Kush e “vrau” Ilir Metën?

 

Nga Andi Bushati.

Po bëhen dy ditë që nga koridoret e LSI-së po sponsorizohet një pandehmë sikur Edi Rama dhe krerët e lartë socialistë i kanë prerë në besë aleatët e tyre. Duke krahasuar rezultatin e mirë në votën për këshillat bashkiake me dështimet e turpshme të kandidatëve në disa prej epiqendrave të betejave të saj (Lezhë, Vorë, Kukës, Pogradec, Mallakastër) LSI-a i është futur kërkimit të një kali Troje. Flitet për sms sekrete, për urdhëra okultë që i kanë penguar socialistët të votojnë për aleatët e tyre.

A është e vërtetë?

Për këtë mardhënie të ndërlikuar mes dy vëllezërve armiq të së majtës vështirë se dikush mund të vërë bast. Ai nuk është as një pakt programor, as një raport luajal. Eshtë një mardhënie ku gjithkush mund t’ia fusë gjithkujt. Por duke mos pasur fakte të kësaj “mungese besnikërie” për të analizuar këtë dilemë, ia vlen më mirë ti hedhësh një sy të shpejtë episodeve të së shkuarës. Ato përmblidhen të gjitha në një pyetje: A ka të drejtë Ilir Meta të shohë armikun pas dere dhe të çuditet se aty-këtu socialistët nuk e paskan votuar?

Në fakt normalja do të qe të ndodhte pikërisht kështu. Sepse një socialist që e ka dëgjuar Ilir Metën në fushatën e vitit 2009 të kërkonte votën duke premtuar se do të shporrte “Sali Gërdecin” dhe duke u betuar në çdo studio televizive: “kurrë me Berishën”, nuk mund ta harrojë lehtë dashurinë e tij 4 vjeçare me doktorin. Sepse një socialist që e ka parë nga ekrani i tij i zemrës, Top Channel, zv kryeministrin me bllok në dorë, nuk i shqit dot ato pamje nga mendja. Sepse një socialist i shokuar nga të vrarët e 21 janarit, që e ka dëgjuar Metën të fliste për “kokëpalarë” me zor mund ta kapërdijë këtë. Sepse një socialist që ka votuar historikisht të majtën dhe e sheh veten edhe sot të papunë, në një kohë që LSI-a ofron modelet e drejtoreshës Tabaku dhe drejtorit Xhuvani, e ka vështrirë të votojë për një përfaqësues të tyre.

Pra ka një mijë e në arsye se pse një socialist i vërtetë të mos votonte për njerëzit e Ilir Metës. Dhe fakti që shumëkush e ka bërë duke ndjekur urdhërin, lidhet më tepër me atavizmin 70 vjeçar për t’iu bindur qorrazi partisë, sesa me ndryshimin e opinionit të tyre për LSI-në edhe Ilir Metën.

Përpos këtyre arsyeve të mosvotimit nga socialistët fanatikë, refuzimi për të mbështetur njerezit e Metës, në disa gara kryesore, ka edhe shkaqe të tjera. Kështu në Lezhë me gjithë aftësitë menaxheriale, ishte e vështirë të kapërdiej më Viktor Tusha, i cili ishte mbështetur fillimisht nga PS-ja (2007) pastaj nga PD-ja (2011) dhe tani sërish nga PS-ja. Një kameleonizëm i tillë patjetër që një ditë ndëshkohet me votë. Ashtu sikurse votuesit e Vorës ditën të dënojnë me votë arrogancën, dhunën dhe brutalitetin që u demostrua para syve të tyre. Ashtu si ata të Pogradecit ditën ti ndajnë mirë preferencat politike nga ato erotike. Ashtu si ata të Mallakastrës, që dashuria e dikurshme për një ish kryeministër, nuk i bën dot të votojnë për kopjen e zbehtë të tij.

Pra ka më shumë se një mori faktorësh që kandidatët e LSI-së i humbën me turp betejat kryesore në vend. Dhe e gjitha kjo ka një shpjegim.  Kjo parti nuk bëhet dot shumicë askund. Ajo mund të joshi me klientelë, mund të blejë me para, mund të popullohet me të fortë, mund të krijojë rreth vetes një masë amorfe, pa ideologji, pa besim, pa shtyllë kurrizore dhe mund t’ia arrijë më së miri të bëhet përfaqësuesja e këtyre të gjithve sëbashku. Ajo mund ta rrisë këtë masë votuesish që besojnë vetëm tek përfitimi i momentit deri në një pikë shumë të lartë. Por ajo s’mund ta shndërrojë kurrë këtë masë pa aspirata, në një shumicë të kësaj shoqërie, në një shumicë të qyteteve dhe bashkive tona. Ky po shndërrohet në problemin më të madh të LSI-së, ajo po bëhet përfaqësuesja e atyre grupimeve që pjesa më e madhe e komunitetit (të majtë dhe të djathtë qofshin) i sheh me distancë dhe përçmim. Dhe ky nuk është rasti i parë që ndodh kështu. Edhe këto zgjedhje lokale u riprodhua i njëjti fenomen si katër vite më parë, kur në aleancë me PD-në, LSI-a i humbi gjithëashtu qytetet e mëdha. Besoj se as atëhere nuk e ka tradhëtuar Berisha dhe as këtë radhë nuk e ka tradhtuar Rama. Në të dy rastet e kanë dënuar votuesit.

Prandaj zërat e përhapur se kandidatët e LSI-së i kanë vrarë pas shpine, janë pak të besueshme. Natyrisht pa vënë dorën në zjarr për xhelozitë mes të majtëve, pa mohuar çdo lloj lufte mes llojit brenda tyre, është e vështirë që të besosh se kandidatët e Metës janë tradhëtuar nga një urdhër apo nga një sms. Me shumë gjasë ata janë “tradhëtuar” nga vetë mënyra e të qenit e LSI-së, nga luzma e njerzve që ajo ka mbledhur, që janë faktori kryesor se përse ajo nuk bëhet dot shumicë.   

SHKARKO APP