Mafia shqiptare e basteve të futbollit
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:06
Për të disatin vit radhazi futbolli shqiptar është futur në listën e zezë të trukimeve. Organizata evropiane “Federbet” në raportin e saj për ndeshjet e trukuara e rendit Shqipërinë mes vendeve problematike për ndeshjet e fiksuara dhe lojën e pistë me bastet sportive. Në raportin për këtë vit “Federbet” ka futur në listën e zezë 7 vende; Shqipëri, Mali i Zi, Bullgari, Qipro, Maltë, Kanada dhe Indonezi. Sipas raportit, këta rezultojnë të jenë vendet ku ndeshjet e ligës rezultojnë të jenë fiksuar. E njëjta organizatë, një vit më parë citoi dy ndeshje të Kategorisë Superiore si të trukuara. Sipas kompanisë; Lushnja-Teuta dhe Kastrioti-Tirana, 2 ndeshje që janë luajtur më 30 prill të vitit të kaluar, ishin të trukuara. Këtë herë skuadrat e dyshuara janë sipas raportit të “Federbet”: Skënderbeu, Flamurtari dhe Laçi. Kjo e fundit ngriti dyshime të shumta pas sfidës miqësore me Stuttgart në Portugali, ku u mund thellë 5 me 0. Sa i përket 5 herë kampionëve të Shqipërisë, Skënderbeut, ata dyshohen për miqësoren e janarit me belgët e Oostend, ndeshje e humbur me rezultatin 4 me 0. Ndërkohë që Flamurtari dyshohet për ndeshjen me gjeorgjianët e Bolnisit. Konkretisht për ndeshjen e kthimit në Shqipëri, ku vlonjatët humbën me gola të shënuar në pjesën e dytë.
Këtë herë raporti i “Federbet”, një organizatë që cilësohet si më seriozja në kontrollin e ndeshjeve është paraqitur dhe në Parlamentin Europian. Në raport, lista e ndeshjeve të ekipeve shqiptare nuk i bën nder futbollit shqiptar. Dokumenti i trukimeve i paraqitur dhe në Parlamentin Europian jep një situtatë të zymtë edhe për ndeshjet në vendet e tjera. Gjatë këtij sezoni në ligat e ndryshme të futbollit janë vërejtur më shumë se 500 ndeshje të dyshuara dhe 110 të trukuara. Skandali lidhet se pjesa më e madhe e trukimeve lidhet me kampionatet euriopiane.
Francesco Baranca, Sekretar i Përgjithshëm i “Federbet”, tha dje në takimin me eurodeputetët e PE-së se problemi i ndeshjeve të shitura po bëhet i rrezikshëm edhe në vendet ku më parë s’ka pasur ndeshje të fiksuara, si Zvicra, Suedia e të tjerë. Duke folur për rajonin e Ballkanit, ai u ndal tek shitja e lojtarëve në kampionate të ndryshme. “Disa lojtarë nuk shiten sepse vlejnë nga një ekip tek tjetri, pra nuk janë lojtarë të mirë, por janë shitës të mirë ndeshjesh”, tha Baranca. Probleme serioze në vendin fqinj ka dhe ekipi i Lacios ku bëjnë pjesë mjaft shqiptarë; Igli Tare, Lorik Cana dhe Etrit Berisha. Sekretar i Përgjithshëm i “Federbet” thotë se për ndeshjet në disa vende do të hartojë një raport që do t’ia paraqëse policisë. E megjithatë, njerëzit që janë rreshuar në luftën kundër trukimit të ndeshjeve, thonë se ky fenomen nuk ndalet.
Raporti edhe pse i një kompanie të pavarur ngre dyshime për mënyrën sesi funksionon dhe futbolli në Shqipëri. Fakti që vendi ynë renditet në listën e vendeve problematike është një sinjal alarmi për Federatën Shqiptare të Futbollit. Në raport, interesant është dhe fakti se vendet ku ka më shumë korrupsion në institucione, rezultojnë dhe ato me më shumë probleme me futbollin. E në këtë pikë, Shqipëria nuk ka si të mbetet jashtë duke u renditur mes vendeve ku dyshimet janë më të mëdha. Çështja e ndeshjeve të shitura tashmë nuk është më pjesë e thashethemnajës, por gjendet e pasqyruar në një raport ndërkombëtar. Futbolli shqiptar veç problemeve të tjera përballet edhe me imazhin e keq të ndeshjeve të pista. Milionat që qarkullojnë në këtë bizes duket se kanë krijuar struktura të mirëfillta mafioze që arrijnë të përsërisin fiksimin e ndeshjeve disa vite radhazi, pa pësuar asnjë problem.
Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë disa masa gjatë viteve të kaluara, por duket se ky fenomen është më i madh sesa kompetencat e FSHF-së dhe gjobat nuk janë të mjaftueshme pa pasur hetime dhe ndëshkime ligjore ndaj lojtarëve apo drejtuesve të ekipeve që hyjnë në pazare. Nëse nuk merren masa, nuk është çudi që disa vende duke përfshirë këtu dhe Shqipërinë, të përjashtohen nga kompeticionet ndërkombëtare në rast se nuk shmangin ndeshjet e blera.