Kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm?
Skenari i tretë është kombinimi i votave të njërës prej partive të mëdha me ato të LSI dhe PDIU. Nëse asnjëra nga partitë e mëdha nuk merr 71 vende dhe LSI apo PDIU marrin aq mandate sa i duhen njërës për të krijuar qeverinë, atëherë qeverisja mbetet në dorë të tyre. Pra në këtë skenar, pyetja është, kujt do jenë të gatshëm Meta…
Nga Blendi Fevziu
Kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë? Kjo pyetje e cila ka marrë gjithnjë përgjigje në këto 27 vite me rezultatin e zgjedhjeve duket këtë herë më e komplikuar. Hapja e betejës elektorale dhe sidomos mungesa e koalicioneve, për herë të parë në Shqipëri mund të krijojë një situatë ndryshe. Një situate ku Kryeministri nuk është produkt i rezultatit direkt, por i kombinimit të numrave. Diçka e ngjashme me Maqedoninë, ku Gruevski fitoi zgjedhjet, por kjo fitore nuk ishte e mjaftueshme për ta ulur në zyrën e kreut të ekzekutivit.
Po cilët janë skenarët e mundshëm? Çfarë kombinimesh të natyrshme mund të vihen në lëvizje dhe cilat janë shanset reale për secilin. Nuk ka asnjë dyshim që deçiziv do të jetë rezultati i zgjedhjeve dhe ajo parti që do të renditet e para. Po i marr një nga një skenarët.
Mundësia e parë është që një parti t’i fitojë e vetme zgjedhjet. Pra të dalë nga votimi me 71 vende në parlament dhe të ketë sipas kushtetutës të drejtën që të formojë qeverinë. Ky është skenari ideal, po më pak i mundshëm. Në këtë skenar mund të llogaritet vetëm PS ose PD, pra dy partitë e mëdha. Por duket e vështirë. Më 2009 në kulmin e saj, PD mori vetëm 70 vende në parlament, ndërsa në 2013, po në kulmin e saj, PS mori vetëm 66. Asnjë nga dy forcat nuk duket në situatë më të favorshme se sa atëherë ndaj skenari i një force me 71 vota mbetet mundësi teorike, por praktikisht e vështirë.
Skenari i dytë është që PS dhe PD t’i bashkojnë votat. Ashtu siç është komentuar së fundmi, marrëveshja Rama – Basha shihet edhe si një angazhim bashkëqeverisjes pas zgjedhjeve të 25 Qershorit. Në këtë rast, formula është e qartë. Partia e parë merr Kryeministrin ndërsa qeveria ndahet thuajse barabartë mes dy forcave kryesore. Ky koalicion i gjerë, që ka funksionuar në Kosovë apo Serbi në rajon, duket pak i vështirë sepse e lë vendin pa opozitë. Në Gjermani, ku kjo formulë është ende në fuqi, institucionet indipendente janë shumë më të forta dhe zbatimi i ligjit po ashtu.
Skenari i tretë është kombinimi i votave të njërës prej partive të mëdha me ato të LSI dhe PDIU. Nëse asnjëra nga partitë e mëdha nuk merr 71 vende dhe LSI apo PDIU marrin aq mandate sa i duhen njërës për të krijuar qeverinë, atëherë qeverisja mbetet në dorë të tyre. Pra në këtë skenar, pyetja është, kujt do jenë të gatshëm Meta dhe Idrizi t’i japin votat e tyre për ta bërë Kryeministër? Ramës, me të cilin qeverisën këto 4 vite, por që duket se janë ndarë në mënyrë nervoze, apo Bashës, me të cilin kanë pasur një marrëdhënie distante. Meta duke qenë President mund t’ja japë votat e tij Bashës për të ndëshkuar Ramën. Sepse Ramën e mendon më të fuqishëm dhe më të pakontrolluar se sa Bashën.
Gjithsesi, të gjithë këto janë thjeshtë skenarë. Por një gjë është e sigurtë, kombinimi i pas zgjedhjeve do jetë më i veçanti dhe më ndryshe nga gjithë kombinimet e tjera që kanë prodhuar zgjedhjet në Shqipëri. Dhe këto do të jenë zgjedhjet e para, ku gjithsecili, do të marrë atë që meriton!