Ministri Saimir Tahiri dhe paturpësia e Avokates së Shtetit Alma Hicka
Publikisht sot në parlament ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi, ndër të tjera, se në pushtetin e Berishës , SHIK-u dhe Berisha dogjën redaksinë e gazetës “Koha Jone”.
Ministri i Brendshëm Tahiri tha tekstualisht se:”Dhe kush flet për lirinë e medias, njeriu që u shpall zyrtarisht armiku i medias së lirë, sepse digjte redaksitë e mediave. Sepse digjte redaksitë e gazetave, përndiqte gazetarët dhe nuk po flasë para vitit 1997 po flas tani vonë. Nuk u mbyll emisioni i Mero Bazes në Vizion Plus? A nuk ju sekuestrua me polici redaksia e gazetës? A nuk u gjobit Top Channel 13 milion euro? Ku ishit ju dashnorët e fjalës së lire? Ku ishit ju që të çoheshit në atë kohë dhe të flisnit për lirinë e fjalës. Unë flasë edhe sot. Ku ishit ju që sot na vini e na bëni moral për fjalën e lirë kur digjeshin makinat e gazetarëve? Kur dhunoheshin gazetarët në rrugë? Ku ishit ju kur digjeshin redaksitë? Gazeta Koha Jonë u dogj në mes të Tiranës nga njërëz të Shërbimit Informativ, të SHIK-ut. Ku ishit ju? Ku ishit? Kjo nuk është Shqipëria që duam, kjo nuk është as politika që duam. Ky nuk është morali që ka sot nevojë shoqëria. Po nëse ka një problem me median e lire – hajde bujrum le ta flasim. Këtu jemi të gjithë. Mes jush ka gazetarë, që kanë qenë gazetarë dhe sot politikanë profesionist dhe mund të flasim ditë natë për lirinë e medias…”
Kjo deklaratë është thënë nga ministri i brendshëm i qeverisë Rama. Dihet se natën e 2 marsit 1997, duke gdhirë 3 marsi nga ora 02.00 oficerë të Sherbimit Sekret Shqiptar sëbashku me pjestarë të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit hynë dhunshëm në redaksinë e gazetës “Koha Jone”, morën gazetarin Zamir Dule, i cili flinte në bodrumin e redaksisë dhe shoferin e gazetës Anesti Nikolla. I rrahën dhunshëm dhe në mënyrë shtazarake. Me pas i vendosën zjarrin redaksisë së gazetës së parë të pavarur në Shqipëri, duke shkrumbuar gjithçka dhe qëlluar me automatik zyrat e katit të parë dhe tabelën “Koha jone”. I dërguan Zamir Dulen dhe Anesti Nikolla në qelitë e komisariatit numër tre në Tiranë, duke lenë pa ndjenja gazetarin Zamir Dule, i cili që prej asaj nate ka mbetur me pasoja jete, çka iu dha pension i përjetshëm nga ish-kryeministri Nano në vitin 2003 për shkak të rrahjes natën e 3 marsit 1997.
Por deklarata e sotme e ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, ndonëse duhet lavdëruar për kurajon shtetrore dhe qytetare sepse tha publikisht në parlament një fakt të vertetë e të dhimbshëm se çka ndodhur 19 vite me parë ndaj medias së pavarur “Koha Jone”, porse të bën përshtypje se si ministri i brendshëm thotë një të vertetë, e përdor edhe politikisht kur është puna për të sulmuar ish-kryeministrin Berisha, dhe nga ana tjetër kur vjen puna për në gjykatën e Tiranës, ku po gjykohet kjo çështje, përfaqësuesi i kryeministrisë dhe sidomos Avokatura e Shtetit thotë, pa pikë turpi thonë se “nuk e ka djegur shteti i Berishës”!!
Gazeta “Koha Jone” ka 19 vite në prokurori e gjykata për të vendosur drejtësi për djegien e redaksisë së “Koha Jone”, dhe akoma nuk është dhënë drejtësia. Në gjyq me padi të “Koha Jone” janë palët që shkaktuan dëmin dhe krimin makabër ndaj redaksisë me të madhe shqiptare, pra Keshilli i ministrave, ministria e brendshme dhe e mbrojtjes,etj. Në gjyq pala qeveritare e Ramës (pasi e Berishës nuk mund të pranojë krimin se e ka bërë vetë) deklaron me shkrim se nuk ka përgjegjsi shteti, nuk e ka djegur shteti, etj vetëm që të mos jap 1 lekë dëmshpërblim. A ka me turp edhe për këtë qeveri, e cila në vitin 1997 ishte në opozitë si PS, që në gjyq thotë se nuk ka përgjegjsi shteti, ndërsa në parlament e në media thotë se “SHIK-u dhe Berisha e dogjën”?
A janë në një qeveri Ministri Tahiri dhe Avokatja e Shtetit Alma Hicka? Apo kur vjen puna për të mos dhënë drejtësi Avokatja Hicka përdor faktet e qeverisë Berisha?
Një pyetje publike:A ju vjen turp zonjusha Alma Hicka? Apo turpi hahet me bukë qeverie?! Nëse ministri i brendshëm Saimir Tahiri thotë një akuzë të tillë, natyrisht që e mbështet në fakte, pse Alma Hicka shkruan një mashtrim, duke e ditur se po shkel ligjin dhe nuk pranon të vertetën e ministrit Tahiri? Ministri Saimir Tahiri do të bënte mirë të shkonte në gjyq dhe t’ia thoshte trupit gjykues.
Nuk mjafton vetëm parlamenti zoti ministër, pavarësisht se patët kurajon ta pohonit se ishte shteti që dogji redaksinë me të madhe të atyre viteve.