LSI-ja, një pengesë e fortë elektorale për PD-në

 

Nga sondazhet që kam bërë e kam parë, duket qartë se, për shumë arsye, jo të gjithë votuesit e PS-së dhe të partive të vogla “të majta” do të marrin pjesë në votim në 21 qershor. Por kjo gjë duket se nuk do të ndodhë me votuesit e LSI-së, e cila ndoshta do ta shtojë numrin e votave që mori parvjet. Dhe ky është një problem i madh elektoral për PD-në në 21 qershor.

Rënia e pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale të elektoratit të majtë nuk mund të konsiderohet një sukses për PD-në. Një rënie e tillë mund të shpjegohet me kostot politike që ka një qeveri e re, kur nuk i realizon brenda 20 muajve pritshmëritë e të gjithë atyre që e kanë votuar. Një gjë e ngjashme ndodhi, për shembull, me të ndjerin Sokol Olldashi në 2007-ën, i cili mori 20 mijë vota më pak se sa kishin marrë kandidatët e djathtë në territorin e kryeqytetit  dy vjet më parë.

Sukses për opozitën mund të quhet një rritje e numrit të votave për të në rang republike, në krahasim me 23 qershorin e 2013-ës, kur mori vetëm 680 mijë vota. Por për rritjen përtej këtij caku, pengesa më e madhe është LSI-ja (dhe në një masë shumë më të vogël PDIU-ja dhe PDK-ja). Dhe ja përse.

Partia Socialiste dhe aleatet e saj të vogla (pa përfshirë LSI-në) morën 47% të votave në qershor 2013 – pra, patën një rritje prej vetëm 1 pikë përqindje në krahasim me katër vjet më parë. Nga ana tjetër, PD-ja dhe aleatet e saj të vogla humbën plot 9 pikë përqindje në krahasim me katër vjet më parë – nga 48.4% zbritën në 39.4%.

Dhe në ç’drejtim rrodhën këto vota “të djathta”? Kryesisht drejt LSI-së, e cila u rrit nga 4.8% në 10.5%. Pra, që koalicioni i PD-së të rritet elektoralisht në 21 qershor, duhet të marrë të gjithë votat “e djathta” (përfshirë edhe votat e PDIU-së e PDK-së, kryetarët e të cilave tani janë rreshtuar “majtas”), si dhe të rikthejë tek “e djathta” votat që shkuan parvjet tek LSI-ja.

Por historia elektorale e LSI-së na tregon se ata që votojnë për të, nuk largohen lehtë nga ajo, pavarsisht stuhive politike që godasin herë pas here udhëheqësin e saj. Madje, pas çdo stuhie, votat për LSI-në vetëm janë shtuar. Kjo, për faktin e thjeshtë se u ka demonstruar votuesve të saj që është një parti patronazhi – kur të merr në patronazh LSI-ja, të merr vërtet në patronazh!

E pra, kjo është dhe pengesa më e fortë elektorale për PD-në në 21 qershor…

Mazhoranca mund të bjerë poshtë 1 milion votave në 21 qershor, por a do të jetë e aftë opozita të marrë më shumë se 680 mijë vota?

SHKARKO APP