Manjani: Të publikohen emrat e investuesve nga kompanitë offshore

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, përmes një postimi në facebook shkruan se Britania e Madhe vendosi të bëjë transparencën e kompanive offshore, ndërsa gjermanët e hodhën të parët këtë ide për të zbardhur gjithçka sepse shumë biznesmenë dhe politikanë fshihen pas këtyre kompanive.

Duke u ndalur në rastin e kompanisë naftës ”Gulf”, Manjani thekson se Shqipëria e ka domosdoshmëri bërjen e ligjit për ndalimin e investimeve nga kompanitë offshore.

Kam 2 vite që e them, kërkoj dhe propozoj këtë gjë! Herët a vonë “offshorsat”, që janë ose do jenë këtu do të duhet të zbardhin letrat, jo më dhëmbët”,-shkruan Manjani.

Me ironi, ish-ministri i Drejtësisë thotë se nuk mundet që një biznes që nuk i hyn gjë në këmbë, por që ngul gjëmba në treg. ”Nuk ka kuptim që një polic hallexhi të vettohet për rrogën që ka marrë, ndërsa një biznes që s’dihet nga vjen, të mos i hyjë gjemb në këmbë. Megjithëse ngul gjëmba në treg. Transparenca është baza e besueshmërisë”,-shton më tej ish-ministri i Drejtësisë.

Në tregun shqiptar operojnë me dhjetra kompania vendase dhe të huaja të cilave nuk u dihet pronari real, për shkak se regjistrimi i tyre në zonat offshore nuk lejon zbulimin e emrave pronarëve apo kapitaleve reale.

Në jo pak raste, bizneset që operojnë në Shqipëri me emra pronarësh të huaj, në fakt kanë pronarë politikanë shqiptarë që kanë fshehur pasuritë në zonat offshore. Në të kaluarën, nuk kanë munguar rastet kur ministra të veçantë kanë lobuar për futjen në treg të kompanive të huaja, kur në fakt bëhej fjalë për kompani ku edhe vet ministrat apo zyrtarët kanë qenë aksionerë.

Skema sesi funksionojnë këto kompani është e njohur nga institucionet shqiptare, por ligjet nuk mundësojë zbardhjen e origjinës së vërtetë të pasurisë dhe pronarëve.

Veç zyrtarëve shqiptarë që hyjnë në treg me kompanitë false, investimet e kompanive të huaja nga zonat offshore kanë dhe rrezikun e investimeve nga paratë e drogës dhe krimit. Grupe të fuqishme kriminale i depozitojnë paratë pikërisht në këto zona ku nuk kërkohet deklarimi i burimit të pasurisë. Më pas, paratë e krimit hyjnë në ekonominë e ligjshme në formë investimesh vendase ose të huaja.

Apeli që bën sot ish-ministri Ylli Manjani është një emergjencë për të zbardhur skemën e pastrimit të parave dhe ndikimin e zyrtarëve në biznesin vendas. Është një alarm që u ndez me kompaninë e naftës ”Gulf”, e cila rezultoi një piramidë financiare. Nëse nuk ndërhyhet në kohë mund të ketë dhjetëra kompani të tjera me të njëjtat probleme, që janë rrezik për ekonominë dhe financat e qytetarëve. 

Postimi i plotë i Ylli Manjanit në Facebook:

Britania vendosi të bëjë transparencën e kompanive offshore! Gjermanët e hodhën të parët këtë ide.

Shqipëria jonë e ka domosdoshmëri bërjen e ligjit për ndalimin e investimeve nga kompanitë offshore!!!

Kam 2 vite që e them, kërkoj dhe propozoj këtë gjë!

Herët a vonë “offshorsat”, që janë ose do jenë këtu do të duhet të zbardhin letrat, jo më dhëmbët!

Nuk ka kuptim që një polic hallexhi të vettohet për rrogën që ka marrë, ndërsa një bisnes që sdihet nga vjen, të mos i hyjë gjëmb në këmbë. Megjithse ngul gjêmba në treg…

Transparenca është baza e besueshmërisë!

SHKARKO APP