Mafia e Tiranës zbarkon në Dibër

 

Fushata për fitoren e Bashkisë së Dibrës për zgjedhjet e parakohshme, pas skandalit seksual të kandidatit të PS-së, është kthyer në një betejë të madhe mes PS e PD. Janë turrur të dyja palët për ta fituar me çdo kusht, pasi duan ta përdorin fitoren për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. PS-ja për të thënë se populli është me të, edhe pas këtij skandali, dhe që të duket si ogur pozitiv për zgjedhjet parlamentare. Ndërsa PD-ja po investohet e gjitha në Dibër për të treguar se populli nuk e do më PS-në dhe fitorja do jetë për opozitën edhe në zgjedhjet e reja politike të pas një viti.

Asnjëra palë nuk e ka shumë merak hallin e dibranëve, se sa kanë hallin e tyre politik në Tiranë. Ndaj përveç një fushate normale lokale ajo po merr ngjyrime politike kombëtare. Janë hedhur në veprim aktivistë, militantë, biznesmenë, kriminelë, të kërkuar nga policia dhe vetë shefa policie. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi dje se edhe forca të ushtrisë janë dërguar në zonën elektorale. Një akuzë që krijon idenë se kjo fushatë po shihet si një betejë politike. Krejt shteti ka shkuar atje, në Dibër. Edhe PD-ja ka mobilizuar gjithkënd që ka pas vetes.

Po hidhen lekë nga dyja palët, por me shumë thasë me euro po shkojnë nga mazhoranca. Premtime, presione, pazare, tendera, lekë, euro, mafie, politikë, krim, ndershmëri, etj, janë përzier në Dibër këto ditë. Mazhoranca ka vendosur që dispozicion të fushatës që nga automjetet e Doganave, deri tek punonjësit e ministrive që kanë harruar çdo cep tjetër të vendit dhe po shpikin plane dhe investime në fshatrat e Dibrës. Dibra nuk e ka pasur këtë interes as gjatë zgjedhjeve parlamentare. Maksimumi, kryeministri apo kreu i opozitës kanë shkuar në mitingje dhe më pas janë harruar premtimet. Askush nuk i ka hedhur sytë nga Dibra deri në zgjedhjet e radhës. Ndërsa në këto zgjedhjet e pjesshme, Kryeministri dhe deputetët e PS nuk po lënë shkollë dhe çerdhe në Dibër pa e reklamuar si një sukses të qeverisjes.

Më shqetësuese nuk janë projektet urgjente të ministrive, sesa një tjetër lloj investimi i frikshëm. Dibra këto ditë nuk ka vetëm zyrtarë me kravatë, por edhe njerëz me precedentë penalë me armë në brez. Ka emra të botës së krimit dhe veprave të bujshme kriminale gjatë viteve të kaluara, por edhe “biznesmenë” të parcelave me hashash gjatë viteve të fundit. Njërëzit që shkojnë në fushata për presion, ose për zarfet me euro dhe lekë ndodhen këto ditë në përballjen elektorale në Dibër. E gjithë ana e errët e politikës, ajo që vepron kur përfundojnë mitingjet dhe largohet kandidati kanë hyrë në aksion si asnjë herë më parë.

Mundësitë më të mëdha ekonomike për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, zakonisht i ka mazhoranca. Opozita, si rregull, detyrohet të përgjigjet në të njëjtën mënyrë. Gjithë kjo vëmendje që po shkon për fushatën do të sjellë dhe përplasje mes dy kampeve, ose do të sjellë bojkotin dhe mosnjohjen e rezultatit nga opozita. Po kërkojnë me çdo kusht dhe në mënyrë jo të ndershme fitoren, në një zonë që edhe nëse e fiton, edhe nëse e humb nuk ndryshon kompozimin politik në Tiranë. Po e kërkon sherri mazhoranca me duart e saja në Dibër.

Një dyndje e paparë interesi politik dhe financiar po derdhet në Dibër, aqsa dibranët në këtë mënyrë kanë me leverdi të kenë zgjedhje lokale çdo vit, sepse marrin euro nën dorë sa nuk kanë marrë asnjëherë.

Me humor një dibran tha për “Koha Jonë” se “ma mirë të kemi zgjedhje çdo 6 muaj se na vijnë deputetët, leku dhe muhabeti në çdo katun”. Ironi therëse, porse nëse do me të vërtetë ambasadori amerikan Donald Lu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako që të kapin kriminelët me të kërkuar të lidhur me politikën i kanë këto ditë në Dibër, shoqëruar me politikanë.

Dibra është shquar për burrni, zgjuarsi dhe besë. Ndaj këto ditë e kanë zaptuar përveç të mirëve nga të dyja anët e politikës edhe plot kriminelë, zaptues, parelinjë, matrapazë, etj.

Mos e bëni Dibrën pis me pisat kriminelë që keni nisur për të blerë votat.

SHKARKO APP