LSI forcë stabilizuese, paqtuese dhe vizionare
Lëvizja Socialiste për Integrim çeli dje punimet e Konventës Kombëtare Zgjedhore. Konventa mbahet pas përfundimit të garës brenda partisë, ku me parimin “një anëtar një votë” u rizgjodh Ilir Meta. Në dy ditë të aktivitetit të LSI-së do të zgjedhin forumet e tjera drejtuese, Kryesinë dhe Sekretariatin, i cili do të jetë ekipi që do drejtojë partinë në përballjen e radhës elektorale.
Fjalimi i kreut të LSI-së Ilir Meta kishte brenda mesazhet për anëtarët e partisë, por edhe për aleatët. Në mesazhet e kreut të LSI-së ishte gjithë analiza për punën e sotme të qeverisjes, sukseset dhe dështimet e koalicionit, por edhe sinjali për vazhdimësinë. Kreu i Kuvendit la të kuptohet se koalicioni qeverisës ka ende potenciale të pashfrytëzuara dhe rrugë për të bërë.
Në fjalën e tij, Meta i theksoi edhe njëherë idesë së në të gjitha marrëveshjet politike, LSI ka qenë korrekte dhe konsensuale. “Ne i kemi parë dhe i shohim vendimet tona për koalicione si një përgjegjësi shumë e madhe, para vendit, qytetarëve dhe natyrisht para anëtarësisë. Ne i kemi qëndruar besnikërisht koalicionit me PS duke qenë bashkëpunues, të hapur, moderuar, konsensual, të drejtë dhe të ndershëm në fjalët dhe veprimet tona; duke pasur si busull interesat, të drejtat dhe detyrimet ndaj qytetarëve të këtij vendi, me një orientim të qartë dhe të palëkundur evropian”,-tha kreu i LSI.
Ai pranoi se jo gjithmonë gjerat mes dy forcave politike dhe koalicionit kanë qenë pa tensione. Por theksi se çelësi i bashkëpunimit është dëgjimi dhe respekti ndaj njeri-tjetrit. “Por duhet të ketë një përpjekje të vazhdueshme për të dëgjuar njëri-tjetrin. Për të mësuar nga njëri-tjetri. Për të respektuar njëri-tjetrin dhe për të gjetur gjuhën e përbashkët. Pasi aktet ose politikat e njëanshme, të nxituara prodhojnë tensione të panevojshme, jo thjesht brenda koalicionit, por edhe me grupet e interesit. Unë vlerësoj se koalicioni ynë ka akoma potencial të lartë, por të pashfrytëzuar ende, për të krijuar një sinergji dhe dinamikë më të lartë në plotësimin e premtimeve zgjedhore dhe përballimin e sfidave zhvillimore”,- tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Teksa vlerësoi reformat që janë bërë gjatë viteve të fundit, Meta ishte i hapur në lidhje me problemet aktuale. Në fjalën e tij nuk munguan kritikat për reformat që nuk po prodhojnë mirëqenie në vend, por edhe për probleme të mprehta siç është ai i kanabisit dhe dekriminalizimit. Kreu i LSI-së theksoi se qëndrimet e kësaj force politike, si për armët kimike apo për çështje të tjera që prekin grupe sociale do të jenë në interes të qytetarëve.
Një çështje tjetër për të cilën kreu i LSI-së, Ilir Meta theksoi se do të angazhohen përpjekjet e LSI-së është dhe reforma zgjedhore. Meta tha se fenomenet e blerjes dhe manipulimit të zgjedhjeve duhet të marrin fund dhe kjo do të jetë objektivi kryesor i LSI-së në reformën e ardhshme zgjedhore.
Konventa e djeshme e LSI-së shënon edhe një tjetër etapë në zhvillimin e kësaj force politike. Në 12 vjet të ekzistencës së saj, LSI-ja vjen si një parti ka arritur të jetë faktor vendimtar në zhvillimet politike në vend. Qëndrimet e saj nuk janë vetëm pjesë e zhvillimeve të brendshme politike, por edhe vendime që lidhen direkt me politikën e jashtme të Shqipërisë. Në fjalimin e kreut të saj, Ilir Meta nuk munguan dhe mesazhet e qarta për mënyrën sesi duhet të orientohet politika e jashtme, por edhe marrëdhëniet me fqinjët dhe shtetet ku jetojnë shqiptarët. Duke qenë politikan i sprovuar në këto 25 vite betejë politikem herë në opozitë dhe në pozitë, Ilir Meta i mëshon konsensusit të madh për një Shqipëri stabile dhe jo konfliktuale.
Gjuha e moderuar dhe vendimet konsensuale në zgjidhjen e problemeve e kanë bërë tashmë LSI-në, një forcë politike që ka garantuar stabilitetin e vendit, pajtimin në raste te konflikteve të ashpra partiake dhe vizionin për projektet integruese.
Qamil Xhani