Lazarat a Kumanovë?!

 

Nga Frrok Çupi.

… Ra ky mort e u desh të shihemi sy më sy "çfarë po bëhet kështu me ne?!". Me sa duket një hije e të keqes po lëvviz në trevat e banuara nga shqiptarë. Hija u dynd nga Kumanova e Maqedonisë dhe u vendos në Lazarat- fshat i madh në jug të Gjirokastrës…

Në fakt ranë dy morte, pikë për pikë njësoj: I pari në Kumanovë, i dyti në Lazarat. I dyti, në Lazarat, mori jetën e një djaloshi ushtarak të forcave speciale të Policisë së shtetit, prindërit e të cilit qeveria nuk i la rehat të varrosin djalin.

Edhe në Kumanovë, edhe në Lazarat, lufta ishte me qeverinë.

Në Kumanovë, shtatë djem shqiptarë u vranë në luftimet e datës 10 maj, për arsye që askush nuk e di. U shkatërruan dhjetra shtëpi, u frikësuan përjetë fëmijët, u ngritën akuza të pavdekshme dhe qeveria maqedonase nuk lejoji prindërit që të varrosnin bijtë.

Në të dyja pikat, teksa ra ky mort, qeveritë gjetën rastin të ngrejnë kultin dhe autoritetin e tyre.

Po çfarë qëndron poshtë ujërave të ngjarjeve tronditëse që lidh dy pika ekstreme ku banojnë shqiptarë në Ballkan?

1.

A janë të barabartë armiqtë? 

Ali Pashë Tepelena, kur suliotët i dhunuan nënën dhe gruan, urdhëroi të vriteshin të gjithë. Garda me mirditorë e Ali Pashës nuk pranoi. "Jepu armë suliotëve e të dalim në betejë… nuk luftojmë, ne me armë e ata pa armë"- thanë. Në Vilajetin e Ali Pashës ndodhi që një fshat si Suli (Lazarati), me shtëpi e fëmijë, me pleq e me familjarë, prej një viti po sulmohet nga ushtria e armatosur e shtetit. Fshati, si edhe Suli dikur, u akuzua se nuk e ka mendjen në kokë, e ka të turbulluar nga hashashi(!). (Suli gjithashtu ishte tërbuar, sipas Pashait).

Ndërsa para një viti, shteti ia hoqi ilaçin e keq Lazaratit. Ky fshat ishte i përmendur për kultivimin e lëndëve narkotike, dmth., për një mënyrë të gjetur për të jetuar me një lloj pune. Shteti, me gjithë makinën e tij të dhunës, ia mori drogën, ia prishi plantacionet, dhe njerëzit që atëherë shikojnë qiellin ose pak pula nëpër oborre. Por shteti, me makinën e tij ushtarake, nuk lëvizi as ditë as natë nga fshati. Sa dilte fëmija në oborr, përpara kishte një makinë të blinduar. Sa dilte familjari në dritare, përpara shfaqeshin policë… Po pse?

Shteti u çmend, vallë?… Po atëherë, a nuk paska të drejtë individi të "çmendet" sado pak?! "Lazarati na bëri karshillëk!", tha dje Ministri i Rendit dhe i Policisë.

Dhe për këtë u derdh gjak në Lazarat. Një ushtri përballë një fshati, një shtet përballë individëve sepse individët "nuk kanë të drejtë të bëjnë karshillëk". As kjo armë nuk i lejohej njërit nga armiqtë.

Por sidoqoftë, lazaratësit, mbetën armiq të shtetit dhe shteti armik i Lazaratit. As sa Ali Pasha me Sulin nuk bëri dot shteti modern.

2.

Pse u krijua armiqësia?

– Kishim dekada që këta morën peng Lazaratin!- tha dje Ministri i Rendit, gjatë varrimit të policit të rënë.

Atëherë armiqësia datohet; është e njëjta datë që u armiqësua dikatori Hoxha me Lazaratin. Hoxha kishte lindur në Gjirokastër dhe që në nisje mësoi përrallën: "lopës jepi pak tërfil, barin tjetër mbaje në dorë se ajo të vjen pas". Sa herë e ka treguar si një metodë se si tërhiqët populli fukara… Bash pse Lazarati nuk i shkoi pas diktatorit, fshati "u mor peng" sipas qeverisë aktuale ish- komuniste.

Në Lazarat u vensos baza e Ballit Kombëtar, aty u strehuan intelektualët e studiuar në Perëndim, që nga vetë Bahri Omari- kunati armik i diktatorit. Pra kjo armiqësi ka dekada, siç tha dje Ministri i Rendit i qeverisë aktuale.

Lazarati i tanishëm e ka shtuar armiqësinë me qeverinë komuniste.

Gjatë gjithë periuudhës së Demokracisë, fshati ka mbajtur anën e partisë anti- komuniste PD. Edhe kësaj here, Lazarati votoi 94 përqind për Partinë që u krijua si anti- komuniste. Ditën pas votimit, në Lazarat befën blindat, tanket dhe dhjetra force policie. Shpwrblimi nisi. Dje në Lazarat kanë zbarkuar 400 forca policie. Vetë Lazarati tani ka vetëm 374 banorë; teprojnë edhe 26 policë për të mbuluar kokë për kokë fshatarwt: Një polic i armatosur me një fëmijë, një burrë a një amvisë. Një për një armiqtë me armiq, por shteti ka më shumë forca.

Armiqtë fshatarë po dënohen në grup, kolektivisht si gjatë gjithë kohës së diktaturës.

Armiqësia e ka bazën në sjelljen politike. Ministri tha dje se "ky ishte sulm terrorist". Me këtë mënyrë Shqipëria u vu në hartën e vendeve terroriste dhe fshati Lazarat do të zhduket si "terrorist". Kanë ngritur edhe parullën se ata tw Lazaratit janë të ISIS.

Puna është se duan të zhdukin opozitën. Nesër mbrëma mund të trokasin në derën tënde në Tiranë e do të të thonë: "Hajde me ne, je ISIS". A nuk votove për ish- komunistët?

3.

Sa i vogël ky fshat për t'i eksportuar krimin!

Po ndodhin lëvizje të frikshme me hartat, me vijat në territore, me grupimet e politikës dhe të krimit…

Përshembull, Lazarati i 5000 banorëve, tani ka mbetur me 374 banorë; madje jo të gjithë flenë natën në shtëpi, nga frika e policisë. Njëri nga të akuzuarit dje si kriminel dhe vrasës i policit, jetonte në Vlorë. Ai kishte shumë kohë që nuk kishte shkelur në Lazarat…

… Por sidoqoftë është veç një fshat. A mund ta mbajë krimin e gjithë politikës së vendit veç Lazarati?

Këtu Kuvendi është i kriminalizuar, gjë që është pranuar nga vetë Kuvendi dhe qeveria. I bie se edhe qeveria e të tjerët të dalë nga Kuyvendi, janë të kriminalizuar. Disa nga personalitetet kryesorë të shtetit, janë prezumuar si kriminelë: O të korruptuar, o vrasës, o miq me vrasës. Disa kryetarë të Bashkive u zgjodhën nga radhët e kriminelëve. Aleatët tanë SHBA dhe Bashkim i Europian nuk u dëgjuan teksa kërkonin: "Mos votoni kriminelët!"

Sa blinda e tankse do tw sulmojnw mbi kwtw krim?…

Këta vendosën që ditën mbas votimeve krimin ta transferojnë në Lazarat. Krimin e Kuvendit, të kryetarit, të ministrit, të deputetëve, të shefave, të kryebashkiakëve, të vjedhes e vrasjes, të korrupsionit e prostitucionit… O zot, sa shumë!?

A e mban dot një fshat i vogël gjithë këtë krim të ardhur nga qendra?!

Në qendër dje varrosën një djalosh polic, me një tam- tame të pashoqe, si për të festuar fitoren: "Po e dërgojmë krimin e shtetit në një fshat të përfolur!" Kjo ishte fitorja, pwr kwtw ishte në fakt ceremonia. A do ta hajë vallë Amerika dhe Europa se këta e hoqën krimin si me dorë dhe ia varën Lazaratit?

4.

Lazarat- Kumanovë dhe Rripi i Gazës.

E keqja lëviz, nëpër hartë, si e mira. Për fat, e mira është më e gjwrë. Por ja si po lëviz e keqja e shqiptarëve: Nga Mitrovica në Kumanovë; nga Kumanova në Lazarat…

Një shekull më parë, Shqipëria ishte ngarkuar me barrën e mirë të Pavarësisë; Pavarësia si një grua shtatzënë lëviste nga Prizreni në Mirditë, nga Mirdita në Deçiç, nga Deçiçi në Durrës a mandej në Vlorë…

E keqja: Një fantazmë konflikti po lëviz mes nesh.

Qeveria dhe politikanët shqiptarë e kanë qejf. Po të ketë vatra konflikti, atëherë edhe ekonomia e rrwnuar fshihet, edhe uria fshihet, edhe keqqeversija fshihet… Çdo e keqe fshihet pas vatrave që hap vetë politika.

Këta kanë nevojë për një tjetër lloj vatre alias Rripi i Gazës. Këtu qeveria shqiptare, (dhe në Kumanovë qeveria maqedonëse) po i thonë Perëndimit se "kemi nevojë të kapim terroristë shqiptarë". Prandaj po krijojnë dy gracka "të rrezikshme".

Dje kanë piketuar Lazaratin.

 

 

 

 

SHKARKO APP