Ligjërimi që ndërtohet mbi vdekjen
Veçanërisht pas 23 qershorit, opozita politike në Shqipëri ka ndjekur strategjinë që ligjërimin e saj ta ndërtojë mbi vdekjen. Ajo ka shpallur si platformë të saj që ta paraqitë qeverinë si mekanizëm që prodhon vdekjen dhe ajo vetë në shumë raste ka marrë rolin e agjencisë funerale. Nga pikëpamja e komunikimit, është e paimagjinueshme sesi skena më e madhe e jetës shqiptare është e mbushur nga një ligjërim ku artikulohen fjalët vrasje, vdekje, eliminim. Qeveria nisi aksionin për të rivendosur në Shqipëri zbatimin e ligjit, duke marrë masa shtrënguese dhe penale për atë pjesë qytetarësh që nuk kishin paguar energjinë, që nuk kishin respektuar territorin, si dhe çliroi fshatin simbol të kanabisit në Shqipëri, Lazaratin. Opozita, në të gjitha këto raste, zgjodhi si kundërvënie vdekjen. Ajo e paraqiti qeverinë si pushtuese dhe veten e saj si frymëzim për aksionet guerile, si nxitëse për atentatorët e mundshëm apo kundërshtarët e qeverisë. Për hir të së vërtetës, pati edhe ngjarje tragjike, siç ishte vetëvrasja e banorit nga Lushnja, që prokuroria e kishte lënë në burg për mospagimin e energjisë apo edhe ndonjë rast tjetër. Natyrisht, aksionet e opozitës nuk mund t’i paragjykojë askush. Ajo është në të drejtën e saj që të zgjedhë alternativën që ajo mendon se mund ta bëjë atë më të besueshme, mirëpo projektimi i vdekjes si shenjë e jetës së qeverisë nuk i përgjigjet së vërtetës, sepse jeta në Shqipëri, pavarësisht ligjërimit politik, ka një pamje tjetër. Ajo nuk është ndër më tërheqëset, por është krejtësisht e ndryshme nga pamja që paraqitet prej ligjërimit politik. Në Shqipëri po kthehet në modë që ligjërimi publik, komentet e gazetave, kronikat, analizat për dukuri sociale apo politike të jenë të gjitha të zeza dhe të errëta. Kjo modë për ta paraqitur Shqipërinë nën kërcënimin e vdekjes dhe të shpartalluar nga krimi, hajdutët, trafikantët dhe mafiozët, në fakt, është një kulturë pak naive dhe shpeshherë është kthyer në një modë për të afirmuar një opinion që ka filluar ta mërzitë publikun. Ligjërimi i sotëm publik dhe ai politik në veçanti i ngjet ligjërimit politik të kohës së Enver Hoxhës po të kthyer mbrapsht, i ngjet propagandës së tij, por të kthyer mbrapsht. Në qoftë se në kohën e diktaturës ne kishim një instancë thënëse, pra një institucion që formulonte thënien dhe ia përcillte publikut, sot kemi dy e më shumë instanca thënëse. Mirëpo, ndryshe nga vendet e qytetëruara, ne shfaqemi ende si vijues të traditës së ligjërimit politik të mbyllur me një instancë thënëse, ashtu si në kohën e Enver Hoxhës, sepse mediat tona, pa përjashtim e ndiejnë veten ende si kanali që mund të ushqehen vetëm nga politika. Në asnjë vend të botës nuk ndodh që të shfaqet live në 99% të stacioneve televizive, çdo të enjte, seanca parlamentare ose skena, ku artikulohet drama apo tragjikomedia që ka për personazhe dy aktorë, opozitën që artikulon vdekjen dhe pozitën që mbrohet dhe hedh batuta. Shqiptarët, vështruar në këtë prizëm, nuk jetojnë në demokraci, por në një sistem politik, në të cilin fjala, ashtu siç ndodhte dje në kohën e diktaturës, edhe sot është pronë e ligjërimit politik agresiv dhe ka karakter totalitar. Ajo përcakton edhe llojet e tjera të ligjërimit, madje i dikton ato. Në Shqipëri nuk ekzistojnë forma të tjera të ligjërimit që të mundin apo të konkurrojnë ligjërimin politik agresiv. Është e njëjta gjë që ndodhte edhe në kohën e diktaturës. Vetëm me një përjashtim. Diktatura dhe diktatori e kishin ndaluar kohën dhe nuk shqetësoheshin që t’ua përsëritnin qytetarëve të tyre se cilët ishin ata, si dhe nuk nguteshin që t’u lexonin çdo ditë paranojat e tyre. Diktatori dilte rrallë në televizor dhe diktatura nuk kishte nevojë të shfaqej se ishte instaluar. Ndërkaq, asaj i interesonte argumenti i ligjërimit dhe në këtë pikë ajo nxiste format e tjera të ligjërimit, si artin, kulturën, dijen, historinë që të artikulonin ligjërimin politik për tokën e premtuar. Ndërsa politikanët e sotëm shqiptarë të postdiktaturës nuk kanë platformë, nuk kanë projekt. Ata nuk janë burra shteti që të artikulojnë në ligjërimin e tyre projektin për Shqipërinë e nesërme. Veçanërisht opozita e sotme e ka harruar fjalën Shqipëri dhe nuk artikulon asgjë që ka lidhje me këtë vend. Ajo është fiksuar pas psikozës së vdekjes dhe e sheh qeverinë si pushtuese, ndërsa veten e saj si partia komuniste në ilegalitet që përgatitet të bëjë revolucionin e madh. Por, për këtë asaj i duhet të nisë luftën guerile pastaj revolucionin e madh. Meqenëse opozita, si instanca kryesore e thënies me argument vdekjen, e shënjon veten si armike e betuar e qeverisë, ajo, në ligjërimin e saj, zgjedh gjithmonë metaforat e luftës dhe shqiptarët tani kanë filluar ta vështrojnë opozitën si një formacion luftarak të armatosur që lufton natë e ditë kundër pushtuesit qeveri. Krahas artikulimit të luftës, një pjesë e rëndësishme e ligjërimit të saj mbushet me paranojat e asgjësimit politik. Ngjarja e fundit apo skenari për të eliminuar Tomë Doshin, nisi si një aferë politike brenda mazhorancës dhe shumë shpejt apo menjëherë u kthye në një kauzë të opozitës. Pse? Sepse ajo aferë kishte në themel vdekjen dhe autorësinë për të shpjeguar, për të hetuar dhe për të zbërthyer vdekjen e ka opozita. Opozita jonë është mjeshtrja që mund të bëjë me vdekjen metafora shekspiriane. Mirëpo zelli i madh për ta paraqitur qeverinë si vrasëse dhe opozitën si viktimë, arriti kulmin pas lajmit për vrasjen e opozitarit Nemtsov në Rusi. Sipas simetrisë ligjërimore, Putini vrau Nemtsovin, edhe në Shqipëri Lulzim Bashës i rrezikohet jeta nga Shullazi, deklaroi opozita. Këtu në fakt ndodh ajo që në komunikim quhet kapërcim i domethënies informative, pra, kur informacioni, në vend që të përcjellë një mesazh tragjik, për shkak se përqaset me një paradigmë tjetër, bëhet qesharak. Ndërsa teatri që po ndërton opozita me ngjarjen që ka në qendër Tomë Doshin është më shumë se karikaturë dhe qe
sharak. Këtë radhë apoteoza e vdekjes që po përpiqet të artikulojë opozita ngjan me një monolog që të kujton Don Kishotin e gjorë, vetëm se i gjori Don Kishot paranojën historike e shkrinte në veprime dhe në një ligjëri që të gajas së qeshuri, opozita jonë e artikulon veprimin e saj në një ligjërim që po shfaq këtë vend si një areal idiot me njerëz të frustruar e të kapur peng nga makthi i vdekjes.
Nga Ilir Yzeiri