Luan Rama:A ka gra PS-ja, grupi parlamentar socialist dhe qeveria që të reagojnë?!

-Skandali/Policia veproi, por prokuroria bllokoi hetimin e dhunës të djalit të deputetit socialist ndaj vajzës jetime në Fushë-Krujë. Pse hesht Arta Marku? Pse nuk merr masa ndaj prokurorit që ka dosjen hetimore?

-Ndërkohë që prokuroria hesht edhe para dhunës ndaj një vajze të pambrojtur, një tjetër heshtje morale po lë shije të keqe në opinion. Është fjala për heshtjen morale dhe të pafalshme të dhjetëra grave deputete të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe ministreve të qeverisë “Rama”.

Dhunimi i Xhisiela Maloku nga Rexhep Rrahja, djalit i deputetit të PS-së në Fushë-Krujë, është një nga ngjarjet që ka tronditur opinionin publik. Në këtë histori nuk janë skandaloze vetëm detajet e dhunës me armë dhe djegie të trupit me cigare, por edhe heshtja e pafalshme e një pjese të institucioneve të shtetit dhe shoqërisë. Heshtja më e rëndë dhe gati kriminale është ajo e Prokurorisë, e cila gati 2 muaj pas denoncimit edhe sot nuk e ka arrestuar apo marrë në pyetje djalin e deputetit. Policia, sipas faktëve të fundit, e ka dërguar mënjëherë dosjen për hetime në prokurori, sipas ligjit. Por prokuroria e ka bllokuar.

Kjo është skandaloze.

Lidhur me trajtimin që i është bërë denoncimit të vajzës në polici ka pasur jo pak spekulime. Fakti është se me 21 korrik 2018 dokumentohet se denoncimi i vajzës është marrë zyrtarisht nga policia. Sipas detajeve që dha dje Zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, në 21 korrik 2018, rreth orës 17:00, denoncimi i vajzës është marrë në komisariatin Nr. 3 në Tiranë. Denoncimi është dërguar me urgjencë në komisariatin e Fushë-Krujës, i cili ka dhe autoritetin të verifikojë rastin, pasi ngjarja ka ndodhur në territorin e tij. Oficeri që ka marrë çështjen në Fushë-Krujë, sipas njoftimit të zyrtares së lartë të Policisë së Shtetit, nuk ka zbatuar procedurën por ka tentuar t’i pajtojë viktimën me dhunuesin, duke i thirrur të dy në komisariat dhe në orën 22:00 vajza ka tërhequr dëshminë. Por pavarësisht kësaj, shefi i policisë së Fushë-Krujës ka vijuar procedurën. Sipas deklaratës së policisë, oficeri që nuk ka kryer procedurën është pezulluar nga detyra. Ndërkohë policia ka vijuar me hetimin duke marrë ekspertizën e vajzës, pavarësisht se ajo është tërhequr nga dëshmia. Në datën 23 korrik 2018 komisariati i Fushë-Krujës e ka referuar çështjen në prokurori. Dërgimi i dosjes në Prokurori, sipas Kodit Penal, i heq policisë të drejtën për të vepruar për masë ndalimi pa urdhër të prokurorit të çështjes. Edhe pse në këtë histori, oficeri Emiljano Nuhu që bëri denoncimin pretendon një tjetër variant, se është penguar që të kryejë arrestimin, fakti është se strukturat e policisë kanë vepruar korrekt. Të paktën deri dje kjo del nga investigimi, megjithatë do jetë prokuroria e cila do jap verdiktin final për ta çuar dosjen në gjykatë.

Nga sa deklaroi Policia e Shtetit në momentin që është marrë denoncimi dhe janë verifikuar të dhënat, Policia e ka dërguar çështjen në organin e akuzës. Sipas ligjit, duhet të ishte Prokuroria ajo që duhet të urdhëronte arrestimin e dhunuesit dhe të kryente veprimet e tjera. Ky është dhe skandali institucional në këtë çështje. Derisa policia e ka kryer detyrën duke dorëzuar dokumentet, organi i akuzës duhet të sqarojë se çfarë e pengoi që të urdhëronte ndalimin e djalit të deputetit.  Edhe pse vajza e ka tërhequr dëshminë, raporti mjeko-ligjor i policisë ka faktuar dhunën dhe armëmbajtjen pa leje. Vetëm për këto dy fakte të sjella nga policia, prokuroria duhet të kishte kërkuar arrestimin. Ndërkohë që deri dy ditë më parë ende prokuroria nuk ka marrë asnjë masë për të zbardhur të vërtetën.

A ka ndërhyrë deputeti apo paraja, kjo mbetet për tu vertetuar në ditët në vijim. I rëndë është dhe fakti se vajza doli në media duke mbrojtur dhunuesin, ndërkohë që mjekët deklarojnë se është masakruar dhe dhunuar. Pse nuk heton prokuroria se kush e detyroi vajzën të dalë në media? I ofruan para apo i kanë bërë presion? Prokuroria nuk mori mundimin ta sqaronte ngjarjen në publik, siç po bën policia. Nëse sot kërkohet një fajtor në radhët e institucioneve, pesha më e rëndë e shkeljeve është mbi prokurorinë që mbylli sytë përballë kësaj ngjarje. Sot prokuroria është nën akuzë publike për mos veprim që lidhet nga neglizhenca e pafalshme, apo ndërhyrjet politike të babait të djalit dhe forma të tjera të jashtëligjshme. Të gjitha dyshimet janë në tavolinë, derisa prokuroria nuk po bën asnjë veprim apo deklaratë.

Ndërkohë që prokuroria hesht edhe para dhunës ndaj një vajze të pambrojtur, një tjetër heshtje morale po lë shije të keqe në opinion. Është fjala për heshtjen morale dhe të pafalshme të grave deputete të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe ministreve të qeverisë “Rama”. Cilado qofshin përgjegjësitë ligjore të institucioneve, dënimi i dhunës ndaj një femre të pambrojtur është një akt moral që do t’i tregonte ato dinjitoze. Janë qindra mijëra fjalime që kanë mbajtur këto vite kundër dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e viktimave. Sot që kanë para tyre një rast flagrant si ai i Xhisiela Maloku të gjitha po heshtin. Është një heshtje e turpshme sepse në vend të mbështesin Xhensilën dhe të dënojnë deputetin e tyre moralisht, po mbështesin partinë dhe qeverinë.

Është një heshtje që e ka bërë qesharake qeverisjen e sotme, siç deklaroi dhe deputeti i LSI, Luan Rama: “Mirë që kjo partia e rilindjes socialiste nuk paska burra, po as gra nuk ka?!”.

Një heshtje e turpshme.

SHKARKO APP