Kur Rama thotë: ”Jap dorëheqje” dhe nuk e mban fjalën

Absurdi nuk ka fund. Kur ende nuk ka thënë asnjë fjalë për t’i bërë thirrje prokurorisë për të hetuar me seriozitet krimin e rrugës së Kavajës, apo për mënyrën se si u la i lirë Emiliano Shullazi, Edi Rama ka ngarkuar juristët e tij për të çuar kreun e grupit parlamentar të PD në prokurori. Edi Paloka ka dalë sot për të bërë një deklaratë ku qeveria akuzohej për lirimin e Shullazit: “Faktet tronditëse, të bëra publike, tregojnë qartë se banda e armatosur që terrorizoi Tiranën në përplasje të përgjakshme dy netë më parë, është e lidhur me qeverinë dhe ushtron aktivitetin kriminal me dijeninë dhe mbrojtjen e saj”, ka thënë Paloka. Sipas tij “Oficeri i policisë është në shërbim të bandës”, “anëtari i bandës hyn dhe del nga zyra qendrore e Partisë Socialiste” “dhe të gjithë strukturat e qeverisë ishin dje në dispozicion të kreut të bandës, që nga shërbimet spitalore e deri tek shoqërimi i tij në banesë”. Më tej Paloka ka vazhduar duke thënë se për të gjitha këto Rama hesht, nuk bën asnjë reagim, megjithëse është në djeni të plotë. Ai e ka akuzuar Ramën se “Kujdeset për bandën në çdo drejtim që armët të mos gjenden, provat të mos gjenden, që kreu i saj të mos qëndrojë më shumë se disa minuta në zyrat e Drejtorisë së Policisë”.

Por megjithëse i ka dëgjuar të gjitha këto akuza, kryeministri nuk është përgjigjur për këto dilema që do të mësojë edhe publiku, por ka vendosur të akuzojë Palokën për shpifje. Dhe i zotohet publikut me fjalinë e famshme: “Jam i gatshëm të lë detyrën nëse këto shpifje vërtetohen”. Të njëjtin betim Rama e pat bërë edhe kur thoshte se “nuk kish bir kurve t’i kërkonte lekët në xhepin e tij” dhe pas kësaj ndërtuesi Dine Fratari doli e ja tha publikisht. Betimin se do të jepte dorëheqjen nëse në Divjakë zbrisnin avionë dhe jo mushkonja, e bëri edhe si kryeministër në parlament, por sërish qëndroi në detyrë, pasi në plazh u rrëzua avioni i Riformatos. Të njëjtin betim bëri në Tv edhe kur tha se do të dilte në protestë publikisht me PD-në, nëse çmimi i energjisë rritet. Energjia u rrit me 25% për shtresat e varfra, por ky zotim i Ramës mbetet të vërtetohet, sepse që nga kjo kohë demokratët nuk kanë dalë më në protestë.

Prandaj përpara se t'i bëjë premtime të kota publikut, përpara se të kërcënojë me proces Palokën, kryeministri është mirë t’i përgjigjet pyetjes për të cilën hesht: Përse u lirua me aq shpejtësi Shullazi?(lapsi.al)

SHKARKO APP