Lojë-lufte mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës
Prej dy ditësh “lufta” mes kryeministrit dhe kryetarit të opozitës është spostuar nga beteja në rrugë e me popull, siç pritej, në një lojë-lufte me sms, facebook, twitter, mes tyre. Deklaron Basha dhe pas pak del Rama. Shkruan prapë Rama dhe pas pak poston në facebook Basha. Prapë Basha, dhe prapë Rama! Po të lexosh se ç’shkruajnë të duket sikur nga çasti në çast do plasi lufta e tretë! Por sa pushon njeri, fillon tjetri. E kështu me radhë. Edhe mediat me vrap sa te facebook-u i njerit fap te facebook-u i tjetrit.
Nami me fjalë, a thua se pushkët janë gati! Më pas Edi Rama i përmend me kujdes se “nuk tregoj se ç’pazar kemi bërë vjet me 17 maj”. Dhe me vrik Lulzim Basha e quan “kryeminel”, “mafioz”, etj.
Në fakt po të vëzhgosh me kujdes duket sikur kanë rënë dakort për këtë lojë-lufte me kompjuter apo laptop.
Kjo është luftë Basha-Rama, sikur lozin fëmijët në kompjuter lojë lufte, ku dëgjohet automatiku duke bërë namin, por janë në luftë imagjinare.
Nëse Basha do të kërkonte popullin për të ardhur në bulevard dhe zbuar qeverinë e “krimit” dhe “mafien në pushtet”, atëhere kryeministri Rama nuk do të shkruante kështu në facebook, por do të mendonte si dikur Fatos Nano në vitin 1998, kur iku në Maqedoni.
Ndaj derisa të dy kanë ra në lojë-qejfi me “luftë facebook-u” do të ishte mirë që dhe media të mos harxhonte kohë me ta.
Lulzim Basha ka vetëm një zgjidhje: Të lë Doktorin në Facebook, pasi po bën punë të shkëlqyer në denoncimin e pushtetit, dhe të mbledhë partitë e opozitës për DITEN FINALE. Me këtë keq-qeverisje, me korrupsionin e madh, me oligarkinë që drejton vendin, me mafian bashkëdrejtuese në qeveri, me krimin e organizuar, me median e blerë, me varfërinë që po kaplon krejt shqoqërinë, me mungesën e përspektivës, pa investime strategjike, me prokurorinë e uzurpuar, etj, etj-siç thotë Basha, duhej populli të kishte hyrë në zyrën e kryeministrit. Natyrisht nuk flitet për dhunë, por për revoltë popullore.
Por akoma Basha, nuk po vendos. Megjithatë duhet inkurajuar në drejtimin e opozitës, sepse një gjë të paktën e ka pozitive: Nuk është pjesë e krimit dhe mafies. Kjo mbetet garanci e madhe në luftën ndaj qeverisë.