Basha kërkon largimin e ministrit Xhafaj, por jo të kryeministrit Rama
Të shtunën Basha e devijoi turmën e cila donte të përballej me policët para zyrës së kryeministrit, duke e drejtuar për te ministria e brendshme. Ndërsa sot zbardhet fjala e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar që sapo përfundoi dhe doli me një vendim të rëndësishëm për vazhdimin e aksionit opozitar lidhur me skandalin “Xhafaj”.
A vazhdon pazari i 17 majit 2017 mes Ramës dhe Bashës? Nuk mund ta themi, ndonëse kryeministri po ruhet nga opozita e PD-së, duke mos e rrëzuar siç kërkon populli opozitar.
Sot LulzimBasha tha:“Bojkoti i parlamentit deri në shkarkimin e Xhafës që u propozua nga shumica e deputetëve është plotësisht legjitim dhe më i natyrshmi në këto rrethana politike.
Në fakt e vetmja mënyrë sesi mund të hapen negociatat është që, kur Europa sheh se edhe kur Rama-Xhafaj me krimin i organizuar kanë kapur shtetin, qytetarët nuk e pranojnë, e refuzojnë, nuk mbyllin sytë. Kjo i tregon partnerëve se edhe pse Rama nuk i ka plotësuar kushtet, shqiptarët me reagimin e tyre si europianë që refuzojnë dhe nuk e pranojnë të keqen. Lëvizja drejt bojkotit parlamentar në kushtet kur jemi investuar fort për hapjen e negociatave, rrezikon të devijojë vëmendjen nga çështja kryesore: që kemi një qeveri të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Kemi një ministër të brendshem vëllai i të cilit është një trafikant ndërkombetar droge, i dënuar në Itali nga drejtësia italiane, por që me mbrojtjen dhe ndihmën e vëllait ministër të brendshëm vazhdon aktivitetin criminal, kemi një kryeministër që është kaq i lidhur me krimin sa kalon nga një ministër i brendshëm pjesë e një organizate kriminale të trafikut të droges te një ministër që ka vënë ministrine, policinë dhe prokurorinë në funksion të mbrojtjes së vetes dhe vëllait të tij trafikant droge. Në këto kushte, jam i mendimit të përdorim të gjitha format dhe mënyrat demokratike si opozitë me grupin parlamentar, strukturat, qytetarët për të bërë të qartë qëndrimin tonë të prerë se largimi i Fatmir Xhafës është kusht i panegociueshëm i opozitës, veprim i domosdoshëm për hapjen e negociatave. As shqiptarët, as Europa nuk mund të pranojnë që vendi të kalojë nga policia Tahiri-Habilaj te policia Xhafaj dhe prokuroria Rama- Xhafaj. Fatmir Xhafaj duhet të largohet nga Ministër i Brendshëm dhe të hapë rrugën për një hetim të pavarur dhe të pandikuar nga pushteti që ai mban sot. Policia e Shtetit duhet të çlirohet nga kapja prej klanit Xhafaj, i cili zëvendësoi klanin Tahiri-Habilaj, duke vazhduar të mbrojë krimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës. Lufta kundër krimit dhe drogës është një kusht kryesor i hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, plotësimi i të cilit po vazhdon t’i kërkohet me forcë qeverisë shqiptare nga qeveritë europiane- tha Lulzim Basha sot në mbledhjen e grupit.
Mësohet se në asnjë rast kryetari i PD-së nuk shqiptoi fjalët për largimin e “kryeministrit të krimit” Edi Rama.
Pyetja publike mbetet për kryetarin e PD: Nëse kryeministri Rama është kupola e krimit, korrupsionit dhe mafies, atëhere pse nuk duhet rrëzuar krejt qeveria bashkë me Ramën? A e rregullon qeverisjen largimi i ministrit Xhafaj apo kryeministri do të emërojë një “Fatmir Xhafaj” tjetër?