“Kumbara” e Kumarit, kush është drejtoresha “gangstere” që sfidoi Xhafën
Pas incidentit të sotëm në Komisionin e Ligjeve, me Fatmir Xhafën, kreun e këtij komisioni, Luneda Sufali është personazhi më i komentuar në mediat sociale. Drejtoresha e Lojërave të Fatit ironizio dhe sfidoi drejtuesin e Komisionit të Ligjeve, teksa ai i kërkoi të dilte jashtë. Në rrjet gjen lloj lloj komentesh për drejtorëshën arrogante, por ndoshta jo të gjithë e dinë se kush është profili i saj. Para pak kohësj, gazeta Dita i kishte bërë një profil 31-vjeçares, të cilën e quante si “Kryeministrja e Kumarit”. E lexoni më poshtë:
Luneda është vajza e tretë e familjes Sufali. Ka lindur njëmbëdhjetë vjet pas motrës së vogël dhe katërmbëdhjetë pas të madhes. Të gjithë prisnin të ishte “çun”. Edhe lista me emra ishte bërë gati. Luneda në atë kohë nuk kënaqi askënd, por shumë shpejt u bë e përkëdhelura e familjes. Shpjegimi i emrit të saj? Ka lindur ditën e hënë. I ati i saj, një njohës i mirë i kulturës italiane i vendosi këtë emër. Sot, shkurt i thërrasin Luna.
Në shkollë ka shkëlqyer në shkencat ekzakte dhe në adoleshencë ka dashur të bëhet gazetare investigative. Madje ka filluar të punojë në një televizion lokal në qytetin e Durrësit, e më pas në një radio. Por ndikimi i dy prindërve me profesion ekonomistë ishte i fortë: studimet e larta i vazhdoi për Ekonomik dhe për këtë tashmë është e kënaqur.
Fakti që ka qenë vajza e “pleqërisë” nuk i ka dhënë asaj mundësi që ta marri jetën lehtë. Ka nisur të punojë që studente, shpesh duke bërë njëherazi disa punë: nga bankat e deri në kompani private shqiptare e të huaja. Ka përfunduar studimet e larta në vitin 2005 dhe më pas ka ndjekur një master po në këtë degë.
Drejtorja e re e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit është e para femër në një post të tillë dhe nuk ka hyrë kurrë në një kazino. “Por mua më pëlqejnë sfidat, – thotë sapo ia vemë në dukje këtë fakt – personat që më propozuan të jem aty mesa duket e kanë kuptuar këtë. Më kanë vendosur përballë një sfide. E kuptoj përgjegjësinë, jam me këmbë në tokë. Kur mendoj se çfarë lloj tregu është, e besoj që nuk është e thjeshtë. Nuk është e lehtë, por do t’ia dal mbanë”.
Si e priti familja këtë emërim? “Ime më e priti me pak rezerva, pasi iu duk pak e çuditshme që një femër të drejtonte një drejtori të tillë. Ndërsa im atë më stimuloi që të pranoja, e kam patur përherë krah – thotë Luneda.
Telefoni nuk pushon. A ka patur ndërhyrje? “Sigurisht që kam patur – thotë znjsh.Sufali dhe shton: “E kuptoj pse. Është një sektor ku lëvizen shumë para dhe shumë interesa, por nuk ka më miq në këto punë. Të gjithë duhet të kuptojnë që miku më i mirë është ligji”, shkruan lapsi.