Kush do jetë Kryeministri?

 

Nga Spiten Prulli.

Rreth 6 muaj para zgjedhjeve parlamentare, Edi Rama ka larguar çdo dyshim që mund të jetë brenda vetë radhëve të socialistëve për të ardhmen e qeverisjes. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për zhvillimin e turizmit me Bankën Botërore, Rama tha se do të jetë serish kryeministër pas vitit 2017. “Sot, mund të numërohen rreth 51 mijë të punësuar në sektorin e turizmit, në 2015, ende nuk kemi një shifër përfundimtare në 2016-ën, por, padiskutim që ne mund të shkojmë deri në 250 mijë të punësuar në 2025-ën dhe objektivi ynë është që të jemi 100 mijë plus deri në 2021-shin, që, jo rastësisht me fjalën time, përkon edhe me mbylljen e mandatit të dytë qeverisës, për të cilin askush nuk ka dyshim se do ta ushtrojmë me përgjegjësinë më të plotë”,- u shpreh kryeministri Edi Rama. Nga toni i zërit dhe mimika e fytyrës tregonte vendosmeri se ai do të vazhdonte deri në vitin 2021.

Zgjedhjet parlamentare do të jenë me 18 Qershor 2017. Akoma nuk dihen përbërjet e  koalicioneve, nuk është konturuar “Poli i Tretë” i cili herë ideohet dhe herë shuhet, nuk ka sondazhe të sakta etj, por kryeministri i sotëm Edi Rama deklaron prerë dhe pa e vënë fare në dyshim se ai do të jetë kryeministri i pas zgjedhjeve 2017. Ai është i bindur se kështu mendojnë edhe të tjerët. Por a e ka pyetur LSI-në? A e ka të sigurt fitoren vetëm, nëse nuk ka LSI-në ? Apo e tha për presion ndaj PD-së? E nxori qëllimisht këtë togfjalësh për të karikuar militantët e tij apo për t’i thënë partnerit koalicion, Ilir Metës që e kam vendosur “shishen e qumështit” në radhë që tani. Nëse e tha kaq i bindur atëherë mund të ketë rënë dakord me LSI-në që të jenë prapë në koalicion dhe kanë ndarë postet: Njëri President Republike dhe tjetri Kryeministër.

Por akoma nuk ka folur Ilir Meta. Po e tha LSI, quhet e mbyllur. Ndërkohë teatri politik ka edhe aktorë të tjerë. Është dhe Ben Blushi. Ndërsa ish-deputeti Kokëdhima po gërryen boll tokë socialiste me lëvizjen e tij në bazën e majtë duke e futur “dheun socialist” nëpër lumenjtë e aleatëve të PS-së. Përballë Ramës, kreu demokrat Lulzim Basha po luan mirë me hapjen e PD-së, çka nëse e realizon, ka të gjitha shanset për të marrë me tepër deputetë se sa mendon Edi Rama me sondazhet e tij.

Gjithsesi Edi Rama e tha atë që mendon. Deri këtu mbetet i sinqertë në idetë e tij për ta mbajtur qeverinë deri në vitin 2021.

Garancia e Edi Ramës dhe Partisë Socialiste që të hyjnë të qetë në zgjedhje dhe me fitoren gati në tavolinë është Lëvizja Socialiste për Integrim. Por nga kjo forcë politike nuk ka asnjë qëndrim të prerë për hyrje në koalicion, ashtu siç nuk ka asnjë deklaratë që të faktojë të kundërtën, pra se koalicioni nuk do të vazhdojë. Në gjithë qëndrimet e LSI-së gjatë muajve të fundit, indirekt dhe direkt ka apele për të marrë vendime më të matura lidhur me ligjet dhe reformat e qeverisë. E njëjta gjë ishte dhe dje, kur kreu i Kreu i Kuvendit dhe aleati kryesor i koalicionit, Ilir Meta tha se miratimi i ligjit të importit të mbetjeve ishte një çështje e nxituar. Ligji u miratua me vetëm me insistimin e fortë të PS në Kuvend. Aktualisht ligji është kthyer në parlament nga Presidenti Nishani. Sinjali i dhënë dje nga Meta parashikon se rivotimi i tij në seancë mund të jetë problematik për koalicionin. Pra indirekt Meta i tha Ramës se pa votat e mija nuk miraton dot një ligj e jo më të ribëhesh prapë kryeministër. Janë “vëllëzër” të dy, porse sejcili për hir të së vertetës rri me veshët majë krahut e me sy hapur në errësirë. Kaq shumë besë kanë ndaj njeri tjetrit! Ish-deputeti Kokëdhima, ish-mik i Ramës dhe figurë problematike në selinë rozë, ka deklaruar se ka qenë PS-ja e pabesë me LSI.

Në këtë situatë, kur aleati kryesor i koalicionit ka rezerva për punën e qeverisë, deklarata e Ramës për mandatit të dytë nuk dihet nëse vjen nga sinjalet e një marrëveshje të re për koalicionin, apo është një deklaratë për të qetësuar mbështetësit.

Sido të jetë duhet, sëpari, të fitojnë zgjedhjet në qershor 2017. Deri atëhere shumë  uji do ketë rrjedhur dhe nuk dihet se si lëvizë elektorati.Mundet të mos ketë hatërmbetje se cili do jetë kryeministri 2017-2021, sepse nëse fiton opozita i mbetet të kujtojnë perrallën “ Na ishte dikur …. “!

Në LSI nuk thanë gjë për deklaratën e Ramës. Një anëtar kryesie në këtë parti, i pyetur nga “Koha Jone” tha se nuk kishte patur kohë ta dëgjonte kryeministrin pasi po merrej me takimet në bazën e LSI nëpër rrethe.

 

SHKARKO APP