Lulzim Basha i vendosur: Luftë po erdhën fadromat!

Francezët dogjën dje rrugët e  “Champs Elysee” vetëm se çmimi i karburantit u rrit me 7 cent, pra nga 1.52 euro në 1.59 euro. Sipas mediave franceze nga përplasjet janë 620 të plagosur nga protestuesit dhe 136 të plagosur nga policia, ndërsa në Shqipëri iu rrëzojnë shtëpitë 25 vjeçare e nuk duhet të djegin asgjë…!

Protesta e Unazës së Re tashmë nuk është vetëm një çështje për fatin 320 ndërtesave, por edhe një betejë opozitare kundër korrupsionit me 40 milionë euro e projektit. Opozita prej disa ditësh ka shpjeguar skemën, sipas tyre, të vjedhjes së 40 milionë eurove për vetëm 2.2 kilometra rrugë.  Banorët e Unazës së Re janë vetëm viktimat e një vendimi të qeverisë, ku sipas Lulzim Bashës, fshihet “grabitja e Edi Ramës, disa biznesmenëve dhe ndonjë pronari mediash”.

Për opozitën drama që po ndodh në këtë pjesë të Tiranës ka brenda saj; grabitjen e shtëpive të qytetarëve pa dëmshpërblim nga shteti, korrupsionin me projektin dhe ajo që është më flagrante dhunën e banorëve nga policia. Për të treja këto arsye, Lulzim Basha premtoi dje gjatë pjesëmarrjes në protestën e përditshme reagim të ashpër ndaj qeverisë “Rama”. Kreu i PD-së u shpreh se kryeministri duhet të tërhiqet nga shembja e ndërtesave pa dëmshpërblim, në të kundërt do të përballet me zemërimin popullor i cili ka arritur në përmasa të mëdha. Për të shpëtuar banorët e Unazës së Re, por edhe gjithë qytetarët nga koncesionet korruptive, Basha deklaroi se duhet një zgjidhje finale që të sjellë largimin e Edi Ramë. Dhe kjo zgjidhje arrihet vetëm me përballje popullore. “Rruga e vetme është rruga e përballjes popullore, dhe zgjidhja e vetme politike është largimi i kësaj bande hajdutësh, me në krye Edi Ramën”, -deklaroi dje nga protesta kreu i PD-së.

Ndërkohë testi që do të provokojë këtë reagim popullor është sjellja e qeverisë pikërisht me banorët që kanë më shumë se 20 ditë që protestojnë. Qytetarët e Unazës së Re deklaruan dje se nëse qeveria do të sjellë sërish forca policie për të prishur banesat e tyre, pa u dhënë dëmshpërblim të plotë, qeveria do të përballet me luftë. Situata nuk po shkon drejt uljes së toneve dhe normalizimit, pasi akoma kanë frikën se do ti prishë natën banesat e tyre. Ndërkohë ditën e sotme në Gjykatën e Tiranës pritet të jepet masa e arrestit për rreth 10 personat e arrestuar nga policia për protestën e ditës së enjte para Kuvendit. Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 6 prej tyre. Ata akuzohen për “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.  Paditë e ngritura nga prokuroria nuk lënë vend për lehtësira në lirimin e tyre, ndaj pritet që gjykata të vendos “arrest me burg”. Ndërkohë po sot, banorët e Unazës së Re dhe qytetarë të tjerë kanë paralajmëruar një tubim të madh para gjykatës. Vendimi që do të marrë gjykata do të përcaktojë dhe zhvillimin e protestës. Nëse banorët që dolën për të protestuar për shtëpitë mbahen në burg, mundet që para gjykatës të këtë përplasje dhe dhunë tjetër. Banorët thonë se jemi përgatitur për çdo skenar sot para gjykatës.

Policia e Shtetit dhe Prokuroria i argumentojnë arrestimet me faktin se gjatë protestës fatkeqësisht u plagos oficerja Ina Muka, e cila humbi gishtin e njërës dorë. Një ngjarje e tillë është e rëndë dhe duhet dënuar, por përgjegjësia e një personi që kreu aktin nuk mund të përdoret për të fajësuar kolektivisht gjithë protestuesit. Teksa me të drejtë të gjithë dënojnë dhunën ndaj policisë, askush nga institucionet shtetërore këto ditë nuk ka parë dhe dënuar dhunën ndaj banorëve. Nga ato që thonë familjarët e të arrestuarve, kemi të bëjmë me raste flagrante rrahjesh në komisariate dhe dhunimi të të drejtave të njeriut. Nëse është e vërtetë ajo që pretendon kreu i PD-së se janë filmuar raste kur “policia ka ushtruar tortura dhe dhunë barbare nga qytetarëve”, atëherë situata tejkalon çdo imagjinatë. Në çdo vend me demokraci normale ndalohet me ligj të rrahësh edhe vrasësit dhe jo me protestuesit që dolën në shesh për të mos humbur shtëpitë ku fusin kokën. Ata që janë kundër protestave dhe reagimit qytetar në Shqipëri, lë të bëjnë një krahasim me ato që po ndodhin prej një jave në Francë. Dje në sheshin kryesor të Parisit për 16 orë protestuesit u përballen me policinë. Motivi që i ka ngritur francezët në protesta masive, në Shqipëri do të dukej qesharak. Për 7 cent rritje të taksës së naftës, pra nga 1.52 euro në 1.59 euro, francezët po djegin rrugët e Parisit dhe kërkojnë dorëheqjen e presidentit. Ndërsa në Shqipëri, jo vetëm i rrisin taksat çdo vit dhe vendosin koncesione, por edhe kur të marrin shtëpinë pa të dhënë asnjë lekë nuk duhet të protestosh. Madje nëse del në shesh të arrestojnë se prish qetësinë publike para sallës së Parlamentit.

Në këto 20 ditë të protestave të banorëve qeveria vetëm sa ka thelluar përplasjen me banorët dhe ka zbuluar korrupsionin e saj, duke e detyruar dhe opozitën që të dalë në shesh dhe të vendos ultimatume. Nëse kryeministri nuk reflekton në kohë, beteja e “Astirit” në Unazën e Re nga projekt për shembjen e shtëpive mund të kthehet në projekt për shembjen e qeverisë.

Opozita i ka gati skenarët. Ndaj qeveria të tregohet ligjore, njerëzore dhe të mendojë edhe për fatin e vetë!

Q.Xhani

SHKARKO APP