Mafia italiane e plehrave dhe pazari Rama-Basha
– A ndërhyri mafia italiane dhe europiane për takimin e mesnatës se 17 majit?
– Miliarda euro qarkullojnë në BE për të miratuar ligjin e plehrave dhe importuar e tyre në Shqipëria. Ligji u ofrua nga PS dhe u bllokua nga LSI.
Ka shumë të pathëna për arsyet që çuan në një marrëveshje të pa imagjinuar nga askush, pra Edi Ramën dhe Lulzim Bashën. Deri më 17 maj të dy silleshin si armiq të egër dhe premtonin se do të eliminonin njeri-tjetrin. Madje, Basha deklaronte se, “do ta tërhiqte zvarrë kryeministrin” nëse ai nuk ikte nga qeveria. Pakti që u arrit në pak orë u shit si dorëzim për “interesat e vendit”. Por nëse sheh historikun e zhvillimeve të viteve dhe muajve të fundit në vend, afrimi i tyre dhe arritja marrëveshje-pazar nuk ka qenë e rastësishme. Brenda kësaj marrëveshjeje janë hijet e koncesioneve, tenderave, por edhe interesave të mafies dhe grupeve kriminale në rajon dhe në Bashkimin Europian. Kemi të drejtë të ngremë këto dyshime dhe akuza, pasi dështuan amerikanët, dështuan të BE, dështoi krejt politika dhe shoqëria shqiptare për t’i ulur bashkë për të gjetur një zgjidhje. Dhe befas, në mesnatë, ranë dakort!
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka bërë dje një deklaratë të pazakontë që flet për interesa të klaneve mafioze të importit të mbetjeve. Në takimin elektoral të Shkodrës, ai deklaroi se: “Më 25 qershor vota do të jetë për LSI dhe jo për ata që duan t’i japin në mënyrën më të errët dhe jo transparente të gjithë pasuritë natyrore të shqiptarëve me koncesion. Do të jetë një votë kundër atyre që nuk veprojnë në interes të rinisë, por të mafies italiane dhe europiane për ta kthyer Shqipërinë në një gropë të mbetjeve të rrezikshme të Italisë dhe të Europës”.
Nëse shihen veprimet e fundit të dyshesh Rama-Basha disa gjëra përkojnë. Marrëveshja mes Edi Ramës dhe Lulzim Basha fillimisht u deklarua si proces vetëm për zgjedhjet. Më pas u njoftua se veç ministrave që do merren me fushatën dhe administratën, PD-së ju dhanë dhe disa drejtori që nuk kanë lidhje me zgjedhjet, por kanë lidhje vetëm me paratë dhe buxhetin e shtetit. OSHEE, Hipotekat, AZHBR etj., janë institucione ku gjithmonë interesi ka qenë ekonomik dhe jo politik. Në të gjitha rastet janë prekur drejtori që njihen si “burim parash”. Kështu deklaronte dikur PD për OSHEE. Tani kanë nisur të dy, Rama dhe Basha, të flasin për vijim të aleancës edhe pas zgjedhjeve me ndryshim të Kushtetutës, Kodit Zgjedhor shumë ligjeve të tjera. Ndërkohë, ligji i plehrave ndodhet në sirtarët e Kryeministrisë, sepse e bllokoi LSI-në. Nuk i dha votat për ta miratuar. Edhe PD votoi kundër, por tani duket se lëvrijnë miliarda euro dhe tundimi nuk duket i lehtë.
Marrëveshja Rama-Basha duket se prek çështje të mprehta që kanë të bëjnë më pasuritë natyrore kombëtare dhe me importin e mbetjeve. Konkretisht, ligji i importit të mbetjeve nga Italia dhe BE ishte më i debatuari gjatë vitit që lamë pas. PD e miratoi në vitin 2012 dhe PS e shfuqizoi në vitin 2013. Në vitin 2016, Edi Rama e solli sërish këtë ligj që lejon importin e mbetjeve nga Italia duke përfshirë dhe lëndë të rrezikshme. Argumenti ishte se vendi fitonte miliona dollarë nga marrja e mbetjeve nga vendet e BE. Ndërkohë që, rreziku është se bashkë me mbetjet normale, në Shqipëri mund të hyjnë dhe mbetje kimike dhe radioaktive. Pati zëra dhe shkrime në mediat italiane dhe rajonale se pas importit të mbetjeve në Shqipëri dhe vende të tjera fshihet mafia italiane dhe organizata kriminale të vendeve të Bashkimit Europian. Nëse nuk do të ishte vota e LSI-së kundër, Qeveria do e kishte futur në zbatim ligjin menjëherë. Pas LSI-së edhe PD-ja në opozitë u detyrua ta kundërshtonte formalisht. Rama e miratoi në Kuvend projektligjin me minimumin e votave. Presidenti Nishani nuk e dekretoi dhe e ktheu sërish në Kuvend. Protestat e nisura në vend dhe reagimi i fortë i LSI-së për të mos e votuar kanë bërë që projektligji të mbetet ende në sirtarët e komisioneve të Kuvendit pa u miratuar dhe një herë në Parlament.
Pjesë e pazarit Rama-Basha është dhe miratimi i ligjit për importin e mbetjeve. Për të arritur deri këtu është e kotë të flasim për moral dhe politikë. Mjafton të sjellim në vëmendje se vitin e kaluar, gjatë debatit për mbetjet u fol për miliarda lekë të investuara nga mafia italiane që ky ligj të kalonte në Shqipëri dhe t’i hapte rrugën e kthimit të vendit në një kazan mbeturinash. Zyrtarë të lartë të Qeverisë shqiptare dyshohet se ishin financuar për mbështetjen që i bënë në qeveri dhe Kuvend këtij projekti. Madje, një zyrtar me profesion avokat i një institucioni ekzekutiv thuhet se, ka qenë lobuesi direkt për miratimin e ligjit. Janë pikërisht të njëjtit njerëz që kanë qenë afër Ramës dhe Bashës gjatë ditëve të negociatave dhe që kanë ndërmjetësuar takimet.
Derisa Rama dhe Basha nuk janë transparentë për takimin dhe rënien dakort në një natë të befasishme, publiku ka të drejtë të dyshojë dhe të pyesë: A është mafia e importit të plehrave që bënë pazarin Rama-Basha?
Q.XH.