Lulzim Basha: Mosbindje civile, demonstrata dhe protesta!

 
 
 
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka paralajmëruar dje rrëzimin me forcë të mazhorancës aktuale. Në mbledhjen e grupit parlamentar, kreu i PD-së nuk foli më për mitingje, por për mosbindje civile, pra për rrëzim të Ramës me forcën e popullit. “E vetmja gjë normale sot është një reagim i fortë qytetar. Ora ka ardhur, mosbindja civile po thërret me forcë si e vetmja përgjigje e drejtë nga zullumi dhe krimi qeveritar”, – tha para deputetëve demokratë kreu i PD-së. Apeli për të mos iu bindur ligjeve u është bërë qytetarëve dhe bizneseve të vendit. Mosbindja civile është një term i ri në politikën shqiptare, që parashikon moszbatimin e një ligji të caktuar dhe mosbindjen ndaj institucioneve të caktuara. Por në fjalën e tij Basha nuk ka lënë vend për keqkuptime. Nuk ka folur vetëm për një ligj, por për të gjitha ligjet dhe për gjithe qeverinë, duke akuzuar kryeministrin dhe ministrat si të përfshirë në trafik droge e skandale. Thënë ndryshe  Basha ka ftuar dje qytetarët që të mos i njohin institucionet.
Nisja e protestave të opozitës është përsëritur gjatë gjithë verës nga kreu i PD-së dhe deputetët e tjerë të selisë blu. Këtë herë, Basha ka vendosur si pretekst jo vetëm dekriminalizimin, por edhe disa kërkesa të tjera. Në konferencën për mediat në qendër të sulmeve është vendosur ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas pretendimeve të PD-së makina që ministri deklaron se e ka shitur është përfshirë në trafik droge. Nisur nga kjo lideri i opozitës ka kërkuar dhe njëherë largimin e ministrit Tahiri nga detyra, por duke sulmuar Tahirin, njëherazi sulmon dhe kryeministrin Edi Rama. E ndërsa në qendër të akuzave ka qenë Tahiri dhe Rama, kreu i PD-së ka pasur dhe një mesazh për kreun e Kuvendit. “Mund të jetë edhe dikush tjetër i lumtur nga inkriminimi i Tahirit. Ilir Meta me siguri feston sa herë zbulohen fakte të lidhjes së ministrit të Brendshëm me bandat dhe me drogën e mbahet me shpresë se tahiro-historitë do parakalojnë e do t’i bëjnë hije skandalit të akuzave tashmë të ndërkombëtarizuara për ryshfet. Por iluzionet kanë ikur me gushtin”,- tha ai.
Veç akuzave ndaj kreut të Kuvendit, kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, Basha ka përmendur si arsye të fortë për protesta edhe aksionin e fundit të qeverisë për tatimet dhe shmangien e evazionit fiskal. Sipas tij aksionet po bëhen selektive nga tatimorët dhe nuk po godasin biznesin e madh, por vetëm shtresën e mesme. Kreu i PD-së përdori dhe rastin e arrestimit të dy berberëve për evazion fiskal, një histori që duket se po manipulohet nga opozita, pasi arrestimi i tyre ishte për dhunë ndaj tatimorëve dhe jo për mospagim taksash. Pavarësisht vërtetësisë së ngjarjeve të tilla, Partia Demokratike i ka dhënë sinjalet e protestave gjatë kësaj jave. E para ishte protesta në Shkodër. Duket se jo rastësisht demokratët zgjodhën një bastion të tyre për të filluar kundërshtimin e vendimeve të qeverisë. Arsyeja kryesore e protestave të tilla është ekonomike. Ndërsa protesta e radhës është ajo për ndërtimin e një bunkeri me qëllime artistike pranë ministrisë së Brendshme. Kjo protestë, edhe pse kishte në rreshtat e parë ish-të përndjekur politikë, mbështetjen dhe motivimin kryesor e kishte nga deputetët e Partisë Demokratike. Nga hapja e disa vatrave të protestave  PD-ja ka vendosur tashmë të hidhet në sulm frontal me mosbindje civile. Problemi tek mosbindja lidhet me mënyrën sesi qytetarët e djathtë dhe mbështetësit e opozitës do ta kuptojnë këtë thirrje. Sepse mosbindje mund të jetë që nga mospagimi i taksave deri tek mosrespektimi i rregullave të qarkullimit dhe mosnjohje e autoritetit të shtetit.
Nga mënyra sesi kreu i PD-së shpalli dje aksionin, duket se flitet për një përballje totale dhe protesta pa fund. Mësohet se po përgatiten për një përballje finale me qeverinë Rama në sheshin para kryeministrisë gjatë ditëve të ardhshme. Bile nuk po vonojnë, pasi edhe temperaturat janë akoma të larta e demokratët e Bathores e Mamurrasit e kanë me shumë qefj motin e nxehtë, sepse qëndrojnë edhe në bulevard ditë-natë. Nga selia blu mbrëmë janë lëshuar porosi që të fillohet të mblidhet baza e PD-së nëpër rrethe që të vihet në Tiranë për një betejë më pushtetin kriminal, sipas tyre , të Edi Ramës. Informacionet e bazës kanë qenë se “ nuk vijmë përherë në mitingje kot së koti që të flasi Basha e më pas të ikim në shpi! Duam një datë finale që vijmë e ta fshijmë qeverinë e t’ju hyjmë në parlament”- ka qenë moto e bazës demokrate.
 
Ndaj  kanë filluar përgatitjet, por data akoma nuk është vendosur nga Lulzim Basha e Sali Berisha. Në këtë miting-demonstratë thuhet se do të flasi para turmës edhe vetë Berisha, gjë e cila nuk ka ndodhur qëkur ka dhënë dorëheqjen. Ndaj duket se diçka e fortë po përgatitet këtë rradhë para kryeministrisë.

SHKARKO APP