Presidenti nga LSI apo PS?
Marrëveshja e re elektorale mes PS dhe LSI për zgjedhjet e 18 qershorit duket pak larg pasi ka probleme të cilat akoma nuk duken se janë udhën e zgjidhjes. PS-ja me anë të disa ministrave të saj si Ditmir Bushati, etj ka lëshuar para disa muajve “kulaçin” për LSI; i ka ofruar Ilir Metës postin e Presidentit të Republikës. Por Ilir Meta ka pohuar se do “jetë edhe me 19 qershor kryetar i LSI”, pra u ka refuzuar indirekt. Por nuk ka thënë se Presidenti do jetë i PS, duke e lenë hapur emrin po nga LSI. Bile ka informacione se LSI ka në projekt dy emra, të cilët mendohet se do jenë të gjithëpranuar nga publiku, porse do t’i lerë të drejtën PS të përzgjedhë njerin nga të dy kandidatët e Metës.
Zgjedhja e presidentit të ri do të jetë një tjetër moment problematik në marrëdhënien mes PS dhe LSI. Përfolja e emrit të Mimi Kodhelit nga Top Channel si kandidate e mundshme nuk është pritur mirë nga LSI. Posti i kreut të shtetit pëlqehet nga Ilir Meta, porse nuk e do për vete. LSI thotë se ka edhe emra të tjerë dinjitozë. Mosmarrëveshjet për emrin reflektohet edhe tek afatet. LSI thotë se do të jetë ky parlament që do ta zgjedhë kreun e shtetit, qoftë edhe në seancë të jashtëzakonshme. Pyetjes së Sokol Ballës në Top Story se për cilin variant është LSI, atë të nisjes së procedurës me 18 prill siç kërkon kryeministri apo për zgjedhjen e presidentit në seancë të jashtëzakonshme, Ylli Manjani iu përgjigj:
“Presidentin do të zgjedhë ky parlament, do të betohet para këtij parlamenti, pra ky parlament do të mblidhet të paktën njëherë në seancë të jashtëzakonshme”.
Po a do të jetë Ilir Meta president? “Nuk e di, por mund të them që LSI, krahas zotit Meta mund të propozonte shumë emra dinjitozë për President”, shprehet Manjani
LSI kërkon në këtë mënyrë të jetë vendimmarrëse në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Bile nëse PS-ja nuk do jetë dakort me emrin e LSI për President ka mundësi që PD-LSI dhe partitë e tjera të votojnë një emër tjetër nga ajo që do vendos PS-ja. Skema është gati, gjithnjë po që se Edi Rama nuk pranon emrin e LSI, emër që mendohet se do ketë shumë mbështetje popullore dhe mediatike, sepse ka vlera intelektuale të larta. Bile për të qenë korrekt edhe me interesat e PS dhe PD , forca politike e LSI do paraqesë dy emra duke synuar që kandidati për President Republike i proopozuar nga LSI të marrë 140 vota.
Nëse ndodh që PS-ja nuk firmos edhe këtë pikë në marrëveshjen paraelektorale ku Presidentin e merr LSI, atëhere ka komplikacione dhe për qeverinë e zgjedhjet. Nuk ka as skemë “A”, “B” apo “C” si ka thënë Rama para disa muajve kur po miratohej Reforma në Drejtësi, por ka skemë “ZH”. “ZH”-ja germa e fundit e alfabetit, ndaj thotë dhe fundi i gjithçkaje mes PS e LSI. Kjo skemë i heq pushtetin PS-së. Ndaj kanë filluar ecejaket Kryeministri- Kryesi Kuvendi për të gjetur konsensus.
Ka kohë deri me 18 prill kur është afati i fundit për firmosjen e koalicioneve. Deri atë ditë PS-ja duhet të bëhet gati edhe e vetme, me Shpëtim Idrizin, të futet në zgjedhje. Por Blushi do ta grryejë fort PS-në, PDIU nuk shkon me shumë tre deputetë apo me mik, katër. PS-ja nuk kalon 60 deputetë. Bëni vetë llogaritë se si del PS-ja pa LSI.
Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë! Por LSI ka edhe kërkesa më themelore për demokracinë se sa emri i Presidentit. Kërkon lista të hapura ku votuesit të zgjedhin vetë deputetët dhe jo kryetari i partisë. Si dhe kërkesa të tjera ku vota të mos vidhet.
Por prapë duke njohur të majtën shqiptare e cila sa herë është ndarë ka humbur pushtetin, besohet se po negociohet për mospërçarje, ndonëse prapë votat e LSI bëjnë qeverinë e re të pas 18 qershorit.