Loja me “Minishengenin” nuk mbështetet nga ndërkombëtarët
Projekti i bashkëpunimit mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, i njohur me emrin Minishengeni Ballkanik ka hasur kritika që kur është prezantuar disa muaj më parë nga Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç. Kritikat kanë nisur për dëmin që mund t’i vijë ekonomisë shqiptare përballë vendeve të rajonit dhe deri te akuzat se Shqipëria po bëhet pjesë e projektit të “Jugosllavisë së Re”. Efektet e dëmshme të këtij projekti u shfaqën në datat 20-21 dhjetor në Tiranë, kur për hir të bashkëpunimit me Serbinë, Shqipëria la jashtë tryezës Kosovën dhe kryeministri Edi Rama sulmoi liderët politikë të Prishtinës. Bile kryeministrin Haradinaj e quajti mashtrues, gjë që as Vuçiç nuk guxoi ta thoshte. Përballë stuhisë së kritikave dhe qëndrimeve të forta në Tiranë dhe Prishtinë që po e akuzojnë qeverinë “Rama” se po dëmton interesat kombëtare, justifikimi kryesor i kryeministrit është se ky projekt mbështetet nga ndërkombëtarët dhe konkretisht nga Bashkimi Europian. Edhe kur sulmonte politikanët e Kosovës, edhe kur akuzonte kritikët në Tiranë se “janë patriotë facebook-u”, Rama deklaronte se kishte mbështetjen e Bashkimit Europian. Më pas, gjithë propaganda e qeverisë dhe mediave afër saj e përktheu çdo qëndrim kundër Minishengenit si qëndrim kundër ndërkombëtarëve.
Në fakt, loja me ndërkombëtarët është mashtrimi më i madh në çështjen e këtij bashkëpunimi rajonal. Mashtrimin e ka zbuluar vet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një intervistë dhënë për median serbe. Kreu i shtetit serb duke dashur të mburrë qëndrimin e Edi Ramës e cilësoi atë si një lider kurajoz. Lëvdata e presidentit serb nuk ishte vetëm për sulmet që i bëri Prishtinës, por edhe për faktin se Edi Rama po kundërshton dhe disa vende të Bashkimit Europian, të cilat janë kundër idesë së Minishengenit. Vuçiç thotë se “shumë në Europë nuk duan që Ballkanasit të vendosin për fatin e tyre, por nuk e kundërshtojnë hapur pasi bazohet në parimet e 4 lirive të Bashkimit Europian”. Veç mburrjeve ndaj Edi Ramës kjo deklaratë konfirmon se projekti Rama-Vuçiç nuk ka mbështetjen zyrtare të Bashkimit Europian. Një tjetër fakt që kaloi pa rëndësi për ketë projekt ishte mungesa e zyrtarëve kryesorë të BE-së në Durrës dhe Tiranë. Komisioneri për Zgjerimin e BE, Oliver Várhelyi anuloi vizitën e paralajmëruar për të marrë pjesë në këtë samit.
Mungesa e një zyrtari të lartë të institucioneve të reja të BE-së për këtë projekt, më shumë se anxhenda e ngarkuar e komisionerit, është një mesazh politik që kaloi pa vëmendje. Ndërsa nga institucionet e BE në Tiranë ishte vetëm Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Ginovefa Calavera. Kjo e fundit nuk dihet nëse ishte si drejtore e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) për reformën në Drejtësi, apo si drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në KE. Në intervistat që dha për median në Tiranë, foli vetëm për suksesin e paparë të vettingut në drejtësi dhe jo për minishengenin. Gjithashtu në këtë takim munguan dhe zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Diplomatët amerikanë në këtë takim edhe nëse kanë marrë pjesë qenë duket se kanë pasur statusin e vëzhguesit dhe jo të promotorëve ndaj iniciativave të tilla. Për minishengenin ka vetëm një deklaratë mbështetëse të zyrtarit të DASH, Mattheë Palmer, disa muaj më parë kur kjo ide nuk ishte konkretizuar me takime. Por fakti që i dërguari i DASH për Ballkanin nuk e mbështeti me praninë e tij këtë takim, si dhe fakti DASH nuk ka asnjë deklaratë zyrtare pro kësaj nisme ngrenë pikëpyetje për mbështetjen e SHBA.
Mediat në Kosovë dhe konkretisht gazeta “Exspress” dje publikoi një dokument që zbardhte detaje interesante lidhur me “mbështetjen” e SHBA për Minishengenin. Sipas dokumentit ka plan që vjen nga Amerika për këtë projekt, por nuk është i DASH dhe as i administratës amerikane për rajonin. Sipas mediave në Kosovë është një plan i Fonacionit “Shoqëria e Hapur”, i cili nuk përfaqëson qeverinë e SHBA, por një organizatë jo qeveritare që ka axhendën e saj.
Ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka premtuar se ka mbështetjen e SHBA dhe BE, mungesa e zyrtarëve të dy superfuqive tek të cilat Shqipëria ka mbështetur dhe strategjinë kombëtare të saj është shqetësuese. Kur në një projekt të tillë mungon Uashingtoni dhe Brukseli, nuk kemi më plane strategjike, por marrëveshje personale mes kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë. Janë marrëveshje që përveç se nuk dihet çfarë të mirash i sjellin Shqipërisë, po rezultojnë që në nisje të dëmshme për Kosovën dhe interesat kombëtare në rajon. Deri tani, kryeministri ka përkeqësuar raportet shtetërore me Kosovën, duke i çuar në nivelet më të ulëta që pas viteve ’90. E vetmja gjë që ka fituar është simpatia e serbëve dhe Aleksandër Vuçiç. Të ndezësh kritika dhe revolta në Prishtinë dhe për këtë gjë të mburresh nga serbët, vetëm kaq mjafton për të kuptuar se qeveria “Rama” është në rrugë krejtësisht të gabuar.
Mili Xhani