LSI, Petrit Vasili: Kjo qeveri turpi!Ta rrëzojmë këtë vjeshtë

Mes opozitës dhe mazhorancës ka nisur një betejë e ashpër deklaratash për vërtetësinë e bisedës së përgjuar mes nënkryetarit të KQZ, Denar Biba dhe gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledi Bianku. Sipas bisedës së publikuar në media, Denar Biba, i udhëzuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë i kërkon gjyqtarit shqiptar që të ndikojë në Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriu për bllokimin e proceseve gjyqësore të qytetarëve shqiptarë për pronat. PS dhe Denar Biba pretendojnë se në këtë histori nuk ka asnjë shkelje ligjore, pasi bëhet fjalë për një bisedë miqsh. Juristi Ledi Bianku konfirmon bisedën dhe thotë se bëhet fjalë për ndërhyrje të qeverisë në Gjykatën e Strasburgut. Opozita deklaron se përmbajtja e bisedës mes një zyrtari të mazhorancës dhe një juristi është prova sesi qeveria aktuale ka arritur të bëjë presione, shantazhe dhe korrupsion deri në gjykatën më të lartë europiane. Kështu vepron qeveria edhe me gjykatat shqiptare, të cilat i kanë vënën nën kontroll.

Dilemës nëse kemi të bëjmë me një sajesë të opozitës apo presion real të qeverisë ndaj Strasburgut i ka dhënë fund vetë Gjykata e Strasburgut. Në një reagim për “Fax Neës”, Gjykata e Strasburgut pranon se zyrtari i qeverisë shqiptare, në atë kohë Kryetar i Komisionit për Prokurorimet Publike dhe aktualisht Nënkryetar i KQZ, Denar Biba ka ndërhyrë te gjyqtari Ledi Bianku për të frenuar proceset gjyqësore të pronave. “Në vitin 2014, një zyrtar i afërt me qeverinë shqiptare, (zoti Denar Biba) kontaktoi zotin Ledi Bianku, gjyqtar përfaqësues i Shqipërisë, duke i kërkuar që gjykata të shtyjë shqyrtimet e rasteve për rikthimin ose kompensimin e pronës. Gjyqtari Bianku, i tregoi këtij personi se kjo sjellje ishte e papërshtatshme dhe menjëherë informoi Dean Spielmann, president i Gjykatës Europiane në atë kohë. Ai në vazhdim informoi Presidentin e Gjykatës, Guido Raimondi, sapo ai u zgjodh”, thuhet në reagimin e GJEDNJ.

Deklarata GJEDNJ është prova se biseda mes Denar Bibës dhe Ledi Biankut jo vetëm është e vërtetë, por për këtë është vënë në dijeni dhe kreu i Gjykatës së Strasburgut si dhe pasardhësi i tij në këtë detyrë. Ky mund të jetë rast unik kur qeveria shqiptare denoncohet nga Gjykata e Strasburgut për ndërhyrje dhe presione me qëllimin bllokimin e proceseve gjyqësore për qytetarët shqiptarë që kërkojnë pronat. Ndërsa në Shqipëri qeveria “Rama” deklaronte në vitin 2014 se gjykatat e Berishës janë të korruptuara, pikërisht këtë vit delegacioni i qeverisë shkonte në Strasburg dhe përpiqej të korruptonte Gjykatën e Strasburgut. Paradoksi tjetër është se “lobimi” apo tentativa për korrupsion bëhej jo për të fituar gjyqe, por për të mos lejuar që qytetarët shqiptarë të fitojnë gjyqet.

Është një ndërhyrje që kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili e cilësoi dje si kriminale dhe jashtë çdo standardi ligjor e etik kundër qytetarëve shqiptarë. Duke u ndalur dje në reagimin e GJEDNJ, kreu i deputetëve të LSI-së shprehet se pas këtij qëndrimit nga Strasburgu, të gjithë përfaqësuesit e qeverisë që pretendojnë se nuk ka pasur ndërhyrje morën përgjigjen e merituar. “Megafonët debilë të kryeministrit e morën përgjigjen. GJEDNJ në Strasburg foli qartë. Kjo qeveri turpi i Shqipërisë. Qeveria egërsisht kundër shqiptarëve dhe të drejtave të tyre”,- deklaron Petrit Vasili.

Sipas kreut të LSI-së tashmë është e faktuar se qeveria shqiptare jo vetëm vjedh, por është pozicionuar kundër interesit të qytetarëve shqiptarë. Duke i bërë thirrje institucioneve që të hetojnë, Vasili tha se “Prokuroria të ndëshkojë rëndë këta hajdutë, që punojnë kundër popullit”. Skandali i fundit me Gjykatën e Strasburgut vë në pikëpyetje dhe reformën në drejtësi. Mes delegacionit shqiptar që vizitoi gjykatën në vitin 2014, ka dhe juristë që u morën nga qeveria si ekspertë të jashtëm të reformës në drejtësi. Kur të njëjtët njerëz, me urdhër të qeverisë shkuan të korruptonin gjykatën më të lartë europiane, imagjinoi çfarë standardi është përdorur për reformën e sistemit të drejtësisë. Sipas kreut të grupit parlamentar të LSI, me skandalet e fundit, “reforma në drejtësi është baraz me drejtësi horrash”.

Për kreun e deputetëve të LSI, Petrit Vasili “një qeveri që punon kundër interesit të qytetarëve është një qeveri horrash që duhet rrëzuar sa më parë”.

Lideri i opozitës Lulzim Basha, që ditën e parë me 3 shtator kur fillon punimet parlamenti do të deklaroj krijimin e FRONTIT KUNDËR KRIMIT QEVERITAR dhe do të bëjë thirrje për rrëzimin e kryeministrit me forcën e popullit.

SHKARKO APP