Lulzim Basha:Tritol dhe mina pasurive korruptive të oligarkëve të Kryeministrit
Natyrisht që ky premtim i kreut të PD-së për sekuestro të pasurive mafioze të oligarkëve është një gjë shumë e mirë për vendin, por ka nevojë për garanci. Garancia nuk vjen nga një parti e cila synon të marrë e vetme pushtetin, siç bëri Rama në vitin 2017. Duhet koalicion jo për të shtuar numrin e demonstruesve dhe frikësuar qeveritarët. Koalicion vlerash, emrash, programesh për një Shqipëri tjetër dhe pa pazare. Ndaj PD dhe vendi ka nevojë për një hov të ri. Pa LSI-në, pa një kontratë të shkruar, publike mes tyre, bile të skanuar nga shoqëria shqiptare dhe pa një pjesmarrje të madhe të shoqërisë civile në këtë kontratë, PD-ja dhe Basha nuk japin garanci, sepse Rama është aty duke na kujtuar se çka premtuar para vitit 2013.
Lulzim Basha është hedhur në sulm me një retorikë që nuk ishte dëgjuar, që pas Çadrës, nga kreu i Partisë Demokratike. Në javën e fundit kryedemokrati ka bërë disa gjeste të forta publike që e pozicionojnë atë te qëndrimet ekstremisht radikale. Fillimisht, të premten, foli për përplasje civile dhe reagim mbarëpopullor nëse ligji për Teatrin Kombëtar do të dekretohej nga kreu i shtetit. Ndërsa dje, në përgjigje të qëndrimeve të PS, të cilët deklaruan se do të rivotojnë ligjin e kthyer nga Presidenti, Basha foli me tone lufte kur përmendi minat dhe tritolin. “Paralajmërimi për Edi Ramën, mafian e ndërtimit dhe mafian e drogës do të formalizohet si një kontratë e Partisë Demokratike me publikun: minat dhe rruspat i presin për çdo projekt korruptiv që do të ndërtohet te Teatri!”,- tha kreu i PD-së në një mesazh në Facebook.
Më shumë se paralajmërim, ky qëndrim është një kërcënim i hapur ndaj kreut të qeverisë Edi Rama. Zyrtarë të lartë të PS kanë deklaruar se në muajin shtator ligji i kthyer nga kreu i shtetit do të votohet pa ndryshime në Parlament. Në këtë mënyrë, shembja e godinës së Teatrit Kombëtar vetëm sa është shtyrë për pak kohë dhe duket se fati i saj tashmë është vendosur nga mazhoranca qeverisëse.Rrëzim me tritol- do të jetë fati i Godinës së Teatrit.
Ndaj dhe Basha kërcënoi duke përmendur minat, si e vetmja mënyrë për të tërhequr nga projekti jo thjeshtë qeverinë, por edhe kompaninë private që është vetëofruar për ndërtimin e saj. Po dje, në një tjetër deklaratë, deputetja Albana Vokshi foli për një projekt të PD që gjithë pasuritë e biznesmenëve që kanë bashkëpunuar me qeverinë në koncesione të jashtëligjshme dot të verifikohen dhe sekuestrohen. Deputetja e PD-së, Vokshi tha se çdo pasuri që është vendosur me afera të dyshimta do të jetë subjekt i ligjit antimafia. Kjo do të thotë se pronat dhe llogaritë bankare që biznesmenë të ndryshëm kanë vendosur nga bashkëpunimi në projektet shtetërore, me logjikën e PD, mund të konfiskohen njëlloj si pasuritë e krimit dhe drogës. “Partia Demokratike është e vendosur të anulojë çdo koncesion tjetër korruptiv dhe me ligjin e ndryshuar antimafia, çdo pasuri dhe qindarkë e grabitur, do t’u kthehet shqiptarëve”,- deklaroi deputetja Vokshi në emër të Partisë Demokratike.
Derisa disa javë më parë, akuzat e Lulzim Bashës ishin drejtuar vetëm te Edi Ramës dhe të ministrat e kabinetit të tij, duke u përmendur drejtësinë dhe ndonjëherë edhe burgun. Si rrallë herë, kërcënimet e Bashës dhe PD tani po bëhen edhe për biznesmenët që janë pjesë e projekteve në investimet publike. Me këtë lëvizje, Lulzim Basha nuk synon vetëm të tremb qeverinë, por edhe të largojë një grup të madh sipërmarrësish privat që këto vite kanë qenë përfituesit kryesorë të projekteve të qeverisë. Beteja e Bashës ka hyrë në një fazë të re dhe nuk luhet me të njëjtat mjete me të cilat operohet në politikë. Nëse qeverinë dhe ministrat mund t’i kërcënojë me burg, me biznesin situata është shumë më e ndryshme. Kjo për faktin se çdo koncesion është miratuar në Parlament dhe procedurat janë bërë me akte ligjore. Nëse kreu i PD e ndan mendjen për të vendosur minat dhe tritolin, sigurisht që do të dhuroj spektakël, por pas tymit të tritilit i duhet të përballet me realitetin. Dhe realiteti është se fatura e prishjes së kontratave të koncesioneve ndonjëherë është më e shtrenjtë sesa vetë vlera e koncesionit. Në fund, qytetarët i bie që do të paguajnë dyfish. Ndaj Basha ka një zgjidhje më praktike: Rrëzimin e qeverisë këtë vjeshtë më të gjitha format e mjetet demokratike dhe një aleancë të shkruar e precisz me LSI, ku të përcaktohet jo vetëm koalicioni për rrëzimin e Ramës, por drejtimi i bashkive në vitin 2019. Dhe qeverisja pas largimit të PS-së nga pushteti. Kjo gjë frikëson gjithë kompanitë mafioze dhe vetë qeveritarët e PS-së.
Ndryshe nëse nuk bëhet ky veprim konkret, i shkruar, publike dhe i sinqertë, atëhere edhe Basha kopjon Edi Ramën e dikurshëm. Një retorikë të ngjashme kundër disa biznesmenëve përdori Edi Rama para vitit 2013. Në jo pak raste, i etiketoi me emra dhe premtoi se do t’u merreshin pasuritë për t’ua kthyer qytetarëve. Edi Rama në opozitë shkoi edhe më tej duke hartuar dosje dhe llogaritur milionat që i ishin marrë buxhetit të shtetit nga ortakëria mes disa ministrave dhe biznesit. Por pas ardhjes në pushtet, thirrjet alla komuniste për shtetëzimin e pronave u harruan. Dy tre koncesione që u rishikuan nga socialistët rezultuan se juridikisht nuk mund të goditeshin dhe se në gjykatën ndërkombëtare humbiste shteti shqiptar. Në fund, Rama ndryshoi strategji, nga armiq të buxhetit të shtetit, biznesmenët në fjalë i bëri miq të “qeverisë” dhe u dha tenderime dhe koncesione disafish më shumë sesa edhe ata vetë e kishin imagjinuar. Tani Rama ata që biznesmenë të para vitit 2013 i ka bërë vellëzër dhe tashmë këta oligarkë po vjedhin dhe shkatërrojnë ekonominë e shqiptarëve. Këtë raport paradoksal mes Ramës dhe biznesmenëve synon të godas sot Lulzim Basha.
-Natyrisht që ky premtim i kreut të PD-së për sekuestro të pasurive mafioze të oligarkëve është një gjë shumë e mirë për vendin, por ka nevojë për garanci. Garancia nuk vjen nga një parti e cila synon të marrë e vetme pushtetin, siç bëri Rama në vitin 2017. Duhet koalicion jo për të shtuar numrin e demonstruesve dhe frikësuar qeveritarët. Koalicion vlerash, emrash, programesh për një Shqipëri tjetër dhe pa pazare. Ndaj PD dhe vendi ka nevojë për një hov të ri. Pa LSI-në, pa një kontratë të shkruar, publike mes tyre, bile të skanuar nga shoqëria shqiptare dhe pa një pjesmarrje të madhe të shoqërisë civile në këtë kontratë, PD-ja dhe Basha nuk japin garanci, sepse Rama është aty duke na kujtuar se çka premtuar para vitit 2013.
Ndaj para tritolit dhe minave, Lulzim Basha, duhet të na bindë se ka një koalicion serioz dhe të palëkundur me LSI-në, e cila realisht ka mandate e vota gjaku, sepse i ka marrë me mundin e njerëzit e saj, pasi edhe vjet në qershor 2017, kishte përballë në një “dashuri mesnate” PD dhe PS.
S.P.