Loja e korrupsionit me Ministrinë e Mbrojtjes

 

 Beteja e nisur me shumë vrull kundër korrupsionit, sot po i kthehet mazhorancës në efekt bumerang. Për ta ilustruar këtë, mjafton vetëm një shembull dhe ai është Ministria e Mbrojtjes. Nga PS-ja u cilësua si një nga institucionet ku ishte abuzuar më shumë gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. U fol për shpërdorime fondesh, përdorim të ushtrisë për qëllime elektorale dhe akuza më e rëndë është ajo e përdorimit të aparaturave ushtarake për përgjimin e përfaqësuesve të opozitës së asaj kohe. U  nisën në prokurori dokumenta për shpërdorimin e 1 miliard lekëve nga kjo ministri në adresë të një kompanie mediatike. Gjithë mali i akuzave u formulua me një padi kundër ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami për dhënien e reklamave ndaj mediave proqeveritare. Shifra ishte e konsiderueshme dhe procedurat e ndjekura po aq të dyshimta. Nga të gjitha akuzat për abuzimin, kjo dukej se mbante peshë më shumë se të tjerat me dokumente,sipas Mimi Kodhelit. Megjithatë, çështja u pushua dhe ish-ministri praktikisht është i pafajshëm. Por ndërsa akuzat e mazhorancës u shfrynë të gjitha, historia tashmë ka nisur të përsëritet në krah të kundërt. Tashmë është Partia Demokratike ajo që padit Ministrinë e Mbrojtjes për abuzime dhe shkelje të ligjit. Ish-kryeministri dhe ish-kreu i PD-së paralajmëroi dje dorëzimin e një padie ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe drejtuesve të lartë të këtij dikasteri. Akuzat nuk lidhen me implikimin e një oficeri në trafikun e drogës, por me tenderat dhe pronat e ushtrisë. Akuzat e ish-kryeministrit jo gjithmonë meritojnë vëmendje, sidomos kur bëhen nga foltorja e Kuvendit dhe nën efektin e ngacmimeve nga deputetët e mazhorancës. Por këtë herë ajo që bie në sy është se Ministria e Mbrojtjes akuzohet për të njëjtat abuzime që dikur PS-ja akuzonte Berishën. “Në kreun e ushtrisë dominon një korrupsion i paimagjinueshëm, mjafton t’ju them juve se në tenderin e karburanteve, 150 mijë litra mbahen tek kompania në depot e saj në kundërshtim me ligjet e rregulloret dhe çdo gjë tjetër, që duhet të mbahen në magazinat e ushtrisë”, – tha Berisha. Një akuzë e ngjashme është bërë nga Kryeministri Edi Rama për ish-ministrin e Mbrojtjes, se boshatisi fondin e karburanteve për të përdorur makinat në fushatën elektorale. Akuza tjetër për shitjen apo dhënien e lejeve për biznese në pronat e ushtrisë është edhe më e përsëritur nga ana e ish-opozitës së dikurshme. Kreu i PS-së dhe deputetët e tjerë më të zëshëm për akuza kanë akuzuar Berishën se ka dhënë pronat e ushtrisë në bregdet për biznesmenë afër tij, për pronarë mediash dhe për sipërmarrës që kanë paguar gjoba tek mazhoranca e kaluar. Për ironi, kjo akuzë sot Ministrisë së Mbrojtjes i bëhet nga Berisha dhe në njëfarë mënyre, gjithë mazhorancës. “Dhjetëra mijëra metra katrorë në bregun shqiptar, pronë e ushtrisë shqiptare u janë dhënë apo janë ndarë midis krerëve të mbrojtjes apo matrapazëve të ndryshëm, dosja do të shkojë në prokurori. Pesë herë më të ulëta janë vlerat të ofruara nga “Lockheed Martin” kompania gjigande e cila ka instaluar të gjithë sistemin e radarëve të tokës dhe të detit në këtë vend. Mirëmbajtja iu besua një kompanie tjetër, e cila ofroi çmime pesë herë më të larta. Pa filluar zbatimi në kontratë me fituesin e tenderit, u nis procedura për shtimin e kontratës për shtesën e xhepit. Ministria e Mbrojtjes duhet të kontrollohet në çdo qelizë”, – tha dje ish-kryeministri Sali Berisha.

Të gjitha këto akuza vlejnë të merren seriozisht vetëm si model krahasimi për luftën kundër korrupsionit me të cilën erdhi në pushtet mazhoranca e sotme. Derisa nuk ishte e aftë të faktonte asnjë akuzë apo të ndëshkonte ata që abuzonin në institucionet kryesore, tashmë duhet të paguajë haraçin e një premtimi që s’e mbajti kurrë. Akuzat ndaj institucionit të ministres Kodheli mund të kenë dhe një tjetër motiv, atë të sulmit si një prej kandidateve të mundshme të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës. Por paralajmërimi për një dosje në prokurori ndaj Ministres është dhe hakmarrja e PD-së për akuzat e djeshme për korrupsion. Tek e fundit, ky është haraçi që Kodheli, Rama apo edhe ministrat e tjerë duhet të paguajnë ndaj premtimeve për të çuar para drejtësisë ish-kryeministrin dhe ish-ministrat e PD-së, për të cilët thoshin se kishin bërë abuzime. Dhe Rama thoshte më të madhe se “ e kemi në rrjet Arben Imamin!”. Në pamundësi për të dërguar para drejtësisë ata që akuzuan dje, loja po zhvendoset në krah të kundërt. Ministria e Mbrojtjes ishte e para që humbi luftën kundër korrupsionit, duke mos faktuar për asgjë që akuzoi. Tani duhet të kalojë në mbrojtje për akuzat. 

Nuk thonë kot në politikë se nëse nuk e rrëzon kundërshtarin kur e ke në tapet zor se i bën ballë pasi të hypë në shpinë!

 

SHKARKO APP