Lulzim Berisha trondit politikën dhe drejtësinë

 

Vendimi i Gjykatës së Apelit në Durrës që i dha lirinë me kusht Lulzim Berishës, i dënuar me 25 vjet burg dhe i cilësuar si kreu i “Bandës së Durrësit”, ka tronditur dje politikën dhe drejtësinë. Në këtë histori rezultojnë të përfshirë jo vetëm gjykatës të veçantë dhe gjykata të niveleve të ndryshme, por edhe politikanë dhe drejtues të pushtetit vendorë. Historia u komplikua më shumë kur vendimi i Gjykatës së Apelit rezultoi se ishte bazuar edhe në një garanci për punësim të Lulzim Berishës nga Bashkia e Durrësit, e cila drejtohet nga anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Vangjush Dako. Kaq ka mjaftuar dhe një vendim i diskutueshëm gjykate ka rritur në maksimum tensionet politike dhe akuzat pozitë- opozitë për lidhje të politikës me krimin.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi dje shkarkimin e kreut të Bashkisë së Durrësi, Vangjush Dako. Kreu i PD-së Basha shkoi vetë dje në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla për të bërë kallëzim penal ndaj kryebashkiakut të Durrësit. Pas një mbledhje me deputetët e Partisë Demokratike, Basha kërkoi reagimin e ambasadave dhe diplomatëve perëndimor ndaj kësaj ngjarje, që e cilësoi si faktin më domethënës se “politika është bërë njësh me krimin”. “Dako ka përdorur pushtetin dhe zyrën që i kanë besuar qytetarët e Durrësit për të liruar nga burgu një kriminel që ka vrarë dhe ka terrorizuar qytetarët e Durrësit. Vangjush Dako ka zgjedhur me vetëdije të bëhet njësh me krimin dhe kundër qytetarëve”,- u shpreh dje kreu i PD-së.

Me tone më të ashpra për këtë ngjarje ka reaguar dhe deputeti dhe drejtuesi i partisë LIBRA, Ben Blushi. Fillimisht në një postim në Facebook dhe më pas në një fjalim të ashpër në Kuvend, Blushi tha se Vangjush Dako është sot simboli i Rilindjes së Partisë Socialiste. Sipas Blushit është krimi ai që ka punësuar dhe mban në pushtet Vangjush Dakon. “Amerikanët thonë se Gjushi i ka premtuar Gjykatës të punësojë Lul Berishën në Bashkinë e Durrësit. E kanë gabim. Lul Berisha e ka punësuar Gjushin ne Bashkinë e Durrësit. Pra ky i fundit e ka plotësuar Formularin e Punës që ndryshe njihet si Formulari i Rilindjes,- tha dje Blushi

Po dje, Vangjush Dako ka sqaruar dhe pozicionin e tij lidhur me lirimin e Lulzim Berishës. Në deklaratën e parë që bëri dje për mediat, kryebashkiaku i Durrësit u mbrojt duke thënë se vërtetimi i lëshuar është një formular tip, që Bashkia e Durrësit e jep për të gjithë të dënuarit që lirohen me kusht. Sipas tij, një procedurë e tillë është ndjekur edhe në raste të tjera. Ndërkohë që akuzat e ashpra që i janë bërë dje Dako, i cilësoi si politike. Dako përmendi emrin e Lulzim Bashës dhe Ben Blushit si politikanët që po e akuzojnë padrejtësisht për këtë histori. Sipas Dakos, “këto sulme bëhen për të marrë pushtetin”.

 Ndërkohë, në parlament debatet dhe replikat për çështjen e lirimit të Lulzim Berishës kanë vijuar për disa orë. Deputetë të Partisë Demokratike akuzuan kryeministrin Edi Rama, si personin që po i jep mbështetje politike krimit. Ndërkohë, kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi se Lulzim Berishën nuk e liroi nga burgu Vangjush Dako, por sistemi i drejtësisë që është i korruptuar. Sipas tij, vendimin e ka marrë Gjykata e Apelit dhe jo Bashkia e Durrësit. “Ju (deputetët e PD) edhe sot s’keni kurajën të tregoni me gisht se kush e liroi Lulzim Berishën, por vraponi e thoni se e liroi bashkia e Durrësit, imagjino se ku jeni ju”,- u shpreh dje Kryeministri gjatë replikave me deputetët demokratë.

Veç debateve në Kuvend, çështja “Lul Berisha” ka vënë në lëvizje dhe institucionet e drejtësisë. Prokuroria e Durrësit njoftoi dje nisjen e hetimeve për çështjen e lirimit me kusht të Lulzim Berishës. Në njoftimin e prokurorisë thuhet se pjesë e hetimit do të jenë procedurat e ndjekur nga Gjykata e Apelit, por edhe procedurat e Bashkisë së Durrësit për çështjen e garancisë për të dënuarin.

Sipas Prokurorisë rezulton se Lulzim Berisha ka përfituar nga një seri e gjatë vendimesh gjykate për ulje dënimi, si edhe ka përfituar nga ligji i vitit 2012 “Për Amnistinë”. Të gjitha këto vendime kanë bërë që prokurorët të nisin verifikimet për mënyrën sesi kanë vepruar gjykatat. Mes gjyqtarëve që kanë shqyrtuar dosjen e Lulzim Berishës spikasin emra që kanë dhënë edhe më parë vendime që kanë ngjallur debate në opinion.

Jo vetëm nga burgu, por edhe jashtë burgut e trazoi politikën Lulzim Berisha. Me sa duket prokuroria ka disa fletë arreste gati për lirimin e tij. Natyrisht që fletë arrestet do kenë emra të rëndësishëm nga politika dhe nga drejtësia.

Qamil Xhani

SHKARKO APP