Loja e kryeministrit
Edi Rama për pak sa nuk e mbylli çështjen Tahiri, pas debatit publik në Këshillin e Mandatëve dhe Imuniteteve. Kjo edhe për fajin e prokurorisë e cila ra në kurthin e debatit live me Tahirin dhe krejt deputetët e PS-së në këtë Këshill. Por kapja e makinës së Sotës me 800 mijë euro cash dhe me patentat e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri e riktheu vrullshëm skandalin e Habilaj-Tahiri, sa kryeministrit Rama është turbulluar, duke e humbur pothuaj krejt shpresën e rikapjes se vetes në kuotat politike e publike. Kaq poshtë ka rënë momentalisht qeveria dhe kryeministri, aqsa edhe sondazhisti Eduard Zaloshnja, me prirje të majta, shkruan se nëse bëhen sot zgjedhjet politike, PS nuk merr dot pushtetin.
Në momentin që PD dhe LSI duhej të sulmonin fort e bindshëm, hezituan, ndonëse Monika Kryemadhi ishte më e qartë në kritikat dhe strategjinë e LSI. Gjithsesi, sëpaku u bashkuan PD dhe LSI për një strategji të përbashkët bashkëpunimi. Rasti “Tahiri” i ofroi dy partitë opozitare. Nga ana tjetër Edi Rama bëri çmos për gjetur përplasje apo sajoi të tilla vetëm që vëmendja e publikut të mos vazhdonte me Saimir Tahirin. Deri diku ia arriti me konfliktin e krijuar me gazetarët. Shumë mendje mediatike thonë se Ramën nuk e mbajtën nervat dhe shpërtheu ndaj gazetarëve, por e verteta është se atë konflikt e sajoi, e krijoi dhe e plasi pikërisht Rama me vetdije për ti futur të gjithë në një drejtim tjetër përplasje.
Në vend që media dhe politika të merren me rastin Tahiri, natyrisht që të merret vesh e verteta, Edi Rama krijon “konflikte” të tjera, mjeshtërisht. Rasti Tahiri mbetet një njollë e madhe, nëse drejtësia e jep verdiktin final kundër tij, por deri atëhere nuk duhet spostuar vëmëndja tjetërkund. Kryeministri derisa e flaku edhe nga PS tregon se ka fakte që mund të jenë shkatërruese për qeverinë dhe PS. Megjithëse ish-ministri, tregojnë burime brenda selisë rozë, ka dvd dhe dokumenta kompremtuese dhe shkatërruese për kryeministrin.
E verteta e këtij skandali duhet të dalë deri në fund. Fakti që kryeministri luan të gjitha kartat për ta shuar apo mbyllur tregon se “titaniku” sa ka filluar mbytjen, por po mundohet të hyp në varkat e shpëtimit.
Deri tani, për fajin e medias apo për mjeshtrinë e kryeministrit, Edi Rama ia ka arritur, ta spostojë paksa rastin Tahiri si një çështje publike.