Kush ia ka çuar “mesazhin” e tritolit Tahirit dhe Ramës
Krimi në Shqipëri ka shënuar sot një nga kulmet e tij duke arritur të kërcënojë hapur dhe në mënyrë të bujshme, vetë ministrin e Brendshëm dhe pse jo edhe kryeministrin Edi Rama. Ky është rasti i parë kur familja e një zyrtari kaq të lartë terrorizohet me shpërthim tritoli. Vetë kryeministri e ka lexuar këtë ngjarje si një akt terrorist që i shkon si mesazh ministrit Saimir Tahiri dhe qeverisë, duke deklaruar se ata nuk do të tërhiqen në luftën kundër krimit.
Por kush ka qenë i interesuar t'i dërgojë një mesazh të tillë Saimir Tahirit? A ka qenë ky mesazh edhe për kryeministrin Rama (një sasi tritoli e pashpërthyer u gjend nga policia pranë banesës së nënës së Edi Ramës)? Po oficeri i lartë i policisë, Alfred Numani, përse u paralajmërua gjithashtu me një shpërthim të fuqishëm tritoli? Çfarë mund t'i lidhë këto akte me njëra- tjetrën?
Nuk ka dyshim, që ashtu siç thotë kryeministri, këto janë një kërcënim i urdhëruar dhe ekzekutuar nga krimi. Por Edi Rama duhet të kuptojë që ky nuk është një rast për të bërë politikë. "Kemi çelur epokën e re të ndarjes së shtetit nga krimi dhe të luftës dinjitoze pa ndalim e as tolerancë të shtetit përballë krimit", shkruan Rama në facebook për të mos humbur mundësinë për të bërë propagandë edhe në një ditë të zezë si kjo. Por pikërisht bërja politikë edhe me rendin publik dhe mosndarja e shtetit nga krimi, janë shpjegimi i gjithë kësaj që po ndodh.
Kryeministri Rama dhe ministri Tahiri e kthyen luftën kundër krimit në një betejë propagandistike, banale dhe tërësisht të politizuar duke bërë krahasime me përqindje për numrin e viktimave apo sasitë e kapura të drogës. Përballë ngjarjeve të rënda si atentatet e shumta me tritol, vrasja e një bankieri në zemër të kryeqytetit, sulmet me armë të bandave kriminale, avioni i drogës në Divjakë, fabrika e kokainës në Xibrakë, eleminimet mafioze, etj, kryeministri dhe ministri kanë patur si rrugëdalje ose "fajin e ka Saliu" ose se bandat po lajnë hesapet me nxitim se do vendoset shteti ligjor dhe më pas nuk do të kenë mundësi të vrasin njëri- tjetrin.
Kjo mënyrë e trajtimit të situatës kriminale në vend është pak të thuhet se është amatore. Strategjia se, me Saliun apo me idiotësi si ajo e larjes së hesapeve, do të mund të kapërcehet paaftësia dhe kriminalizimi i strukturave të larta të rendit, është thjesht një iluzion. Kryeministri Rama duhet ta shohë këtë situatë të rëndë që po i ndodh në një vit e gjysëm si pasojë e qeverisjes së tij dhe jo të sillet si drejtoresha e QSUT që përgjegjësinë e shkarkon atje ku nuk mund të jetë më. Edi Rama duhet të dijë se rendi dhe lufta kundër krimit nuk bëhet me fushata gjobash apo burgosje të shkelësve minorë të ligjit. As me lënien e kopilit në derën e pushtetit të shkuar. As me sulmet kundër mediave. Ajo fillon që nga emërimet e drejtuesve të policisë, që në pjesën më të madhe janë persona me lidhje të dyshimta me botën e krimit. Fillon edhe atëherë kur kriminelë që dyshohet se kanë suport politik nuk lihen të lirë të bredhin rrugëve të armatosur por futen në burg, aty ko sot janë ata që kanë vjedhur ndonjë kabëll të energjisë.
Mbi të gjitha, si Edi Rama ashtu dhe ministri i tij, e kanë të qartë se njerëz të botës së krimit që i kanë përdorur për të siguruar vota dhe i kanë shpërblyer ose duke i futur në politikë ose duke i bërë "biznesmenë", janë aty si pjesë e tyre dhe si dëshmi e kapjes së pushtetit të ri. Nga kjo pjesë nuk shkëputesh dot me deklarata boshe politike dhe hiletë e lënies së përgjegjësisë jetime. Shpërthimi i tritolit sot, ishte një kujtesë për këtë.
Tri ngjarjet sot në Tiranë ishin vërtet një mesazh për Tahirin dhe Ramën, por jo se këta po luftojnë krimin pa kompromis. Por se kanë bërë kompromis me këdo në emër të pushtetit dhe për këtë nuk mund ta ketë fajin Saliu.(marre nga lapsi)
T.Çela