LSI: Revista “Mother Jones” paguhet për shkrimet nga droga e Kryeministrit Rama
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar fort dhe egër këtë të mërkurë në orët e vona për një artikull të revistës amerikane “Mother Jones” ku hidhen dyshime për lobimin e kësaj partie në SHBA.
Në një reagim për mediat, LSI deklaron se në artikull nuk ka asnjë fakt. Nga ana tjetër, gazetarët amerikanë, sipas LSI, kanë marrë prononcim nga LSI lidhur me financimin e lobimit, por qëndrimi i saj nuk është pasqyruar në asnjë rresht të shkrimit, gjë që vë në dyshime kriteret profesionale dhe synimet e medias në fjalë. LSI akuzon se kjo revistë paguhet për shkrimet që bën nga paratë e drogës së kryeministrit Rama.
Në deklaratën e shpërndarë për mediat, LSI bën më dije se do të ndjekë edhe rrugën ligjore ndaj kësaj reviste periferike amerikane, e cila boton artikuj për llogari të Edi Ramës dhe me pas u hedh si mish mediave shqiptare.
“Mother Jones-Father Soros. Përse Mother Jones ka frike nga përgjigjet e LSI-së? Mother Jones nuk ka pasqyruar përgjigjet e LSI. LSI do hedhë Mother Jones në gjyq për shpifje. Mother Jones tregoi që paguhet nga paratë e drogës së Edi Ramës. Sa herë ka komunikuar Mother Jones me Endri Fugën?”,- thuhet ndër të tjera në reagimin e LSI. Mësohet se LSI do të nis për mediat një deklaratë të plotë paksa më vonë.
Me sa duket dështimi i Kryeministrit Rama në Gjermani para Kancelares Merkel për të marrë një “po” për Negociatat ka sjellë futjen në lojë të “Mother Jones” në mënyrë djallëzore për të spostuar vëmendjen nga përgjigja jo pozitive si dhe sulmet e opozitës e publikut shqiptar kundrejt Edi Ramës.
Në fakt pak si shumë “rastësi” po dalin në sulmet ndaj LSI dhe Ilir Metës. Para ca ditësh sulmi i “Freedom House” ishte në sinkron përfekt me sulmet mediatike që botuan letrën e ish- Prokurorit të Përgjithshëm Llalla. Kushdo që kupton nga media e politika mori vesh se ishte sulm i kordinuar me sponsor Edi Ramën. Po kështu edhe sonte pasi nuk mori përgjigjen e duhur në Gjermani e duke menduar sulmet në Tiranë, me sa duket kurdisi me sms-në e Fugës shkrimin e “Mother Jones” që të largonte vëmëndjen ndaj vizitës në Berlin.
Deklarata e plotë e LSI:
Lidhur me mashtrimet e MotherJones, Zyra e Shtypit e Lëvizjes Socialiste për Integrim sqaron sa më poshtë:
Artikulli i MotherJones është manipulim, mashtrim, pa fakte dhe i shtrembëruar. Përgjigjet e LSI nuk u pasqyruan në këtë artikull. Zyra e Shtypit e LSI u kontaktua disa ditë më parë nga gazetarja e MotherJones. Disponojmë emailet dhe të gjitha pyetjet dhe përgjigjet, të cilat po i vëmë në dispozicion të opinionit publik. MotherJones ose FatherSoros nuk i pasqyroi këto përgjigje në artikull. Shtrojmë Pyetjen: Përse ka frikë MotherJones nga përgjigjet e LSI-së? Sa herë ka komunikuar MotherJones me Endri Fugën?
MotherJones tregoi që paguhet me paratë e drogës dhe krimit të organizuar të Edi Ramës. Ky artikull i MotherJones nuk mund ta fshehë dot dështimin e Edi Ramës sot në Gjermani.
Zyra e Shtypit e LSI bën të ditur se Lëvizja Socialiste për Integrim do të hedhë në gjyq MotherJones për shpifje. /Shaban Sulçe, Zyra e Shtypit LSI/
Pyetjet e MotherJones dhe përgjigjet e plota nga Zyra e Shtypit e LSI-së
Pyetje 1: LSI ka firmosur një kontratë me McKeon Group për lobing në SHBA në Janar 2017. Kontrata është firmosur nga një avokati grek Iraklis Fidetzis. Cila është marrëdhënia e Fidetzis me LSI?
Përgjigje: Lëvizja Socialiste për Integrim s’ka pasur asnjë marrëdhënie me Z. Fidetzis. Vetëm një nga deputetët e LSI, Z. Vangjel Tavo kishte njohje me të dhe ata kishin diskutuar me njëri-tjetrin për një marrëveshje të mundshme bashkëpunimi mes LSI dhe McKeon Group, e cila nuk u finalizua kurrë. Megjithatë, LSI ka kryer vetëm një pagesë prej 15 000 USD drejt llogarisë së McKeon Group, e kryer përmes sistemit bankar dhe e deklaruar në Komision Qëndror të Zgjedhjeve, sipas ligjit për partitë politike në Shqipëri. Kryesia e LSI aprovoi pagesën për faturën nr. 1386 të McKeon Group, prezantuar nga Z. Tavo. Por, nga diskutimet që u zhvilluan më pas, kontrata mes LSI dhe McKeon Group nuk u finalizua asnjëherë dhe komunikimi u ndal.
Pyetje 2 : Në Mars 2017, një kompani e vendosur në Qipro e quajtur Dorelita Limited ka firmosur një kontratë lobimi me McKeon Group. Në kontratë, Dorelita ka pranuar të paguajë McKeon Group 50,000 dollarë në muaj, për një vit shërbime lobimi. Kontrata gjithashtu është firmosur nga Fidetzis. Burimet tona na kanë thënë se në fakt, qëllimi kryesor i kontratës së Dorelitës ishte të financonte lobing në SHBA për LSI dhe Ilir Meta, dhe ti siguronte akses Metës te Presidenti Trump. Është ndonjë nga këto e pasaktë? Cila është marrëdhënia e partisë apo e Metës me Dorelita?
PERGJIGJE 2: Në lidhje me pyetjen tuaj për Dorelita, ju lutem sigurohuni që kjo është hera e parë që dëgjojmë për këtë emër dhe e kemi mësuar nga pyetja që keni ngritur.
PYETJE 3: Kontrata fillestare e LSI me McKeon Group ishte e qartë në lidhje me qëllimet e saj – shërbim lobimi në emër të LSI dhe Metës. Por kontrata e Dorelita në Mars nuk përmend përfituesin e vërtetë të lobimit të Grupit McKeon – LSI. Pse të kaloni nga një kontratë transparente midis LSI dhe McKeon Group në një më të errët midis McKeon Group dhe Dorelita?
PERGJIGJE 3: Dëshirojmë të përsërisim edhe një herë se kjo është hera e parë që dëgjojmë emrin e Dorelitës, nga pyetjet tuaja. Ju lutemi, sigurohuni që ne nuk kemi fare kontakt me të dhe asnjë informacion rreth saj.
PYETJE 4: A e ka blerë Fidetzis Dorelita me qëllim që ta përdorë atë për të financuar lobimin e LSI-së në SHBA?
PERGJIGJE 4: Përgjigja e mëparshme e shteron këtë pyetje. Nuk kemi asnjë ide për këtë.
PYETJE 5: A ishte ideja e Fidetzis për të përdorur Dorelita për të financuar lobimin për LSI në SHBA?
PERGJIGJE 5: Ne nuk kemi fare informacion për Dorelita dhe për gjithçka që është e lidhur me të.
PYETJE 6: Çfarë ose kush i dha paratë që Dorelita përdorte për të marrë shërbimin e grupit McKeon në Shtetet e Bashkuara?
PERGJIGJE 6 : Dëshirojmë të përsërisim dhe ripërsërisim: zero kontakt me dhe zero dije për Dorelita.
PYETJE 7: Para se Fidetzis të blinte Dorelita, ajo ishte në pronësi të një personi që ka lidhje me kompani të ndryshme të kontrolluara nga manjati rus i aluminit Oleg Deripaska. A ka LSI lidhje me Deripaskën?
PERGJIGJE 7: Absolutisht zero njohuri për Dorelita dhe me çdo gjë të lidhur me të dhe të gjithë që përmendët në pyetje.
EMAILI nr.2
PYETJE 1: Deklarimet e Grupit McKeon me Departamentin e Drejtësisë listojnë një numër takimesh të prillit të organizuara me disa ligjvënës në Kongres. Ne kontaktuam me një numër të këtyre zyrave të kongresit, dhe disa prej tyre thanë se këto takime ishin në të vërtetë në lidhje me LSI. Për shembull: një zëdhënës për Senatorin Mike Lee i tha Mother Jones se në një takim të 26 prillit 2017, ai u takua me zyrtarët e LSI-së. A është kjo e pasaktë? A nuk ishin në fakt zyrtarë të LSI-së në këtë takim?
PERGJIGJE 1: LSI nuk ka pasur asnjë angazhim zyrtar në atë periudhë në Shtetet e Bashkuara dhe nuk ka autorizuar askënd që të angazhohet zyrtarisht në emër të LSI-së në Shtetet e Bashkuara. Marrëdhënia e LSI me grupin McKeon u ndërpre në shkurt të 2017. Ju mund të gjeni referencë për këtë nga deklaratat e depozituara nga McKeon Group në Departamentin e Drejtësisë.
PYETJE 2: Sipas shtypit shqiptar, Vangjel Tavo ka qenë në SHBA në 26 Prill. Ka qenë Z. Tavo në prill në takimin me Senatorin Mike Lee? A është takuar ai me ligjvënës të tjerë të SHBA gjatë udhëtimit të tij në SHBA në prill?
PERGJIGJE 2: Siç u deklarua më sipër, LSI nuk ka pasur asnjë angazhim zyrtar në atë periudhë në Shtetet e Bashkuara. Sa i takon takimeve të Z. Tavo që ju përmendni, këshilla jonë është ta pyesni direkt nëse ai ka qenë atje në ndonjë udhëtim privat.
PYETJE 3: Na është thënë se qëllimi i këtyre takimeve në prill të vitit 2017 ishte të ndihmonte zotin Meta të afrohej tek ligjvënësit e SHBA dhe Presidenti Trump. A është kjo e pasaktë?
PERGJIGJE 3: Në prill 2017 z. Meta ishte në procedurë për t’u zgjedhur nga Parlamenti si President i Republikës. Ndërkohë, LSI nuk kishte asnjë angazhim zyrtar në Shtetet e Bashkuara.
Shkrimi i revistës Mother Jones:
Vitin e kaluar, Howard “Buck” McKeon, një ish-kongresmen republikan i cili ksihte drejtuar Komitetin e Shërbimit Ushtarak në Dhomën e kongresit, u punësua për të lobuar për një parti politike shqiptare e cila kërkonte akses te administrata Trump dhe kongresmenët republikanë. Por pjesa kryesore e punës së firmës së tij u financua nga një kompani qipriote nafte e quajtur Dorelita Limited. Subjekti në fjalë ishte krijuar nga një avokat qipriot i cili është i specializuar në krijimin e kompanive off-shore dhe që ka lidhje me kompanitë e lidhura me një oligark të rëndësishëm rus. Edhe tani kjo kompani nafte kontrollohet, të paktën sipas dokumentave, nga një avokat me banim në Athinë i cili në të kaluarën ka qenë një miliarder i përfolur grek. Burimi i parave që vërshuan nga Dorelita te McKeon Group, dyqani i lobimit i McKeon i krijuar më 2015 pasi ai u largua nga Kongresi, mbetet i errët.
Pagesa ngre pyetje se kush pagoi për lotimin në SHBA në emër të një partie të vogël shqiptare, që është partia e tretë dhe që quhet Lëvizja Socialiste për Integrim (e njohur në shqip me shkurtimin LSI) përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. Marrëveshja misterioze jep një tjetër shembull të interesave të errët që përdorin kompanitë offshore për të depërtuar në sistemin politik amerikan në përpjekje që ky i fundit të ndikojë te politikat në Ballkan. Muajin e kaluar, Mother Jones raportoi se Nicolas Muzin, një ish-ndihmës i senatorit Ted Cruz i cili kishte punuar gjithashtu edhe për fushatën e Trump, ishte paguar nga një kompani skoceze nafte q kishte lidhje me disa shtetas rusë për të lobuar për Partinë konservatore shqiptare të opozitës (Lexo: Partinë Demokratike të Shqipërisë).
Në janar 2017, McKeon Group nënshkroi një kontratë prej 15,000 dollarësh në muaj me LSI-në, partinë e tretë politike në Shqipëri, që të lobonte në emër të saj në Uashington dhe të promovonte kreun e saj Ilir Meta, i cili asokohe ishte kryetari i parlamentit të Shqipërisë. Asokohe, Shqipëria, një vend me shumicë myslimane me 2.9 milionë banorë, që është në kufi me Greqinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi, po kandidonte për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, të cilat zhvilloheshin përkatësisht në prill dhe qershor 2017.