Lefter Koka, “bomba” mbi Partinë Socialiste

 

-Ministri: Në PS armiku politik konsiderohet LSI dhe jo PD. Për mua nuk duhet të hyjmë në koalicion me PS në zgjedhje

Deklaratat e bëra dje nga Ministri i Mjedisit dhe anëtari i Kryesisë së LSI-së, Lefter Koka, më shumë se kritika kanë qenë “bomba” për kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste. Për gati 30 minuta intervistë në televizionin “Ora Neës”, ministri i LSI-së ka shprehur të gjitha shqetësimet për mënyrën sesi po keqfunksionon qeverisja, si po keqpërdoren institucione e vendit si Policia e Shtetit, por edhe si është katandisur koalicioni PS-LSI.

Ministri ju referua Qarkut të Durrësit, ku është zgjedhur deputet në disa mandate, për të bërë një analizë, e cila vlen për të gjithë vendin. “Bomba” e parë e Ministrit Koka është çështja aq e diskutuar e koalicionit. Pa stërhollime dhe pa iu shmangur të vërtetave që i dinë të gjithë në PS dhe LSI, ministri Koka tha se marrëdhënia mes aleatëve ka arritur në atë pikë ku Lëvizja Socialiste për Integrim shihet si armik i PS-së. Ai citoi një deklaratë të bërë nga kryebashkiaku socialist, Vangjush Dako, ku ky i fundit mësohet se ka thënë se “armiku i PS nuk është PD-ja, por LSI”. Me qëndrime të tilla, Koka tha se nuk mund të flitet më për koalicion. “Nëse shkon Vangjush Dako në strukturat e PS-së dhe thotë lëreni PD-në se kundërshtare kemi LSI-në, atëherë gjithçka ka marrë fund”,- tha Koka.

Koka tha se në Durrës ka pasur tradhti nga më të çudishmet nga PS edhe pse LSI-ja i dha Vangjush Dakos 18 mijë vota. Pas kësaj deklarate duket se ftesat e PS për koalicion me LSI në 18 qershor nuk kanë më kuptim, pasi qëndimet nuk janë më si aleatë. Koka tha hapur se ishte për të dalë të vetëm në zgjedhje, pa PS.

 “Bomba” tjetër e rëndë për Kryeministrin Rama ishte çështja e kanabisit dhe ndikimi i Policisë së Shtetit në zhvillimet politike dhe zgjedhjet e ardhshme. Ministri i Mjedisit foli hapur se ka zyrtarë policie që janë përfshirë në trafik droge dhe që e drejtojnë qytetin e Durrësit si pronë të vetën. Ai tha se këta drejtues policie do të bëjnë presione dhe gjatë zgjedhjeve. “Sot nuk ka të fortë. Do të mbajnë përgjegjësi ligjore ata eksponentë të policisë që janë bashkëpunëtorë të ngushtë të atyre që kultivojnë, por njëkohësisht loja që sapo ka nisur  për të bërë presion dhe për ta vënë policinë e shtetit në funksion të presioneve do të marrin përgjigjen e merituar”,- tha ai.  Koka tha se këta punonjës policie dhe të strukturave të shtetit mund të bëjnë presione gjatë zgjedhjeve, por paralajmëroj se këto kërcënime mund të funksionojnë me PD, por jo me Lefter Kokën dhe Ilir Metën.

Asnjëherë më parë një ministër i kabinetit qeveritar nuk ka folur kaq ashpër për koalicionin dhe ndaj segmenteve të caktuar të shtetit. Një deklarate e tillë që vjen nga aleati kryesor i PS-së dhe Kryeministrit Edi Rama është një akuzë e hapur e cila nuk mund të anashkalohet më me shprehjen “këto janë probleme normale në një koalicion”. Këto nuk janë më probleme, por luftë e hapur në koalicion për shkak se segmente të pushtetit të PS-së po përgatiten te vjedhin votat me drogë. Për sa kohë një ministër flet hapur për abuzime të rënda të Policisë së Shtetit, dhe përgatitje për presione gjatë zgjedhjeve, situata është alarmante. Politikisht, Rama u akuzua për shkelje të marrëveshjes me LSI në mënyrë të njëanshme. Ndërsa “bomba” e radhës e Kokës lidhet me faktin se i kujtoj Ramës se ose është keqinformuar nga njerëzit e tij, ose realisht e toleron vetë një marrëdhënie të acaruar me LSI.

Intervista e djeshme e Lefter Kokës i hoqi koalicionit çdo mjegull që shpërndahej nga PS dhe LSI për “probleme të vogla”. Kryeministri Edi Rama dhe Kreu i Kuvendit, Ilir Meta tashmë kanë një problem të madh përpara lidhur me të ardhmen e koalicionit dhe marrëveshjen politike që kanë realizuar.

Vetëm një vullnet i fortë dhe një rikthim sinqeriteti mes PS e LSI mund ti mbajë bashkë në qeveri dhe në zgjedhje. Në të kundërt e sigurtë mbetet se PS-ja e humbet qeverisjen pas zgjedhjeve.

Ka edhe pak kohë që gjërat të mos trashen mes tyre, ndaj nëse nuk bien dakort që të korigjojnë në këto pak javë, përballja do jetë jo mes PS-LSI e PD-së, por mes Metës dhe Ramës. Përballja do jetë fatale, të paktën për njerin…

SHKARKO APP