Lulzim Basha: Rama ka kapur shkollën e Magjistraturës, si dikur shkolla e partisë komuniste
Pas mbledhjes së grupit, Lulzim Basha doli në një deklaratë për mediat, ku foli për ligjin e magjistraturës, duke u shprehur se mazhoranca e ka kapur këtë shkollë, e cila mund të quhet tashmë një shkollë partie sipas Bashës.
“Ligji për magjistraturën është maturuar vetëm me votat e mazhorancës, në mënyrë të tillë që pasi ta kapnin këtë shkollë, asnjë parti tjetër të mos ndërhynte. Ajo është tani një shkollë partie. Ky është një institucion i kapur totalisht nga Edi Rama. Njerëz të lidhur me PS prej një apo dy brezash. Synohet një kapje afatgjate e sistemit”, tha Basha.
Më tej, Basha u shpreh se Magjistratura nuk e zgjidh mungesën e Gjykatës Kushtetuese. “Nëse reforma në drejtësi do të funksiononte, atëherë Saimir Tahiri do të ishte në burg”, tha kreu i PD.
Basha ishte i prerë kur tha se duhet rikthim në konsensusin e 22 korrikut për Reformën në Drejtësi, ndryshe nuk ka asnjë bashkëpunim të opozitës me PS dhe Edi Ramën. Kryeministri Rama-tha Basha- e ka kapur krejtësisht Vettingun. Kjo e rrëzon krejt Reformën në Drejtësi.
Basha foli më tej për kërkesat dhe qëllimet e PD mbi situatën në sistemin e drejtësisë: “Ti qëndrojmë besnik konsensusit të 21 dhe 22 qershorit 2016. Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në organin e prokurorisë, duke i dhënë fund kapjes politike të prokurorit të Përgjithshëm. Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë për kandidatët e KLGJ dhe KLP. Ky proces është i pavlefshëm bazuar në ligj, pasi këta anëtarë duhet të zgjidhen në bazë të kushtetutës. Zgjidhje urgjente e ngërçit në Gjykatën Kushtetuese, jemi në situatë grushti shteti. Të ngrihet një Komision Koordinimi për mbikëqyerjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë”, tha Basha, i cili u shpreh më tej se kjo është rruga për të nxjerrë sistemin e drejtësisë nga gjendja në të cilën ndodhet.
Më tej, kreu i PD u shpreh se ata që e kanë sjellë vendin në këtë pikë duhet të mbajnë përgjegjësi. “Nëse nuk realizohen këto nuk ka asnjë besim në vazhdim”, tha ai.
I pyetur nga mediat se si e gjykon qëndrimin e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manjës, deputetit të PS-së, se mazhoranca nuk pranojë kushte nga opozita për situatën, kreu i PD tha: “Ulsiu është njeriu më i lumtur në këtë situatë ai ia doli ta bëjë prokurore, Arta Markun dhe kush ka një problem për Prokurorinë, kap Ulsiun- Artën e ka bërë Prokurore të Përgjithshme; ai tjetri ka çuar kunatin në shkollën e Magjistraturës, këtë tjetrën e bëri Prokurore të Krimeve të Rënda që të mbyllë jo vetëm dosjen e Tahirit dhe Geronit, por dhe të Vangjushit, s’kanë asnjë interes për reformën dhe as vullnet politik- përfundoi Basha.
Pikat e Bashës për kosensus:
1. Zhbërjen e të gjitha ligjeve që janë miratuar në mënyrë të njëanshme për Reformën në Drejtësi.
2. Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në organin e Prokurorisë, duke i dhënë fund kapjes politike të prokurorit të përgjithshëm.
3. Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në përzgjedhjen e anëtarëve të jashtëm të KLP dhe KLGJ duke futur në garë të gjithë kandidatët që ishin përjashtuar nga ONM.
4. Zgjidhja urgjente e ngërçit të krijuar në Gjykatën Kushtetuese. Sa kohë që vendi s’ka Gjykatë Kushtetuese vendi është në një situatë grushti shteti.
5. Zgjidhja urgjente dhe gjetja e mekanizmit ligjor që të ngrihen sa më shpejt KLP dhe KLGJ në mënyrë që të fillojnë menjëherë funksionimin SPAK, Byroja e Hetimit, Gjykata Anti-korrupsion dhe Prokurori i Përgjithshëm
6. Ecuria normale sipas Kushtetutës dhe ligjeve i procesit të Vettingut. Ndërprerja e mënjëhershme e ndërhyrjes së mazhorancës në proces. Sot për të njëjtën shkelje dikush mbahet në detyrë, e dikush shkarkohet nga detyra.
7. Komision koordinimi që e përcakton dhe kushtetuta që të jetë i balancuar dhe i paanshëm që të mbikëqyrë ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë.