Majko: Unë jam një muxhahedin !

Ardhja edhe e dy mijë muxhahedinëve iranianë të tjerë në Shqipëri ka qenë një vendim i guximshëm i Edi Ramës. Dhe që duhej të merrej përballë aleatit më të madh të shqiptarëve, pra SHBA. Kjo natyrisht ka edhe përkrahjen e krejt klasës politike.Dëshmi e këtij fakti janë takimet që politikanët kanë zhvilluar në vitin 2014 në Paris, ku ndodhet dhe qendra e lëvizjes opozitar iraniane. Në mars të vitit 2014 një delegacion i përbërë nga ish-kryeminsitri Sali Berisha dhe ish-kryeministri Pandeli Majko, ministrja Ermonela Felaj dhe rreth 20 deputetë dhe përfaqësues të politikë kanë marrë pjesë në takimin e “Këshillit Nacional të Rezistencës Iraniane”, pjesë e cilit janë muxhahedinët që do të vijnë në Shqipëri. Në këtë takim bie në sy fjalimi i ish-kryeministrit Pandeli Majko, i cili shpreh mbështetjen ndaj kauzës së opozitës iraniane. Në fjalimin e tij, Majko shpreh mbështetje të hapur për kauzën e opozitës iraniane, teksa deklaron në emër të gjithë pjesëmarrësve shqiptarë në takim; “Unë jam muxhahedin!”. “Disa vite më parë në mes të Luftës së Ftohtë, Presidenti amerikan Kenedy ishte në Berlinin lindor. Berlini lindor ishte pak a shumë si kampi i Ashrafit në mes të botës komuniste. Dhe nga Berlini ky politikan i madh amerikan deklaroi shprehjen e famshme “Unë jam një berlinas!”. Dhe në emër të të gjithë miqve të mi, ne kemi ardhur këtu të themi ‘men muxhahed hastan’ (ne jemi muxhahed)”, tha Majko. Në fjalën e tij ish-kryeministri Majko thotë se e ka paragjykuar fillimisht lëvizjen e muxhahedinëve në Iran, pasi shumë miq i kanë thënë se “janë terroristë”. Kryeministri shton se pasi ka njohur nga afër atë që ndodh ka kuptuar realitetin.

Në të njëjtin takim ka folur dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ndryshe nga Majko Berisha ka qenë më korrekt lidhur me fatin e muxhahedinëve në kampin “Ashraf” në Irak. Ai ka përmendur marrëveshjen e bërë në vitin 2013 me SHBA për pranimin e 214 muxhahedinëve, ndërsa ka shtuar se qeveria e re e Kryeministrit Rama duhet të pranojë dhe pjesën tjetër. “Erdha me shumë dëshirë këtu t’ju sjellë edhe përshëndetjet e bashkëqytetarëve tuaj, muxhahedinëve të Tiranës, një komuniteti të vogël të mrekullueshëm, që një vit më parë lanë kampin e Liberty dhe erdhën në kryeqytetin tonë. Ju duhet të jeni krenarë për ta. Një vit më parë qeveria amerikane dhe miqtë tuaj evropianë më kërkuan të marr një vendim dhe në fund unë nuk hezitova aspak, në kuadër të të drejtave të njeriut. Unë shpresoj që qeveria aktuale e Shqipërisë të marrë të njëjtin vendim për bashkëpatriotët tuaj që mund të vijnë nga kampi i Liberty”, – tha Berisha.

Tre ditë më parë Sekretari i Shtetit Amerikan, John Kery vizitoi Tiranën ku pjesë e diskutimeve ka qenë dhe çështja e transferimit të 2 mijë muxhahedinëve të tjerë nga Iraku. “Zëri i Amerikës” raportoi se vizita ishte shenjë falenderimi ndaj qeverisë shqiptare për vendimin e marrë. Ndërsa bëhej e ditur se agjencitë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të japin asistencën e duhur materiale dhe monetare për vendosjen e muxhahedinëve në Shqipëri.

Kur qeveria “Berisha” pranoi muxhahedinët e parë në vitin 2013 pati reagime zyrtare nga Irani. Kryetari i një komisioni të rëndësishëm parlamentar në Iran deklaroi se pranimi i muxhahedinëve, sipas tij terroristë, do të sillte kërcënim për sigurinë e Shqipërisë. E njëjta gjë ka ndodhur dhe këtë herë. Radioja “Iraniane në Shqip”, një agjenci lajmesh e sponsorizuar në gjuhën shqipe nga Irani paralajmëron se në Shqipëri do të vendoset baza e muxhahedinëve. Në artikullin me titullin, “Kerry sjellë në Shqipëri terroristë”, thuhet se pritet që në Shqipëri të vendoset edhe kreu i “organizatës më të rrezikshme terroriste Maryam Rajavi”. Artikulli i agjencisë zyrtare me nota paralajmëruese për Shqipërinë kërkon që të ketë dhe reagime nga funksionarët politikë në Shqipëri për rrezikun e terroristëve.

Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare është ndër të paktat raste kur ka një konsensus të gjerë në politikën shqiptare. Si nga mazhroanca dhe opozita nuk ka asnjë dilemë se vendimi i marrë nga qeveria “Rama” ishte i duhuri. Edhe vetë ish-kryeministri Sali Berisha,që para vizitës së Sekretarit Kerry, deklaroi në Kuvend se qeveria “Rama” duhet të zbatonte angazhimet ndaj partnerëve tanë në Uashington për këtë çështje.

“Unë jam një muxhahedin!”- tha Majko. Dhe po pret ish-kryeministri socialist të shkojë në Teheran në kryeqytetin Iranian të hajë një akullore me muxhahedinët e Tiranës. Kështu tha Majko. Edhe Edi Rama mund të shkojë për akulloren e Majkos në Teheran.

Të gjithë po presim për akulloren e Teheranit.

 

 

 

 

SHKARKO APP