Kush do të përgjigjet për dështimet e ministres së Arsimit?
Nga Herion Mesi
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini tha dje se nuk ka ndërmend të rrijë në qeveri, as të bëjë fushatë për PS, bile do të kthehet në Kosovë.
Më shkoqur dhe më hapur nuk ka folur asnjë ministër i Ramës prej disa vitesh.
Pasi mori në dorë ministrinë më të rëndësishme të Shqipërisë, pasi ky dikaster ka fatet e brezit të ri në dorë, tashmë ajo ikën me një varg dështimesh në arsim. Fatura natyrisht i shkon PS-së.
Kryeministri kishte plot mundësi në përzgjedhjen e emrave profesionistë dhe të majtë, që natyrisht ka me shumicë në PS, por zgjodhi me kokëfortësi Besën. Ajo nuk është grua e keqe, përkundrazi. Por e paaftë! Dhe shkatërroi arsimin.
Tani ajo tha se do të ikë dhe do shikojë punët e saja në Kosovë.
Mirëboll!
Por këto që la pas kush do të përgjigjet? PS-ja, Rama apo ajo?!
Në fakt emrat që solli një analist kosovar te kryeministri Rama në kabinet rezultuan një dështim total. Bile turpëruan edhe elitën kosovare.
Edhe te Kultura vazhdon një bukuroshe, por që nuk është për atë ministri.
Edhe te ministria e Jashtme solli djaloshin simpatik që me shumë e ka mendjen te flokët dhe të bëjë fotografi me të huajt, se sa të bëjë diplomaci!
Ndaj, pasi e përdoren karrigen e ministrit, ata po ikin duke e treguar gjithë degradimin e sofrës Rilindjes. Më mirë kështu, se sa t’i bënin ndonjë gafë më të madhe kryeministrit tani që ka më shumë nevojë ikje me nder, sepse humbja po troket.