Lehaqentë!
Ka marrë një kthesë të çuditshme historia e një përplasje bandash, para pak ditësh, në Tiranë. Një personazh i “nëntokës” së Tiranës dhe i dënuar disa herë për vepra penale është kthyer në protagonistin kryesor të ngjarjeve politike në vend. Emiljano Shullazi, emri i njohur për politikanët dhe mediat për shkak të lajmeve që prodhonte gjatë fushatave elektorale si mitingprishës i aktiviteteve të socialistëve është denoncuar nga Partia Demokratike si kërcënues për Lulzim Bashën. Kreu i PD-së është marrë dje në mbrojtje, duke shtuar numrin e personelit të eskortës së tij. Në mbrojtje është marrë dhe deputetja e PD-së në Shkodër Voltana Ademi, e cila është personi që Shullazi i ka dërguar mesazhin kërcënues,sipas selisë blu, për kryedemokratin Lulzim Basha. Siç deklaron PD, Shullazi është një person që ka mbështetjen e Kryeministrit Rama, madje,edhe kërcënimi ndaj kreut demokrat mund të jetë bërë falë suportit që shefi i qeverisë i ka dhënë personit me precedentë penal. “Edi Rama ka hedhur hapin tjetër, duke frymëzuar një bandit si Emiliano Shullazi, i cili rrethohet gjithë ditën nga favore qeveritare, që të kërcënojë sërish opozitën, konkretisht mua si Kryetar i Partisë Demokratike”, u shpreh dje kreu i PD-së, Lulzim Basha. Seria e akuzuave ka vijuar nga deputetët demokratë në media dhe në rrjete sociale. Ndërsa në një reagim të pasdites së djeshme Partia Demokratike shprehet se Shullazi u lirua pas atentateve në Tiranë, pasi ka qenë një nga mbështetësit e fushatës së ministrit të Brendshëm, Samir Tahiri gjatë zgjedhjeve të fundit në Tiranë. Kryeministri Edi Rama ka reaguar dje duke i kujtuar mazhorancës se personi që e akuzojnë si të lidhur me të, dikur prishte aktivitetet elektorale të PS-së në zgjedhjet e vitit 2011. “Kur shpif ndaj tjetrit, thua gjëra që i ke bërë apo je në gjendje t'i bësh vetë!", thotë Emmanuel Kant-i,i cili më kujtohet sa herë i dëgjoj lehaqentë të shpifin ndaj meje…Është e dokumentuar se individi me rekorde kriminale për të cilin na akuzojnë, më akuzojnë – me shpifje për të cilat dy padi penale e civile janë rrugës -, ka qenë aktiv në prishjen e aktiviteteve tona elektorale në betejën e famshme të 2011 për Tiranën!”, thotë Kryeministri.
Nga pikëpamja ligjore duket se institucionet janë vënë në lëvizje dhe po trajtojnë me seriozitet një denoncim për kërcënim ndaj një prej politikanëve më të rëndësishëm në vend. Drejtuesit e Policisë dhe Prokuroria kanë nisur një hetim lidhur me dëshmitë që ka dhënë deputetja e PD-së për kërcënimin. Por një kërcënim të tillë serioz dhe të dënueshëm, Partia Demokratike po e përdor politikisht si “shans të artë” për të bërë përgjegjës Kryeministrin Edi Rama. Në 24 orë janë gjashtë deklarata të Partisë Demokratike që lidhin emrin e Shullazit me kryeministrin Edi Rama. Të dëgjosh kreun e opozitës, të deklaroj se kryeministri ka nxitur “kriminelë” që ta kërcënojnë atë me jetë duket si një ngjarje që nuk ndodh në Shqipëri, por në një nga vendet në luftë civile.As në Afrikë nuk ndodh kjo gjë e jo më të jetë e vertetë në një shtet kandidat për në BE. Kishte mundësi të tjera akuzash Lulzim Basha e jo me një akuzë e cila jo vetëm mbetet e rëndë, por nuk është e besueshme. Partia Demokratike ka plotë gjëra të tjera për të cilat mund të akuzojë kryeministrin Edi Rama. Janë premtimet e fushatës elektorale, është mungesa e reformave në drejtësi, është çështja e ndarjes territoriale, zhvillimet ekonomike dhe shumë çështje të tjera. Por ka zgjedhur të bëjë politikë me diçka që edhe vetë deputetët e Partisë Demokratike nuk e besojnë plotësisht. Është e njëjta skemë si çështja e dekriminalizimit të Parlamentit. Aq shumë u fol për këtë çështje, sa tani të gjithë mendojnë se s’ka më ligjvënës, por 140 burra dhe gra që kanë dalë nga burgu si kriminelë dhe kanë hyrë në hyrë në sallën e parlamentit. Ndonëse në këtë pikë kanë disi të drejtë, pasi deputetë me CV kriminale ka nga të dyja kampet politike. Por kur e kalon sensin e masës nuk të beson njeri. E njëjta gjë po ndodh dhe me çështjen e lidhjes së kriminelëve me qeverinë, sidomos me kryeministrin. PD ka nisur një fushatë akuzash ku përfshihet kryeministri dhe ministri i Brendshëm, njëlloj si të ishin banditë ordinerë që bëjnë pazare me banda si të “eliminojnë” kreun e opozitës. Një akuzë e tillë e bënë opozitën e sotme të duket jo serioze dhe ia heq mundësinë që çështje që lidhen me krimin dhe situatën e rendit në vend të trajtohen siç duhet.
Edi Ramën mund ta kritikojnë për njëmijë gjëra në lidhje me premtimet apo me gjendjen e ekonomisë, apo me çfarë të duan në lidhje me politikën. Por që të thuash se është i lidhur me bandat kriminale të Shqipërisë apo komandon, ose komandohet nga krimi kjo është më shumë se kriminale. Bile kështu suporton krimin në një mënyrë dinake. Lulzim Basha ndonëse është një lider ndryshe nga Berisha, përsëri duket se po kopjon mënyrën berishiane të akuzës për çdo gjë, aq me tepër në akuza që nuk i mban as dheu. Lidhja e një kryeministri me bandat apo që “merr e jep” me to mbetet një gjë jo vetëm e pasaktë, jo vetëm ndjellakeqe , por që krijon një ndjenjë frike në popull. Krijon panik, sjellë mosbesim dhe kushte psikologjike se duhet patjetër të lidhesh me një bandë që të ecësh në politikë. Dhe aq me tepër kur personi në fjalë ka qenë kundër Ramës në një palë zgjedhje elektorale ,dhe e thotë vetë kryeministri, a mos ka bërë një autogol vetë PD-ja dje pasi del se paska përdorur banda e persona me CV kriminale për të vjedhur vota kundër Ramës në lokalet e vitit 2011?! Apo është bërë xheloze selia blu se mos personi në fjalë ka kaluar me palën tjetër ! Natyrisht nëse ka fakte se ka lidhje të tilla kriminale , siç thotë PD, do të ishte skandaloze,kriminale dhe duhet të çohemi në rrugë , të gjithë. Por nuk mund të jetë e vertetë, pasi Edi Rama , mund të ketë plot gabime, por nuk është nga ato politikanë që lidhet me botë të nëndheshme. Përkundrazi . Faktet e rendit publik , ku i ka shpallur edhe personalisht luftë bandave, drogës,krimit tregojnë se është në pjesën europiane të vendndodhjes e jo në atë aziatike. Edi edhe si natyrë nuk bën kompromise me njërëz të një bote, që nuk njohin dritën e ditës, por natën e errësirës. Ai mund të gabojë në përzgjedhjen e keshilltarëve, por kurrë nuk zhytet në atë botë krimi ku duan me zor ta zhysin selia demokrate. Rama ka tjetër botë me të cilën komunikon; është në udhën e dijes dhe e njërëzve me kulturë. Por me sa duket në këtë rast ka vend për PD fjala popullore se “ mos bëni si bëj unë, por bëni si them unë!”.Natyrisht që Lulzim Basha, personalisht, nuk besohet se ka qenë pjesë e klaneve apo bandave, porse disa në selinë blu, para tij, i kanë përdorur bandat. Bile dhe në eleminime fizike, edhe në politikë. Edhe Sokol Olldashin ka gjasa se nga PD e vranë,pasi nuk ka qenë kurrsesi aksident.
Ajo për të cilën bërtet tash dy ditë PD-ja për Edi Ramën është një monstruozitet. Është një turp, pasi asnjë logjikë normale nuk mund të shkojë deri aty sa të lidhë kryeministrin e një shteti me banda, kriminelë, vrasës apo me një botë të zezë. Për akuzat e tjera ,edhe mund të kenë të drejtë, kur lidhet fjala për ekonominë apo disa premtime elektorale.
Kori i të lehurit në bllok nga selia blu dhe dirigjenti që rri në katin e 14-të të një pallati stërmadh , mu pranë TVSH,krijojnë një lukuni çakejsh që shqyejnë ç’tu dalë përpara.
Lehaqenët!