LSI: Të shtunën rrëzojmë kryeministrin dhe qeverinë

Kur na ndajnë edhe 3 ditë nga protesta e madhe e opozitës para kryeministrisë, partia që e ka marrë më seriozisht këtë tubim duket se është Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi mblodhi dje drejtuesit e kësaj force politike në gjithë vendin, ku kërkoi një angazhim maksimal të anëtarësisë për pjesëmarrjen në mitingun e 26 majit. Në mesazhet e saj, kryetarja e LSI-së u shpreh se e shtuna është dita për të treguar Edi Ramës se fundi i tij është afër. Për kryetaren e LSI-së problemi i keqqeverisjes se Rilindjes nuk është një emër apo një institucion, por gjithë modeli i krimit që Edi Rama ka instaluar në vend. Duke folur për protestën e së shtunës kryetarja e LSI-së deklaroi se me situatën ku e ka futur vendin Edi Rama nuk ka Zot që mund ta shpëtojë.

“E shtuna është dita jonë për t’i treguar Edi Ramës dhe veglave të tij që asgjë nuk e ndal popullin dhe revoltën e tij ndaj krimit. Asnjë pushtetar, prokuror apo shef policie në shërbim të Edi Ramës nuk mund ta bëjë këtë. Ju bëj thirrje gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI dhe qytetarëve, se sot është dita për tu ngritur dhe për ta rrëzuar njëherë e mirë Edi Ramën. Ndaj ditën e shtunë në orën 11.00 të gjithë do të jemi në Bulevardin Dëshmorët e Kombit për të protestuar kundër kësaj qeverie, e cila është e kapur. Nuk ka më as njeri dhe as zot që ta mbrojë Edi Ramën. Në llumin që ai është zhytur, nuk do të shpëtojë dot”,- deklaroi kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Në mitingun e ditës së shtunë LSI-ja pritet të ketë një pjesëmarrje masive të qytetarëve të cilët do të kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Në mesazhet e forta dhe të ashpra të Monika Kryemadhi duket se protesta do të jetë masive si një mesazh për largimin e Kryeministrit.Thirrjet e kryetares së LSI-së janë luftarake dhe tregojnë se LSI-ja shkon në protestë me synimin e qartë për të rrëzuar Edi Ramën. Ndërkohë në PD, mes amullisë që ka shkaktuar autenticiteti i adio-përgjimit, ka deklarata kontradiktore dhe për arsyen pse selia blu thërret qytetarët në protestë. Ndër qëndrimet e fundit që kanë ngritur pikëpyetje është ai i kreut të PD-së kur bëri thirrje për të pastruar qeverinë “Rama”. Nga mënyra sesi është shprehur Lulzim Basha, duket se problemin PD e ka me një ose disa ministra të qeverisë  të cilët duhet të largohen dhe jo me kryeministrin. Nga ana taktike një qëndrim i tillë është amator. Pasi PD-ja duket sikur ka thirrur shqiptarët që të protestojnë vetëm kundër ministrit Fatmir Xhafaj, duke harruar se vendi nëse ka kaq probleme sa thotë PD, i ka edhe për shkak të keqqeverisjes së 5-vjeçare të Edi Ramës. Nëse Basha është i bindur se të shtunën duhet të protestojnë vetëm kundër një ministri, varianti tjetër i kësaj skeme nuk është amatorizmi politik, por ndihma e radhës që PD i jep Ramës për të qeverisur i qetë.

Ideja me të cilën shkon Basha në protestë kundër një ministri mund t’i shkonte për shtat një aksioni lokal, por jo një sulmi frontal kombëtar. Një lider opozite zbret në shesh për të rrëzuar rivalin e tij, kryeministrin dhe jo vartësit e kryeministrit.

Së fundi, ka dhe një problem me gjithë skemën e sulmit ndaj të PD ndaj Fatmir Xhafajt. Pa i hyrë përgjegjësive morale për vëllanë e tij, ndaj ministrit akuza më e fortë e PD ishte video-përgjimi. Me dëshmitë e reja të gazetarit, dëshmitarit “X” dhe gjithë personave të përfshirë në këtë ngjarje, akuza e PD-së nga provë kundër ministrit rrezikon të quhet mashtrim i madh. Nga ato që dimë deri më sot, PD u nis për protestë me “skandalin më të madh”, por po shkon para kryeministrisë me një “bllof të madh” në duar që mund t’i kthehet kundër. Ndaj këtë histori Edi Rama po e përdor për të bërë humor me PD dhe Lulzim Bashën. “Sinqerisht pyes veten këtë herë nëse Lulëzimi dhe shqupatarët e tij, janë të dëshpëruar e të pacipë si ngahera apo u është djegur edhe siguresa e mendjes, që vajtën deri në pikën ku luajnë publikisht një bllof kaq skandaloz si ky i këtij ditziut Babale me këtë gazetarin Jetmir?”,- shkruante dje Edi Rama në Facebook.

Lulzim Basha dhe PD-ja duhet të jenë të qartë për ditën e shtunë: Do shkojnë për të rrëzuar një ministër apo kryeministrin? Nëse për një ministër atëhere demokratët duhet të vijnë 12 herë në Tiranë për 12 ministrat e tjerë derisa të rrëzojnë kryeministrin!

Të shtunën PD-ja dhe Lulzim Basha duhet të shkruajnë historinë, nëse e kanë objektivin me Edi Ramën.

LSI-ja mbetet e qartë, Petrit Vasili shefi i grupit të deputetëve të partisë së tij thekson për “KJ” se të shtunën duhet me çdo kusht të rrëzojmë kryeministrin e krimit.

Qamil Xhani

SHKARKO APP