mirë.
Qeveria ka ardhur në vakëf jo për të lënë diçka, por për të marrë. Por nuk ka asgjë më. Secila familje në Kukës është shpallur borxhlie ndaj qeverisë nga 10 deri 20 milionë lekë. Aq sa kushtojnë dy vila sot në Kukës. Megjithatë, dje kryeministri pikasi diçka që mund t'ua marrë akoma. Iu tha se "ua legalizova shtëpitë, me qëllim që të mund të merrni kredi në bankë". Domethënë ka projektuar t'u marrë edhe shtëpitë që iu legalizoi; tua bllokojë në bankë e t'i lërë në mëshirë të fatit. Bankat, nafta, bregdeti, bizneset, tenderët…, gjithçka është pronë e qeverisë. Edhe vetë njerëzit; këta akuzohen, fyhen, hidhen poshtë ose lihen pa punë, sipas vetë qeverisë. Atëherë edhe vakëfi i Kukësit do të jetë aset në bankën e qeverisë.
Kukësi nisi të kthehej në vakëf që në kohën kur parullat, televizioni, tribunat, artistët, etj., nisën të thurnin lavde për udhëheqjen e diktaturës. Atëherë thanë se "burrat po e përmbytin tokën e Kukësit për të na dhënë dritë". (U ndërtuan hidrocentralet e vetme të Shqipërisë). Sepse vakëfi vjen pas burrave. "Burrat e shtetit" komunist kthyen shpinën dhe e lanë Kukësin pa jetë. Atje poshtë urave të viteve 70, në çdo verë shfaqet Kukësi i vjetër. Bien ujërat e Liqenit artificial nga ku i vjen drita gjithë vendit, dhe atje duken eshtrat e atij qyteti që ishte ndërtuar në shekuj. (Në vend që kuksianët të ishin më të pasurit në vend, këta vuajnë në vakëf). Vakëfi i Kukësit të vjetër nuk mundi të bëhej vend pelegrinazhi, veç gur mallkimi.
Lëngonin eshtrat e Kukësit të vjetër;… mallkonin pelegrinët e rinj, ata që nuk dinin çfarë kishte ndodhur në atë "varr" poshtë urave dhe poshtë ujit. Kur Edi Rama (tani kryeministër), para se të bëhej kryeministër erdhi për herë të parë në Kukës, pat lëshuar një mallkim neveritës. Ka qenë viti 2012. Teksa ishte para kamerave televizive dhe pa disa malësorë që kalonin rrugës me kafshë ngarkese, ky tha se "kur vij këtu më neveritet artdheu". Fraza mori dhenë, por mediat fluturuan pas eksibicionizmit të kryeministrit që po vinte. Askush nuk qëndroi të kuptojë se sa shpejt edhe Kukësi i Ri do të kthehej në vakëf.
Ky qytet nuk ka emër shenjtorësh, siç ndodh me shume qytete të botës.
Në vakëfin e Kukësit të Ri nuk ka asgjë për tu shënuar që nga krijimi i tij në vitet '70 e derisa u varros "shenjtori" i parë. Havzi Nela ishte një poet i ri, nga fshatrat rrotull. Teksa të tjerë thurnin lavde për "burrat e shtetit që po nxirrnin dritë nga goja", Havzi Nela nuk e bëri këtë, por shkroi vjersha për dashurinë. E kapën dhe e varën, bash për këtë arsye. Regjimi komunist po binte, por një poet mundi ta varë në litar. Ishte viti 1988 kur ndodhi krimi. Havzi Nela është poeti i fundit i botës komuniste që u dënua me vdekje. Atë vit askush nuk dënohej më me vdekje, as në Rusi, as në Bukuresht, as në Pekin. Veç në Kukës. Njeriu që firmosi varjen ishte një artist; artist dhe barbar, Kristaq Rama, babai i kryeministrit të sotëm Rama. E keqja arriti kulmin: Një artist vari një artist, regjimi gjakatar u duk se i kishte duart jashtë. Kështu u bë Kukësi për herë të parë vakëf.
… Tani nuk ka asgjë. Njerëzit që ishin kanë kuptuar se qeveria i urren dhe nuk do t'i shikojë me sy. Iu mori tokat për hidrocentral, por drita nuk u jep. Iu hoqi Universitetin dhe iu futi frikën e poetit të vrarë. Edhe për mikpritjen e 500 mijë emigrantëve kosovarë në luftën e vitit 1999, po i akuzon se "kanë bërë punën e armikut".
Një deputet i ri socialist (edhe ky shkrimtar), i shpallur armik i Partisë, ka marrë rrugën si pelegrin drejt Kukësit. Ndoshta për të marrë një bekim për të ardhmen. Më duket sikur po kërkon hajmalitë, njësoj si dikur eshtrat e Gjergj Kastriotit…
Tani Kukësi është vakëf. Kanë thënë se nesër, më 4 maj, kuksianët e mbetur (vetëm burra) do të bllokojnë rrugën e Kombit që akoma edhe sot i lidh me veturat e shtetit.
Nesër ndoshta nuk do të ketë as pelegrinë për vakëfin