Kushtrimi i Monikës:Të largojmë kryeministrin!

-Ndërkohë mazhoranca ka rritur dje sulmet ndaj Presidentit të Republikës, duke mos u marrë fare më PD-në. E gjithë strategjia dhe bateritë e kryeministrit janë drejtuar ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Pritet reagimi i fortë i lidershipit opozitar Lulzim Basha në lidhje me strategjinë e opozitës, i cili ka deklaruar vitin e kaluar se nuk do të hyjnë në zgjedhjet vendore me kryeministër Ramën dhe se populli opozitar do ta largojë në 6-mujorin e parë të vitit 2019.

Pas gjashtë vitesh qeverisje një verifikim i thjeshtë i fakteve e rendit Shqipërinë në vendin që ndodhet shumë larg integrimit në BE dhe me institucione drejtësie të kapura totalisht nga mazhoranca. Sot kabineti “Rama” është përfshirë nga skandalet e mëdha të korrupsionit që arrijnë deri në nivelet më të larta të tij. Ndërsa institucionet nuk reagojnë kurrë për korrupsionin qeveritar dhe as për ngjarje gati terroriste si rrahja barbare e vajzave studente që protestojnë për kushte më të mira në arsim. Në këtë situatë, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi kërkoi dje nga gjithë shoqëria shqiptare dhe opozita reagimin mbarëqytetarë për të detyruar kryeministrin Edi Rama që të largohet.

Në Konventën Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kryemadhi u shpreh se vendi ndodhet në emergjencë dhe detyrë e gjithë qytetarëve është që të ndalojnë vazhdimin e një qeverisje antikombëtare dhe kriminale, theksoi ajo. Kryetarja e LSI-së deklaroi se qytetarët nuk duhet të shohin më përkatësitë politike, por duhet të bashkohen në një front të përbashkët për të shkurtuar ditët e një qeverisje të tillë. “Sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë për lëvizje, ashtu siç kemi edhe emrin Lëvizja Socialiste për Integrim, le të kthehet Lëvizja e Solidaritetit Kombëtar për Shqipërinë. Të gjithë ti japim dorën demokratit, socialistit, ballistit dhe komunistit, legalistit, të krishterë dhe mysliman; të bashkohemi të tërë për një kauzë, për kauzën e vendit tonë, për kauzën e Shqipërisë sonë, për kauzën e familjes sonë. Vetëm kështu ne mund ti bëjmë ballë këtij uzurpimi nga e keqja që i ka bërë Shqipërisë. Ky uzurpim i mallkuar, ky uzurpim ka vetëm një rrugë për ta shkatërruar: bashkimi i të gjithë shqiptarëve për ta përmbysur dhe për ta rrëzuar, duke qenë ne politikanët të parët dhe populli me ne”,- deklaroi kryetarja e LSI.

Jo rastësisht, Monika Kryemadhi zgjodhi të mos flas për individin Edi Rama, por për ato probleme që i ka sjellë vendit qeverisja e tij. Kryemadhi renditi gjithë premtimet që qeveria “Rama” ka bërë nga viti 2013 dhe deri më sot. Dhe krahasimi me shifra i premtimeve elektorale të qeverisë “Rama” nxjerrë në pah realitetin ku jetojnë sot shqiptarët. Realiteti është i hidhur si për opozitarët ashtu dhe për anëtarët e Partisë Socialiste që janë në pushtet dhe qytetarë e tjerë. Ndaj dhe bashkimi për të rrëzuar qeverinë, sipas kryetares së LSI, vjen si një domosdoshmëri për të shpëtuar vendin. Jo rastësisht dhe slogani që LSI ka zgjedhur për fushatën e ardhshme elektorale është “Shqipëri, shtëpia juaj”. Është një thirrje jo vetëm politike, por një mesazh për të rinjtë që duan të largohen nga vendi pasi nuk shohin më mundësi jetese me këto kushte, por edhe një apel për të gjithë shoqërinë për të reaguar për mënyrën sesi po drejtohet vendi.

Në thirrjen e saj për qytetarët, Kryetarja e LSI deklaroi se reagimi ndaj kësaj qeverie nuk është çështje politike, por detyrim kombëtar. Ajo përmendi gjithë kategoritë sociale që këto dite po reagojnë duke nisur nga banorët e Unazës së Re, studentët dhe naftëtarët. Kryetarja e LSI tha se qytetarët, LSI dhe gjithë opozita duhet të ngrihet dhe të protestojë jo e vetëm për këta, por edhe për gjithë shoqërinë që ndodhet në momentet më të këqija. “Detyrimi im kombëtar është që jo vetëm të mbrojmë ata studentë, por ne Fier të bashkohemi dhe të mbrojmë naftëtarët. Në Bulqizë të ngrihemi, të bashkohemi dhe të mbrojmë minatorët. Në Durrës, Lezhë e Vlorë të ngrihemi dhe të mbrojmë peshkatarët. Në Sarandë e kudo të ngrihemi e të mbrojmë të gjitha bizneset, të cilat gjobiten dhe falimentohen për shkak të konkurrencës së pandershme edhe pse ata punojnë vetëm dy muaj në vit, qeveria jonë i masakron me taksa”,- deklaroi Kryetarja e LSI.

Mbledhja e Konventës së LSI, e para për vitin 2019, paralajmëron nisjen e një viti të tensionuar politik. Ndërkohë mazhoranca ka rritur dje sulmet ndaj Presidentit të Republikës, duke mos u marrë fare më PD-në. E gjithë strategjia dhe bateritë e kryeministrit janë drejtuar ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Pritet reagimi i lidershipit opozitar Lulzim Basha në lidhje me strategjinë e opozitës, ku kanë deklaruar vitin e kaluar se nuk do të hyjnë në zgjedhjet vendore me kryeministër Ramën dhe se populli opozitar do ta largojë në 6-mujorin e parë të vitit 2019./Q. Xhani/

SHKARKO APP