Lulzim Basha nuk ka takat të rrëzojë Edi Ramën
Lulzim Basha ka në dorë rrëzimin e kryeministrit Edi Rama. Protesta e datës 27 janar, PD-LSI, e tregoi mjaft mirë se zemërimi popullor është në rritje dhe po plas, por kërkon drejtim, kërkon udhëheqje. Kjo udhëheqje e partisë kryesore opozitare mungon. Mungon si dëshirë për t’u përballur me kryeministrin, direkt e mu në bulevard. Ndaj Edi Rama qesh e përqesh, tallet e bën ironi me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, sepse e di mjaft mirë se inati i tij shkon deri te buzëqeshja. Rama e njeh mjaft mirë Bashën, e di kryeministri rilindas se ai njeh stilin hollandez të të bërit opozitë, por ne jetojmë në Shqipëri dhe nuk bëhet opozitë me një qeveri të tillë uzurpatore, e cila po kap të gjitha pushtetet. I ka mbetur vetëm presidenca.
Edi Rama ironizon PD-në dhe kryetarin e saj, se e di që nuk ngrihen, se nuk udhëheqin në përballje me forcë e zjarr zemre, por vetëm dijnë të buzëqeshin e të flasin anglisht më të huajt. Shqiptarët e revoltuar dhe pa shpresë, ata që duan një jetë më të mirë duan fjalën shqip: Pas meje për të rrëzuar qeverinë e krimit! A thotë Basha dhe të tjerët se “po qeveris kryeministri dhe qeveria e krimit? A bërtet Basha se mafia drejton vendin? A thotë Basha se kryeministri po mbron ish-ministrin e brendshëm dhe krejt kupolën e mafies ekonomike dhe bashkëpunon me krimin e organizuar? Nëse këto që thotë, i beson vërtetë, atëhere kryetari i PD-së turret vetë i pari në ballë të turmës e jo në mes, por direkt përballë gardhit me gjemba të policisë. Kur pranon të jesh lider, edhe do të sakrifikosh, edhe mund të biesh hero. Nëse ke frikë, shkon në shtëpi njeriu dhe lexon anglisht përrallat e Guliverit.
Lulzim Basha nuk e rrëzon dot Edi Ramën jo me 100 mijë protestues, aqsa thuhet se ishin me 27 janar të këtij viti, por as me 200 mijë, 500 mijë. Mungon në PD tharmi Berisha, i cili edhe me 1000 veta të Shaban Memisë trondiste qeverinë. Edi Rama është komod me një kryetar të tillë në PD. Nuk themi se Lulzim Basha është i inkriminuar apo pa kulturë, por mund te themi se sa të jetë Lulzim Basha, kryeministri Rama do mbetërojë në qeveri, pa i hyrë gjemb në këmbë.
Opozita e bashkuar apo FRONTI OPOZITAR duhet të gjejë një zgjidhje praktike: Të sjellë Sali Berishën kryetar të FRONTIT OPOZITAR për aq kohë sa të rrëzojë qeverinë e PS. Natyrisht me këtë propozim, nuk preket lidershipi i PD, askush nuk cënohet, por të gjithë gjallërohen për FRONTIN OPOZITAR. Vijnë edhe ata që Basha ka larguar apo kanë ikur prej Bashës.
Por këtë propozim nuk e bën PD-ja, për çudi. Ky propozim-motivim duhet të vijë nga Fatmir Mediu apo Monika Kryemadhi. Dhe natyrisht duhet ta pranojë Sali Berisha. Një fjalë të thotë Berisha si kryetar nderi i FRONTIT OPOZITAR, ndizet zjarr populli opozitar dhe e merr përpara qeverinë, parlamentin e mafien që sponsorizon qeverisjen. Këtë sakrificë duhet ta bëjë Sali Berisha, nëse edhe ai don vërtetë rrëzimin e kryeministrit të PS.
Nëse nuk ia propozojnë këtë detyrë opozitare kombëtare, atëhere fjalët e “Pjetër Mustakuqit” se “këtu ka tradhti burra!”, janë me vend edhe për këtë opozitë PD-LSI-PR-etj. Por nëse ia kërkojnë Berishës këtë detyrë kombëtare opozitare dhe nuk pranon, atëhere mund të thuhet se ka me shumë se tradhti!
Edi Vunoi