Manifest për një fe islame moderne

Intelektualët myslimanë kërkojnë një fe islame të reformuar, ata duan zhvillimin e një feje, që përshtatet me shekullin e 21-të. Loay Mudhoon e përshëndet këtë manifest për një fe moderne islame.

 

Në një manifest të formuluar shumë qartë, katër intelektualë të njohur myslimanë kanë apeluar tek të gjithë autoritetet politike e fetare në vendet me shumicë myslimane dhe në Europë të angazhohen pa asnjë hezitim për një fe islame demokratike. Tek formulimi i qartë bën pjesë edhe fakti që ata kërkojnë veprime konkrete: „Një konferencë në Francë në vitin 2016, në të cilën personalitetet myslimane „të përcaktojnë konturet e një feje islame të përparuar“, i cili „të hedhë themele në shekullin e 21.“

Katër intelektualët janë: Tariq Ramadan, profesor për shkencat bashkëkohore islame në Universitetin e Oksfordit, kreu i lëvizjes opozitare së Malajzisë, Anvar Ibrahim, edhe në bordin e Forumit Botëror të Demokratëve Myslimanë, si edhe Ghaleb Bensheik, kryetar i Konferencës Botërore për Paqen e feve e Felis Marquardt, themelues i fondacionit Abd al-Raḥman al-Kavakibi. Ata kritikojnë ashpër vëllezërit e besimit dhe shtrojnë pyetje jo të rehatshme dhe kërkojnë të diagnostikohet pa paragjykime gjendja aktuale e vështirë e islamit si fe dhe zhvillimi i një kritike fundamentale të kulturës e fesë islame.

Hartuesit pyesin me të drejtë: Pse kanë mbetur pa përgjigje të gjitha thirrjet për një rilindje të trashëgimisë kulturore të islamit? Pse nuk mundën të drejtonin islamin në rrugën e modernes lëvizjet reformuese, kritike tradicionalisht e të bazuara mbi arsyen të shekullit të 19-të? Pse mendimtarët reformatorë, që kërkojnë të lidhin arritjet e modernes me normat dhe vlerat e islamit, qëndrojë shpesh në periferi të shoqërive të tyre, ose madje të humbur?

Pyetja kyçe

Në kontekstin e një vale dhune në emër të fesë islame ka një rëndësi të veçantë që myslimanë të moderuar ta rifitojnë epërsinë e interpretimit të fesë islame. Për të arritur këtë është e pashmangshme që ata të shtrojnë pyetjen kyçe: Kush mundet dhe lejohet të përcaktojë çfarë përbën „islamiken“ në formë të detyurueshme? Islami nuk njeh struktura të hirearkisë dhe nuk ka një instancë qendrore mësimdhënëse si feja katolike.

Mungesa e një instance të tillë qendrore mund të shihet si një gjë bazike demokratike e madje mund ta admirojnë edhe intelektualë perëndimorë. Por kjo është shumë problematike, sepse u lejon teologëve të paaftë, predikuesve të urrejtjes të të gjitha ngjyrave të deklarojnë si „legjitime për islamin“ akte terroriste dhe barbare – e me këtë duke i kthyer në një ad absurdum normat elementare të tij. Vështirësitë shtohen, pasi në shumë vende islamike fenomene kulturore mendjengushta si vahabizmi zotërues në Arabinë Saudite keqkuptohen si dogma fetare, megjithëse ato kanë të bëjnë pak me fenë islame.

Impulse reformimi

Katër vite pas Pranverës Arabe janë zhgënjyer gati plotësisht shpresat për një vale demokratizimi në botën arabe. Edhe një dialog i brendshëm në fenë islame apo debate reformuese për zgjidhjen e problemeve aktuale është gati inekzistent. Faktikisht „bota islame“ nuk ekziston si formacion politik. Ajo nuk ka qenë asnjëherë një konfiguracion i njësuar. Ajo është më shumë një botë e shpërndarë dhe shumica e shteteve myslimane është e preokupuar më shumë të zgjidhë konfliktet e brendshme të legjitimetit dhe vatrat e luftërave reprezentative se sa të merret me reformimin.

Por pikërisht sepse nuk priten impulse substanciale reformimi nga bota islame mund të shihet apeli i „myslimanëve demokratë“ si një hap civilizues, madje epokal. Po, të gjitha autorietet e botës myslimane, teologët e orientuar nga reformat dhe vendimmarrësit duhet ta ndjekin thirrjen për një konferencë të tillë!

Është një mundësi historike që myslimanët demokratë nga të gjitha anët e botës të zhvillojnë një formulë të re për të rinovuar rrugën e islamit drejt modernes. Ne kemi nevojë urgjente për një formulë konsesusi të botës së islamit, që di t’i përgjigjet realiteteve komplekse të shoqërive pluraliste, multietnike e multifetare. Europa duhet ta mbështesë këtë iniciativë fort, e për interesin e saj. Jo si kundërpërgjigje për xhihadizmin, por sepse Europa e kupton vetveten si një bashkësi vlerash demokratike.

(Marre nga radio gjermane “DW”)

SHKARKO APP