Ilir Meta ka një të “keqe” të pariparueshme . Nuk kemi ç’ti bëjmë!

Dje ekspertët e “pavarur” të PS-së thanë se PD-ja nuk erdhi në bisedime në nivel ekspertësh ndaj ne po e nisim draftin tonë për reformën në drejtësi për në komisionin e Venecias. Por çuditërisht nuk ishin as ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë pro variantit të tyre. Dhe po dje kjo ministri me ekspertët e saj i nisi medias dhe komisionit në fjalë një draft tjetër për reformën, i cili duket me afër realitetit dhe konsensusit. Ministri Manjani që është figurë e lartë e LSI-së  e njëkohësisht ministër i drejtësisë, e di shumë mirë se drafti i propozuar nga ekspertët e tij nuk do t’i pëlqejë PS-së e ekspertëve të saj. Por ama e ka projekt-draftin gati, i cili duket se rrëzon disa gjëra që thonë ekspertët e PS-së, të cilët i mëshojnë idesë së reforma e shumëpritur e drejtësisë duhet të kalojë edhe pa konsensusin e opozitës, pra pa numrin 93 vota që përben 2/3 e votave. Normalisht një reformë, sidomos kjo në drejtësi kërkon një aleancë e debat shumë të madh, sepse nuk bëhet çdo vit apo mandat qeverisës. Fakti që ministria e drejtësisë nxori sot si lajm se PS-ja nuk e ka marrë në shqyrtim draftin e saj tregon se kazani mes PS e LSI po zien e mund të pëlcasë, aq me tepër se mbrëmë një media gjithnjë pranë pushteteve  e risulmoi Ilir Metën për çështjen DIA-CEZ. Natyrisht që rihapja e kësaj teme për presion ndaj kryeparlamentarit në një histori të mbyllur e stërhapur e rimbyllur duket se vjen ose nga Kryeministria e Ramës ose nga dyshja  Doshi-Prifti. Dikush po investon kundër Metës për t’i bërë presion atij që të detyrohet të votojë qorrazi draftin e PS-së. Por Ilir Meta ka një të “keqe” të pariparueshme; sa më shumë i bëhet presion apo intriga, aq më i egër bëhet në raport me intriguesit, duke i çuar edhe në  rrëzim qeverie apo zgjedhje të parakohshme.

Gjithsesi drafti i ministrisë së drejtësisë, që praktikisht është i LSI, në thelb tregon se ujërat nuk janë të qeta në stanin qeverisës. Drafti i ekspertëve të PS-së që thuhet se është i mazhorancës, por po del se mazhoranca ka dy drafte! Një i PS-së dhe një i Ministrisë së Drejtësisë që mbetet i LSI. Ka edhe një të PD-së të cilin nuk e futën në shqyrtim për arësye se nuk ranë dakort ata të Ramës për votime me 93 vota. Pra dy  drafte nuk janë shqyrtuar, i PD-së e LSI-së, kurse PS-ja e ka gati, sipas saj. Por votat nuk bëhen as 84 në këto kushte e jo më 93 !

Dikush po luan për sherr, por ky “kush-i” nuk dihet nëse është Rama, Meta apo ndonjë ambasador i huaj.

 

SHKARKO APP