Masazhi dhe mesazhi i Ilir Metës
Ilir Meta foli për mediat duke dalë nga një qendër masazhi në hotel “Grand”. Pasi kishte mbaruar masazhin pas një kohe sflitëse të këtyre muajve me tensione reforme në drejtësi dhe në koalicion me PS-në, pasi këto ditë ishin mbushur zyrat shtetore dhe web-et e mediat se “koalicioni PS-LSI+ mbaroi”, pasi mori informacion se dikush po gërmonte në interesat e ndonjë deputeti të PD-së se çfarë mund t’i bënte ministri i financave Arben Ahmetaj, pasi lodhi nervat e të gjithëve me qetësinë e tij, pasi ndoqi gëzimet e disa miqve-armiq të cilët festonin se “iku LSI-ja nga bashkëqeverisja”, pasi takoi shumë njërëz në bazën e majtë, të cilët ishin me të rreptë se vetë rreptësia, të cilët donin mbajtjen e premtimeve të bëra në qershor 2013 nga Rama-Meta dhe pasi insistoi për koalicion sa më të gjerë në reformën e drejtësisë, Ilir Meta, pas masazhit dha mesazhin:Koalicioni vazhdon sipas Marrëveshjes së firmosur dhe nuk ka qeveri teknike.
Pra e thënë troç:LSI respekton marrëveshjen deri në fund. Por nëse të tjerët, pra Edi Rama, ishte nënteksti i mesazhit pas masazhit synon të punojë kulisave për të rrëzuar qeverinë e votuar me 1 milion vota, atëhere ka zgjidhje të tjera, të cilat nuk i tha në seancën e pasmasazhit, por që kuptohen kur përmendi dy herë liderin e Opozitës Lulzim Basha si bashkëpunues në konsensus për reforma të mëdha.
Ilir Meta kur tha se nuk ka qeveri teknike e kishte fjalën që nëse Rama dhe PS-ja respektojnë marrëveshjen për bashkëqeverisjen dhe punojmë për të mbajtur premtimet. Por nëse kulisat, pazaret për blerje deputetësh nga PS-ja, pabesitë dhe smira se mos LSI-ja shton votat si forcë politike me shumë se në zgjedhjet vendore 2015, atëhere vjen qeveria teknike.
Nën buzëqeshjen e pas masazhit Meta e dha mesazhin për Edi Ramën e sidomos për disa deputetë rreth kryeministrit që bubulojnë gjithë darkave sepse synojnë që nga konflikti mes Ramës e Metës mund të jenë të rëndësishëm për pushtetin apo për çdo pushtet. U tha rrini urtë dhe mos bëni kulisa!
Kreu i Kuvendit, ndonëse si me lezet e përmendi faktin që ne si mazhorancë i kemi 84 votat për miratimin e 7 ligjeve të Reformës, por insistoi se duhet përsëri gjetja e konsensusit me Opozitën. Ndërkohë lideri Basha kërkoi dje “qeveri teknike” dhe e vuri si kusht për zgjedhje të lira, duke ia hedhur topin në fushën e Ilir Metës, i cili mori bilbilin si gjyqtar mes palëve dhe iu drejtua Kryeministrit: “Nëse do rri korrekt, në të kundërt topin e kam dhe po gjuaj penalltinë !”. Rama nuk shquhet për penallti në futboll. Edhe kur loz luan me xhaketë veshur! Luan basketboll dhe stërvitet në fushën e pas kryeministrisë, por harron se tani luhet me “topa” të gjatë dhe vetëm kur të shohesh golin në portën tënde !
Dje Ilir Meta kishte seancën e parë të masazhit për muajin gusht. Duket se nga një seancë bën çdo muaj për të dhënë edhe mesazh, pas masazhit ! Në PS shpresohet që të mos ketë shumë seanca masazhi me sezonin e ri parlamentar !
E djeshmja ishte edhe si mesazh se po bëjë stërvitje për të qenë në formë sportivo-politike edhe nëse partneri synon futjen e thikës pas shpine.
Meta tha se jam korrekt me fjalën dhe marrëveshjen, por nëse e shkel pala tjetër nuk dihet se ç’ndodh në duelin e shtëpinë të së majtës. Katrahurë? Është pak!
Spiten Prulli
Intervista e plote që Meta dha për gazetarët
Pyetje: Sa i takon drekës me ish presidentin Meidani Meta kërkoi mos politizimin e saj.
Meta: Më vjen keq për këtë konferencë të pazakontë shtypi, por në respektin tuaj që në këtë kulm vape keni pritur këtu për dy orë, keni pritur dhe dje për disa orë por nuk komunikuam dot dhe duke qenë i shqetësuar se përsëri nesër apo në ditë të tjera mund të ketë ndonjë sms që Meta vajti tek Grandi dhe Koço është trek Grandi që ka shtëpinë këtu tek Grandi dhe rri vazhdimisht këtu tek Grandi apo politikanë të tjerë që vinë këtu për arsye dhe të vendodhjes së Grandit duhet tu sqaroj se unë kam qenë për dy orë me Arjanin.Dhe rri vazhdimisht këtu. Arjani është miku im por njëkohësisht dhe trajneri dhe masazhatori im për një kohë shumë të gjatë dhe më ndihmon të çliroj trupin dhe mendjen nga toksinat në mënyrë që përpiqem të kontribuoj pozitivisht për të detoksikuar dhe politikën shqiptare aq sa të mundem.
Pyetje: Do sillni dhe zotin Rama këtu?
Meta: Ushtrimi më i mirë këtu është biçikleta në ujë, për të gjithë.Është ushtrim i jashtëzakonshëm.Në një kohë shumë të shkurtër, duke fituar kohën fiton dhe veti të jashtëzakonshme, jo vetëm harxhim kalorish por dhe masazh, relaks dhe shumë elementë të tjerë, edhe performancë trupore. Të gjitha këto janë falë Arjanit, unë do vij vazhdimisht. Nuk mendoj se është e nevojshme që ju të vini vazhdimisht këtu për arsye se ju thashë kush është arsyeja kryesore pse unë vi tek holel Grandi. Nuk kam qenë as në katin e parë, as në katin e dytë, as për kafe dhe as për drekë dhe mendoj që është pozitive që ju të mos keqinformoheni më.Jam gati për çdo pyetje politike dhe pse kisha vendosur të mos flisja.
Pyetje: E takuat zotin Meidani, ishte apo nuk ishte zoti Kokëdhima?
Meta: Kam patur një drekë me Profesor Meidanin dje, zoti Kokëdhima ka qëlluar rastësisht për arsye se ju thashë që zoti Koço ka shtëpinë ngjitur me hiotelin dhe rri vazhdimisht te hoteli.Ka ndjenjur një pjesë të kohës me ne pastaj ka vazhduar, ne kemi vazhduar drekën tonë.
Pyetje: E takuat zotin Meidani, ishte apo nuk ishte zoti Kokëdhima?
Meta: Kam patur një drekë me Profesor Meidanin dje, zoti Kokëdhima ka qëlluar rastësisht për arsye se ju thashë që zoti Koço ka shtëpinë ngjitur me hiotelin dhe rri vazhdimisht te hoteli. Ka ndjenjur një pjesë të kohës me ne pastaj ka vazhduar, ne kemi vazhduar drekën tonë.
Pyetje: Temperaturat si në gusht kanë qenë edhe në korrik të larta, duket se të tilla kanë qenë dhe në politikë, me diskutime për reformën në drejtësi, por nuk kanë munguar dhe zërat mes grupeve parlamentare për çështje që i përkasin koalicionit. Deri ku është toksikuar pjesa e koalicionit nga diskutimet dhe debatet sipas jush?
Meta: Mendoj se çështja e koalicionit nuk duhet të përzihet me çështjen e reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi ka përmasa të tjera, koalicioni ka programin e tij, detyrimet reciproke dhe vazhdon punën e tij kështuqë nuk mendoj se ka ndonjë arsye për ti trazuar këto dy çështje të ndryshme.
Pyetje: Koalicioni vazhdon në të njëjtën linjë?
Meta: Koalicioni sipas vlerësimit tim duhet të vazhdojë të bëjë maksimumin që të përmbushë detyrimet e tij programore, qeverisëse dhe morale ndaj qytetarëve shqiptarë, të gjithëve sepse ky koalicion qeveris të gjithë shqiptarët, por në mënyrë të veçantë ndaj atyre që e kanë përkrahur dhe votuar si detyrim moral për të mos i zhgënjyer.
Pyetje: A është zoti Meidani kandidat për Kryeministër të ri të qeverisë teknike?
Meta: Mendoj se kjo është një pyetje pa vend sepse nuk ekziston një opsion i tillë. Në rast se ka një keqkuptim për propozimin tim në një situatë të ndryshme disa ditë para 21 korrikut, ajo ishte thjesht me qëllimin për të bërë çdo gjë për të miratuar reformën.
Pyetje: Për reformën në drejtësi sot është mbledhur Komisioni.I qëndroni gatishmërisë që keni shprehur gjatë javës së shkuar për të arritur të gjitha proçeset dhe afatet edhe të diskutuara dhe vendosura nga ndërkombëtarët për ta plotësuar reformën në drejtësi?
Meta: Ne do bëjmë çdo gjë për të përmbushur të gjitha afatet, në mënyrë të veçantë që deri me 30 gusht të mund të votojmë tre ligjet më kryesore të kërkuara, duke filluar me atë të vetingut dhe kemi rënë dakort dhe me kryetarin e opozitës Lulzim Basha dhe përfaqësues të opozitës, padyshim dhe me zotin Xhafa si kryetar i një komisioni që përfaqëson shumicën që të ecim në këtë drejtim.
Sot është bërë një seancë ku opozita ka paraqitur të gjitha pikëpamjet dhe propozimet e saj që do të shqyrtohen dhe nga partnerët tanë që na asistojnë dhe për këtë ligj kaq të rëndësishëm dhe për reformën.Ndërkohë do të gjendet një moment i dytë që përsëri në Komision opozita të paraqesë për dy ligjet e tjera më prioritare përsëri mendimet e saj dhe sa më shpejt ne të jemi në gjendje të planifikojmë një seancë të suksesshme plenare për ligjin e vetingut ose të treja sëbashku, ose dy seanca të njëpasnjëshme.Jam shumë dakort me qëndrimin e zotit Basha që ky proçes duhet parë si një proçes ligjor, jo si proçes politik.
Debatet politike ishin tek çështjet e ndryshimeve kushtetuese si çështje shumë parimore. Ky është një proçes që duhet të ecë në linjën e ndryshimeve të Kushtetutës dhe të rekomandimeve të Venecias. Është e vërtetë që mazhoranca i ka 84 vota dhe mund ti votonte në çdo moment. Por mendoj që dhe linja e konsensusit duhet ndjekur. Jo vetëm kaq, është e rëndësishme që të mos bëjmë veprime të nxituara të cilat mund të çojnë një nga këto ligje në Gjykatën Kushtetuese apo në Komisionin e Venecias dhe mund të na kthente mbrapa procesin. Duhet të bëjmë gjithçka në mënyrë konstruktive të gjithë, në mënyrë që të arrijmë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian në nëntor për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE.
Pyetje: Ju e përjashtoni kategorikisht një qeveri teknike. Në këtë mënyrë ju i mbeteni besnik deri në fund mazhorancës, nuk do të ketë ndryshim qeverie deri në zgjedhjet e ardhshme?
Meta: Unë kam folur për një qeveri teknike që mund të garantonte klimën e besimit për të miratuar një reformë, ku shikoja se një nga shqetësimet e opozitës ishte shqetësimi se mos qeveria do të përdorë pushtetin ekzekutiv për të ndikuar tek reforma në drejtësi. Kjo situatë është një situatë e kapërcyer, reforma u realizua me konsensus, pretendimet e opozitës në përgjithësi për rekomandimin 88 u dakordësuan. Qeveria teknike për të cilën flet zoti Basha është diçka tjetër, ndërsa ajo që unë mund të them është se angazhimi për zgjedhje të lira dhe të ndershme do të jetë maksimal në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë të jenë të qetë dhe të sigurtë se vota e tyre do të jetë e barabartë dhe njësoj e rëndësishme.
Pyetje: Meqë opozita ka vendosur si kusht se nuk do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme me qeverinë Rama, sa do ta ndikojë koalicionin një qëndrim i tillë?
Meta: Jemi në momentin për tu përqëndruar tek ecuria e reformës në drejtësi, është reformë shumë e madhe, është një punë akoma më e madhe që na pret ërpara. Të bashkëpunojmë ngushtë dhe me OSBE-ODIHR dhe për reformën zgjedhore dhe për plotësimin e standarteve më të mira për zgjedhjet e ardhshme.
Pyetje:Vlahutin është hetuar për fshehje pasurie, ndërsa këtu ka qenë negociatore?
Meta: Nuk kam asnjë njohuri dhe asnjë koment.
Pyetje: Po me zotin Meidani çfarë diskutuat, nëse nuk diskutuat për qeverinë teknike?
Meta: Ka qenë një drekë e planifikuar prej kohësh dhe kemi pasur shkëmbime shumë miqësore, kështu që nuk e kuptoj pse duhet politizuar qoftë një drekë apo kafe.