Lulzim Basha:Zgjedhje, qeveri teknike.
Protesta e djeshme e Partisë Demokratike u shoqërua me tension dhe akte dhune. Përgjatë 4 orëve mijëra protestues mbushën bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke ju përgjigjur thirrjes së kreut të selisë blu, Lulzim Basha për rrëzimin e qeverisë. Në fund të mitingut qeveria nuk ra, por në Tiranë opozita shfaqi një pjesë të harruar të saj, atë të protestave të dhunshme të viteve 1998-2000. Sigurisht në krahasim më të kaluarën edhe dhuna ishte më e moderuar, porse prapë dhunë ishte siç e dënoi edhe ambasadori amerikan Lu. Protestuesit hodhën vezë, bojë, tymuese dhe gurë ndaj godinës së Kryeministrit. Pati disa tentativa që turma të hynte brenda në godinë, por kjo u shmang nga policia dhe nga vetë organizatorët e mitingut të PD-së që nuk kërkonin përplasje frontale. Duke se qëllimi i organizatorëve të PD nuk ishte sulmi direkt ndaj institucioneve sesa ndaj disa simboleve të qeverisë aktuale. Në qendër të sulmit ishte godina e Kryeministrisë dhe saktësisht ndryshimet që i ka bërë fasadës së saj kryeministri Edi Rama. Gjithsesi derisa mbaroi fjalimin Lulzim Basha gjithçka mund të quhet se shkoi shumë mirë, ndonëse pati elementë që nuk i ndalon dot në një turmë stërmadhe.
Tensioni më i madh i protestës, nga Kryeministria u zhvendos te godina e Ministrisë së Brendshme. Pas thirrjes së organizatorëve për të rrëzuar bunkerin e ndërtuar në oborrin e kësaj ministrie, disa qindra protestues u drejtuan për tek ndërtesa afër sheshit “Skënderbej”. Ky grup protestuesish, që njihet me emrin “Korpusi Azem Hajdari”, i përbërë nga të rinj të veshur me simbole të veçanta ishte më aktivi në aktet e dhunshme. Në fakt po të ishte gjallë heroi i demokracisë Azem Hajdari nuk do ti linte të përdornin dhunën,aq me tepër me emrin e tij në shpinë.
Fillimisht u hoq me forcë rrethimi me llamarina i Ministrisë. Gjatë kësaj kohe një pjesë e protestuesve goditën me gurë dhe dritaret e Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Transporteve. Ndërsa më pas ju vu zjarri bunkerit të ndërtuar për qëllime artistike, por që për ish të përndjekurit dhe demokratët është një simbol provokues dhe i panevojshëm. Pas djegies së bunkerit dhe dështimit të demokratëve për ta shkulur atë nga vendi, protesta përfundoi.
Këto ishin tensionet më të mëdha gjatë protestës, e cila nëse nuk do të ishte menaxhuar me kujdes nga ana e Policisë së Shtetit mund të kishte pasur një fund me një bilanc tjetër, në mos tragjik. Nëse Policia nuk do të ishte tërhequr me maturi nga ruajtja e bunkerit, apo do të kishte goditur protestuesit që tentonin të hynin në kryeministri, sot nuk do të numëronim xhamat e thyer në dritaret e institucioneve, por të plagosurit apo dhe të vrarët. Merita nuk është e PD-së që arriti të ndalonte uraganin e protestueseve, por mbi të gjitha është e Policisë që më shumë shqetësohej që demokratët të mbaronin punë dhe të iknin sesa t’i ndalonte. Por ka dhe një fakt që ka dalë nga dora e kreut demokrat Basha. Nuk besohet se Basha ka urdhëruar që të bëhet dhunë. Është tip tjetër ai nga shkatërruesit historikë të PD-së. Duket se një dorë brenda selisë blu ia bëri për t’i ulur pikët tek ndërkombëtarët. Dhe ia bënë! Por kjo nuk do të thotë se protesta nuk ia arriti qëllimit. Ishte e nivelit të lartë në organizim, deri në momentin ku siç thamë më sipër mbaroi fjalimin kreu Basha.
Për Partinë Demokratike protesta ishte e suksesshme dhe nuk pati asnjë akt dhune. Realisht, suksesi i protestës ishte pjesëmarrja e madhe si dhe fakti që nuk degradoi më keq sesa aq, por jo që nuk pati akte dhune. Pavarësisht nëse objekt i sulmit ishin zbukurimet e Ramës në Kryeministri apo bunkeri artistik, të gjitha këto quhen akte dhune duhen trajtuar si të tilla.
Protesta ishte një gjest politik dhe PD duhet të bëjë bilancin e përftimit elektoral dhe jo të tregoj muskujt përballë institucioneve. Kryetari i selisë blu, Lulzim Basha dje kërkoi zgjedhje të parakohshme dhe qeveri teknike. Për herë të parë që nga marrja e drejtimit të PD-së dje ndjehej më i sigurt në krye të partisë. Por pikërisht ajo që dje demokratët nuk e cilësuan si dhunë, politikisht është dhe problemi i tyre më i madh. Ambasada e SHBA dje në mbrëmje dënoi aktet e dhunës. E thënë shqip, i “tërhoqi” veshin Bashës dhe Berishës që dje sodisnin në mes të turmës goditjen ndaj institucioneve.
Fill pas mitingut socialistë shfrytëzuan situatën dhe nuk u morën me thelbin e kërkesave të Bashës, por me atë rrëmujë që lanë pas 100 apo 200 protestues të PD-së. Për socialistët alternativa e demokratëve është shkatërrimi. Askush nga PS nuk ju përgjigj akuzave për varfërinë e qytetarëve, koncesionet, korrupsionin, apo kërkesës për zgjedhje. Tek e fundit, një parti që kërkon zgjedhje dhe sulmon institucionet nuk lë vend për debat normal politik.
Kryeministri Edi Rama ishte i pari që reagoi dje për protestën e Partisë Demokratike. Në një postim në Facebook, pak pasi protestuesit kishin mësyrë në bunkerin te Ministria e Brendshme, nuk hezitoi ti cilësonte demokratët si vandalë. Për Kryeministrin, PD-ja e sotme “përpëlitet mes baltës së mendjeve të errëta të Shqupit dhe një tufe të verbërish të cilët shajnë në hava, thyejnë xhama kot më kot, ndezin zjarre kuturu e dëmtojnë qorrazi pronën publike në mes të bulevardit të Shqipërisë”. Kjo ishte dhe përgjigja ndaj kërkesë së Bashës për zgjedhje të parakohshme.
Megjithatë për PD-në revolta vetëm sa ka nisur. Basha premtoi dje protesta të tjera dhe bëri thirrje për mosbindje civile dhe me reagimin e PS-së duket se protesta e radhës nuk do të mbetet vetëm tek vezët.
Protesta tjetër do të jetë e fundit, që do të thotë se nuk shkulen më nga sheshi para kryeministrisë. Dhe kësaj i ruhet shumë Edi Rama.Kohajone