Magjarë dhe jaguarë
Nga Dritan Hila.
Në mandatin e tij të parë, Berisha ndërmori një iniciativë sa populiste aq dhe bigote. Konsistonte në heqjen e shoferëve për zyrtarët e lartë dhe privatizimin e makinave që këta kishin në dispozicion. E gjitha ishte gjellë për dhëmbët e propagandës. Në fakt ishte korrupsion i pastër shtetëror. Pasi spastroi administratën dhe vendosi njerëzit e tij në postet kyçe, i doroviti edhe me makina. Autovetura dhe fuoristrada me pak mijë kilometra u shitën për një copë buke. Ndërkohë zyrtarët pasi futen makinat në garazhet e tyre, morën makina të tjera nga parqet e dikastereve me po ata shoferë që kishin. Qeveria miratoi edhe një vendim që i kompensonte me qindra mijëra lekë zyrtarët për të përballuar lëvizjet me makinat e tyre ose taksi! Tjetër shpërblim ky. E gjithë kjo ndodhte në kohën kur djali i Berishës lobonte për Gërdecin, ndërsa Berisha vete kishte veshur mantelin antikorrupsion te Robespierit dhe sokellinte kundër vaskave prej floriri të opozitës.
Me ardhjen e qeverisë Rama në kuadër të programit “Shfaqja vazhdon”, kryeministri ju hoqi zyrtarëve kompensimin financiar. Një lloj poshtërimi tipik prej sundimtari oriental nga kryeministri i cili hidhte në gojën e turmave bashkëpunëtorët e vet dhe e sadizmit të këtyre të fundit për qeverisësit e tyre, sa nuk është e vështirë të kuptohet pse ky vend ka këtë klimë pabesie totale. Por këtë rradhë vartësit e Ramës lëviznin ose me makinat e tyre ose me ato të superamortizuara që kishin mbetur nëpër parqe. Komentet, shkrimet, ku gazetarë dhe anonimë kënaqeshin që shikonin në hall zyrtarët e shtetit të tyre gëlonin, a thua se i detyronte kush ti votonin. Qëmtoheshin shembuj nga shtete të zhvilluara si Norvegjia apo Suedia, dhe kërkohej paralelizëm më pocaqillëkun e Tiranës ku nuk ke ku parkon.
Një shtet serioz, nuk lë zyrtarët e vet të telendisen rrugëve. Edhe një vend si Shqipëria, duke pasur parasysh nivelin e rrogave, trafikun publik mizerabël, sistemin rrugor sklerotik dhe mungesën e pakingjeve qytetës, nuk mund të marrë shembujt nordikë apo britanikë. Si mund të mendohet që një zyrtar të shkojë në takime apo mbledhje me makinën e tij, dhe nuk ka ku parkon. Apo të udhëtojë me sistemin publik që nuk ka as kushte, as orare. Si mundet komandanti i Forcave Tokësore, Ajrore apo Detare, një njeri që lëviz qindra trupa e mjete, të udhëtojë me autobuzat e linjës?! Pasi sipas ligjit, kështu është.
Në një vit e gjysëm eksperiencë qeverisëse, kam përjetuar situatë tragjikomike. Tre herë kam mbetur në mes të rrugës duke shkuar në takime pune me të huaj, nga difektet e SEAT-it që kisha në përdorim nga parku i ushtrisë, një biçim bidoni me katër rrota. Në pritjen e ministrit kroat të mbrojtjes u prish në mes të rrugës nga Rinasi makina ku udhëtonte kabineti i tij. Ndërsa kur erdhi ministrja italiane e mbrojtjes, për fat që ajo udhëtonte me ambasadorin e saj, pasi makina e planifikuar, një LANCIA e superamortizuar, ju dogj motorri në mes të rrugës.
Shteti serioz nuk mund t’ia lejojë vetes një situatë post “revolucioni kulturor” kinez. Sjellja e qeverisë së shkuar, është në vazhdën e papërgjegjshmërisë së saj në qasjen ndaj shtetit. Do të ishte dinjitoze që qeveria aktuale të pajiste zyrtarët e saj me makina dhe ndryshonte ligjin pugaçovian të Berishës. Sa i takon markës dhe çmimit, mund të blejë 3 ose 4 makina me çmimin e një Jaguari. Dhe kryeministri mund të jetë i qetë se bën një qasje dinjitoze në ndërtimin e shtetit, por dhe mos të merakoset se ku do të shkojnë paratë. Vaji do të bjerë gjithmonë në lakra. Por të paktën, funksionarët e shtetit do të kenë mundësinë e një prezantimi dinjitoz.