Lulzim Basha: Për 24 orë rrëzoj Edi Ramën

Lulzim Basha ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama për protesta masive që do të përfshijnë gjithë vendin derisa të detyrojnë qeverinë  të largohet. Në një takim me përfaqësues të biznesit të vogël, Luzlim Basha deklaroi se nëse qytetarët ngrihen kundër qeverisë si në Kukës, Edi Rama rrëzohet brenda 24 orëve. Me një retorikë të ashpër kundër qeverisë për taksat dhe krimin, Basha la të kuptohet se mes mazhorancës dhe opozitës nuk ka asnjë hapësirë bashkëpunimi. Sipas tij, sot vendi drejtohet nga një bandë dhe me bandat nuk ka asnjë mundësi kompromisi dhe nuk kanë vlerë institucionet. “E vetmja gjë që e ndali traun ishte reagimi i kuksianëve dhe reagimi i shtetit ndaj kuksianëve duke i trajtuar si grup terrorist është pikërisht për të trembur shqiptarët që të mos reagojmë ne të gjithë. Sepse ata e dinë që po të reagojmë ne të gjithë kjo padrejtësi merr fund. Ky është thelbi, të tjerat janë llafe kot. Në qoftë se ne çohemi të gjithë për t’i thënë jo padrejtësisë, jo grabitjes, kjo skemë falimenton brenda 24 orësh, kjo bandë bie brenda 24 orësh”, deklaroi dje kreu i Partisë Demokratike.

Deklarata e Bashës u bë gjatë diskutimeve për protestën e biznesit të vogël, e cila do të zhvillohet sot. Për më shumë se një orë, gjithë bizneset në Tiranë do të mbyllin qepenat në shenjë reagimi kundër rritjes së taksave dhe vendosjes së TVSH-së. Bizneset pritet të bllokojnë rrugët në disa prej zonave kryesore të Tiranës. Lulzim Basha deklaroi dje në emër të PD-së dhe partive të Frontit Opozitar se opozita do të jetë në krah të biznesit duke i cilësuar kërkesat e tyre si legjitime. Për herë të parë pas shumë kohësh, Basha bëri dhe prezantime të programit ekonomik të Partisë Demokratike kur të vijë në pushtet. Po dje, deputetë dhe mbështetës të opozitës ishin të pranishëm në protestën e artistëve kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Ndërkohë në mbledhjen e zhvilluar në mbrëmje në grupin parlamentar të Partisë Demokratike, partia kryesore në opozitë ka diskutuar me detaje për aksionin që do të ndjekë. Udhëzimi i demokratëve për gjithë militantët është mbështetja e të gjitha protestave, të cilat jo gjithmonë kanë të bëjnë me politikën. Shembulli më i qartë ishte Kukësi, ku qytetarët u ngritën jo për partitë, por sepse u prekën direkt nga taksat. E njëjta gjë vlen për biznesin e vogël dhe artistët, dy kategoritë që këto ditë po protestojnë ndaj vendimeve të qeverisë. Duke mbështetur të gjitha kategoritë sociale që kanë rezerva ndaj qeverisë, opozita synon të zhvillojë protesta të përditshme derisa të krijojë një klimë të fortë opozitare në gjithë vendin. Ndërkohë që tubimet e PD dhe LSI për bllokimin e rrugëve pritet të vijojnë gjatë ditëve të kësaj jave.

Nga ana tjetër, qeveria ka gati një tjetër strategji reagimi. Si fillim janë paditë dhe kërcënimi. Pas procedimit penalë për 34 deputetët e opozitës, dje Policia e Shtetit njoftoi në mënyrë jo zyrtare nisjen e ndjekjes penale për rreth 400 protestues. Strukturat e policisë kanë identifikuar të gjithë qytetarët që kanë marrë pjesë në tubime dhe që kanë qenë aktiv në bllokimin e rrugëve. Shumica e tyre janë dhe funksionarë partiakë dhe njerëzit që kanë pasur rolin e organizatorit gjatë protestës. Në këtë mënyrë, Policia dhe Prokuroria po synojnë me anë të padive të frenojnë pjesëmarrjen në tubimet e ardhshme të partive opozitare dhe qytetarëve. Në fakt vetëm sa ndezin reagimin me të egër opozitar.

Strategjia e dytë e mazhorancës është përçarja e protestave. Duke pranuar gabimet dhe vendimet e nxitura, qeveria po mundohet të hyjë në kontakt me të gjitha kategoritë që protestojnë për t’i shkëputur ata nga opozita. Shembulli i Kukësit është më emblematiku në këtë drejtim. Pasi nisi protesta në Rrugën e Kombit, Edi Rama dhe ministrat nisën negociatat dhe pranuan se tarifa ishte e lartë. Madje kanë premtuar dhe rishikimin e saj për banorët e zonës së Kukësit. E njëjta taktikë po ndiqet edhe me bizneset, si dhe me një pjesë të artistëve që protestojnë. Thuajse në të njëjtën orë që bizneset do të bllokojnë rrugët, Ministri Arben Ahmetaj ka lajmëruar një konferencë ku do të flasë për tatimet dhe skemën e TVSH për tregtarët.

Lulzim Basha ka kaluar në pozicionin radikal ndaj kryeministrit Rama dhe faktorë opozitarë në PD thonë për “Koha Jonë” se shpresojmë që Bashës të mos i bjerë hovi dhe entuziazmi opozitar për të rrëzuar Edi Ramën, aq me tepër se po vjen 18 maji, njëvjetori i “dashurisë” Rama-Basha.

Megjithatë fryma opozitare dhe e vendosur e LSI-së, sidomos e Monika Kryemadhit, ka sjellë shtimin e reagimit radikal ndaj kryeministrit Rama. Segmente të PD-së janë për përplasje me të fuqishme me qeverinë, duke mobilizuar popullin.

E.Vunoi

SHKARKO APP