LSI: Kujdes, Zoti Rama!
Petrit Vasili, letër Kryeministrit: “Duhet ndërhyrje emergjente për bujqësinë. Mungesa e një përgjigje është politikisht dhe etikisht jo korrekte”
Produktet bujqësore dhe mungesa e lehtësirave për fermerët vendas kanë zbuluar dje mosmarrëveshjet e reja mes aleatëve të koalicionit qeverisës. Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim i ka dërguar një letër Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Financave Arben Ahmetaj, ku ngrihen disa shqetësime emergjente që lidhen me fermerët.
Letra është një apel publik për kreun e qeverisë dhe ministrin e financave. Kreu i deputetëve të LSI-së kërkon ndërhyrjen e kreut të qeverisë për garantimin e eksportit të produkteve me Maqedoninë. Prej disa ditësh vendi fqinj ka nxjerrë pretekste të ndryshme duke bllokuar prodhimet shqiptare. Një tjetër kërkesë për Kryeministrin është nxjerrja e një aktiv normativ që lejon përdorimin e parave cash për fermerët në pikat grumbullimit. Aktualisht pikat e mëdha të grumbullimit operojnë me sistemin bankar. Por procesi penalizon fermerët e vegjël, pasi dihet që në zonat rurale dhe në fshatra nuk mund të kryhen veprime bankare me karta apo urdhër xhirime. Kërkesa tjetër e Vasilit ka të bëjë me doganat. Pas orës 20:00 nuk kryhen më shërbime në kalimin e mallrave në dogana. Por në pikun e sezonit të prodhimeve, rrezikon që oraret të nxjerrin jashtë përdorimit tonelata me produkte bujqësore shqiptare. Shtetet e tjera krijojnë të ashtuquajturën “linjë të gjelbër” që u mundësonë kompanive eksportuese të këtyre mallrave shërbimin 24 orë në dogana.
Këto janë pikat kryesore të letrës së kreut të deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili. Shqetësimet qëndrojnë dhe realisht nëse nuk do të merren masa, rrezikohet që prodhimi vendas të kalbet në sera, pika grumbullimi ose në traun e doganave. Ndërsa mijëra fermerët që kanë hedhur lekët e tyre mund të falimentojnë për shkak të disa procedurave burokratike.
Por ajo që bie më shumë në sy në kërkesat e kreut të deputetëve të LSI-ë ka të bëjë me faktin se kjo është hera e dytë që deputetët e LSI-së i drejtohen Kryeministrit dhe nuk marrin përgjigje. 15 ditë më parë, Petrit Vasili i shprehu Ramës të njëjtin shqetësim dhe rezulton se nuk është marrë asnjë masë. Kjo heshtje ka bërë që në letrën e fundit të LSI gjuha e përdorur të jetë më e ashpër. “Më datën 31 mars ju jam drejtuar një letër ku specifikoja këto shqetësime dhe jam i keqardhur që nuk pata asnjë përgjigje, apo veprim konkret, e besoj se kjo është politikisht dhe etikisht jo korrekte”,- shprehet Vasili në letrën e tij. Pra e thënë shkoqur me togfjalëshin “politikisht jo korrekte” nënkupton se duhet të ketë kujdes kreu i PS-së dhe kryeministri që të mos loz me nervat e shqetsimet e fermërëve , të cilët në këtë rast përkrahen hapur nga LSI.
Letra e firmosur nga kryetari i grupit më të madh të deputetëve në Kuvend, pas PS-së, veç shqetësimit për fermerët ka dhe sinjale të tjera për kreun e qeverisë. Probleme si ato që ngrihen në letër janë normale në një qeveri, por zakonisht nuk bëhen publike. Mjafton një kërkesë protokollare, një telefonatë, apo një takim mes ministrit të Bujqësisë , Kryeministrit e ministrit të Financave dhe problemi zgjidhet. Korrespodenca e letrave publikohet vetëm kur mes institucioneve nuk ka komunikim, ose më troç kur humnera duket afër.
Prej disa ditësh jemi në një “luftë tregtare” me Maqedoninë dhe veç Ministrisë së Bujqësisë nuk ka asnjë institucion tjetër që po merret me këtë çështje. Një javë më parë në grupin parlamentar të PS-së pati sulme të deputetëve socialistë ndaj Ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti. Ndaj letra e djeshme nxjerrë në pah vetëm një pjesë të problemeve që nuk kanë të bëjnë vetëm me perimet e stinës, por edhe me funksionimin e koalicionit PS-LSI.
Fakti që Petrit Vasili e nxori në publik letrën e tij tregon se ditë jo të mira e presin koalicionin, aq me tepër kur Ben Blushi rri me “veshë në krah” që të kap çdo “tingull” antiRama. Kësisoj nuk është e lehtë të kesh përballë LSI, e cila me të një renë të “gurit” e rrëzon ndertesën, PD-në që po mbledh forcat për mitingje të egra antiqeveritare dhe Ben Blushin që e ka trazuar krejt bazën e majtë.